E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci të hetohet deri në fund

Zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Stephen Cristina, në një rrëfim njerëzor. Paralele fatesh njerëzore mes vendlindjes, Nju Orlins, të shkatërruar nga uragani “Katrina” dhe Gërdecit, të shkatërruar nga një biznes i lejuar nga qeveria. Dhe me një apel më shumë për mbrojtjen e hetimit nga prokuroria: njerëzit duan drejtësi

Stephen Cristina, mund ta kuptojë më shumë se kushdo dhimbjen që të sjell fatkeqësia. Nuk ka lidhje as me të qenit amerikan, as diplomat karriere, as prind dhe bashkëshort. Të jesh nga Nju Orlins (New Orleans) dhe sidomos i mbijetuar prej njërës nga katastrofat më të rënda natyrore, mjafton të futesh në zemër të dhimbjes që ka ndjerë mesditën e 15 marsit 2008 secili banor i Gërdecit. “Ndjenja ime e parë ishte simpatia e madhe për viktimat dhe familjet e tyre. Kisha përjetuar diçka të ngjashme dhe pashë qytetarë të zakonshëm të vuanin pa kurrfarë faji të tyre”. Tre vite më parë zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, mezi kishte arritur të shpëtonte veten dhe familjen nga uragani “Katrina”, duke ikur nga sytë këmbët larg vendit të fatkeqësisë, që ndryshe nga Gërdeci, erdhi nga natyra. Ndjen dhimbje si për vendlindjen ku humbën jetën mbi 1800 njerëz dhe shumë prej kujtimeve të vegjëlisë, njëlloj edhe për Gërdecin, ku humbën jetën 26 banorë, mbi 300 u plagosën dhe mijëra shtëpi e biznese u shkatërruan. Është një paralele njerëzore e fatkeqësisë, mes Nju Orlinsit të goditur nga uragani natyror dhe të fshatrave të Vorës, të shkatërruar nga një biznes privat, të lejuar nga institucionet qeveritare, dhe ku më parë kishte punuar edhe një kompani amerikane, “Southern Ammunition Company”, Inc. (SAC) nga Karolina e Jugut. Cristina thotë se, ky fakt, e ka bërë të ndjehet keq: “Cilido në ambasadë donte të ndihmonte dhe e bëmë këtë me aq sa mundëm. Isha veçanërisht i pezmatuar që, në një farë mënyre, ishte përfshirë një kompani amerikane. Qeveria e SHBA-së e ka ndihmuar Shqipërinë në çmilitarizimin e municioneve të vjetra për disa vite, në kushte të mbikëqyrura me kujdes dhe me standardet më të larta” - thotë diplomati amerikan.

Përkrahja morale nuk mungoi, po ashtu edhe ato materiale dhe teknike. Tri orë pas shpërthimit të mesditës së 15 marsit, Ambasada ofroi 1000 dollarë ndihmë mjekësore, USAID-i 50 mijë dollarë, ekipe nga personeli i Ushtrisë së SHBA-së i ofruan ndihmë Ministrisë së Mbrojtjes në vendin e shpërthimit, gjashtë specialistë për bombat nga Byroja e SHBA-së për Alkoolin, Duhanin dhe Armët e Zjarrit erdhën për të ndihmuar Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin pas shpërthimit.

Drejtësi

Por këto nuk mjaftojnë, sepse hetimeve u duhet shkuar deri në fund dhe banorët e Gërdecit, pas ndihmave të emergjencësdhe dëmshpërblimeve kanë nevojë për drejtësi. Pas tre arrestimeve të ditëve mbas tragjedisë, mezi është arritur të lirohet nga imuniteti ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, janë shkarkuar disa prej ushtarakëve të lartë, por Prokuroria vijon të hetojë dosjen, nën një presion të madh prej atyre që nuk duan të ketë “prerje kokash” për krimin shtetëror.

“Njerëzit duan drejtësi. Kuptoj se prokuroria po vazhdon me hetimin në mënyrë metodike. Ne – SHBA-ja dhe ambasada jonë – kemi nxitur gjithmonë një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe të ndershëm të hetimit deri në fund. Historinë le ta tregojnë faktet. Ne vazhdojmë të mbështesim hetimin e pavarur nga Prokuroria. Kam besim që e vetmja mënyrë për të pasur drejtësi në Shqipëri është që, çështja, të çohet deri në fund”.

Apeli i zëvendësambasadorit Cristina, është më i fundit i bërë nga diplomatët e huaj, veçanërisht ata të SHBA-ve. Disa herë me radhë, ambasadori Xhon L. Uidhers, i është rikthyer hetimit mbi tragjedinë e Gërdecit. “Ky hetim duhet të arrijë kudo ku çojnë të dhënat, pavarësisht se në ç’drejtim apo se kush është i përfshirë”, - shprehej tri javë pas tragjedisë, gjatë një seminari në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa gjatë një takimi me Prokuroren e Përgjithshme Rama, 3 Qershor, diplomati amerikan theksonte se: “Qeveria dhe populli amerikan do të jenë thellësisht të shqetësuar, nëse ndonjë faktor, parti, apo udhëheqës politik, bën deklarata apo ndërmerr veprime që, në ndonjë mënyrë, do të përfshinin ndonjë agjendë politike në çka duhet të jetë një hetim i paanshëm dhe i pavarur, bazuar mbi sundimin e ligjit”.

Cristina përforcon mesazhin e ambasadorit: “Mendoj që tragjedia nuk e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë, por do të jetë e rëndësishme që hetimi të kryhet në mënyrë profesionale për të arritur në fundin e asaj që ndodhi vërtet”.

Thënia:

“Anëtarësimi në NATO, vetëm hapi i parë”

“Një ofertë për anëtarësim dhe vetë anëtarësimi, janë vetëm hapi i parë. Si anëtare e NATO-s, nga Shqipëria do të pritet të zhvillojë edhe më tej aftësitë e saj ushtarake, dhe detyrimet për të përmirësuar mirëqeverisjen, sundimin e ligjit, dhe zhvillimin ekonomik, do të jenë edhe më të rëndësishme”.

Paralele njerëzore Nju Orlins-Gërdec

Zëvendësambasadori amerikan rrëfen dhimbjen për vendlindjen

Stephen Cristina: Gërdeci, në rrezik familjet e rikthyeraPërpara se të vinte për të “mësuar” shqipen në Tiranë, Stephen Cristina, si në kërkim të rrënjëve të të parëve evropianë, kishte shërbyer në disa shtete të kontinentit të vjetër. Së fundi si Këshilltar Ekonomik në Misionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bashkimin Evropian në Bruksel, ku ishte në ngarkim të çështjeve ekonomike, apo për Sigurinë e Brendshme. Ndaj nuk e ka të vështirë, që pas më se 7 muajsh, të japë opinionin e tij për Gërdecin, këtë zonë ku autoritetet nguten ta mbyllin kraterin e shpërthimit, ende pa e shëruar tokën. “Në Luiziana, na thuhet shpesh të evakuohemi për shkak të rrezikut të uraganeve”, - thotë diplomati amerikan. “Shumë herë nuk e kemi bërë. Vëllezërit qëndruan aty për të mbrojtur pronat e familjes. Cilido duhet të marrë vendime si ky vetë, por bazuar mbi vlerësime realiste të rreziqeve. E kuptoj pse banorët e Gërdecit duan të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Por unë jam në një mendje me ekspertët. Ndërkohë që po kryhen të gjitha procedurat e shërimit, sipas standardeve më të larta të sigurisë në zonën e kontrolluar, zona thjesht nuk është e sigurt dhe kjo ka nevojë t’u bëhet e qartë njerëzve që po rikthehen në zonë. Po vënë në rrezik jetët e tyre dhe të familjeve të tyre”, - shprehet ai. Është një kambanë alarmi për mijëra njerëz që po rindërtojnë shtëpitë dhe jetën, megjithëse ekspertët i kanë paralajmëruar se vendi është i helmuar dhe i pasigurt. Por që nuk po dëgjohet prej askujt. Më 1 gusht, ambasadori Uidhers, vizitoi Zonën Ushtarake të Pastrimit në Gërdec. “Mendimi im është që kjo zonë nuk është bërë e sigurt ende. Mendoj që po ndërtoni tepër pranë materialesh që janë ende shumë të rrezikshme”, - i ishte drejtuar ai Muratit, njërit prej të rikthyerve te shtëpia në zonën afër shpërthimit.

Zoti zëvendësambasador çfarë është Nju Orlinsi për ju?

-Nju Orlins është një qytet magjik. Për mua nënkupton kohë të shijuar: ushqim i mirë, muzikë e mirë, miq të mirë, dhe më e rëndësishmja, familjen. Familja ime ka qenë në Luiziana qysh nga mesi i viteve 1700, kur ishte ende një koloni franceze. Disa prej paraardhësve të mi shkuan atje drejtpërdrejt nga Franca, por të tjerë ishin pjesë e “zhvendosjes së madhe,” një shembull i hershëm i spastrimit etnik, kur britanikët na detyruan të largoheshim nga Akadia (Nova Scotia në Kanada).

Shumica e shqiptarëve e dëgjuan ndoshta emrin e vendlindjes tuaj, në gusht 2005, ku uragani “Katrina” e shkatërroi atë plotësisht. Ku ndodheshit ju në atë momente?

-Isha me lejen e verës. Ime shoqe Lea, dhe unë, sapo ishim larguar nga Brukseli dhe gushtin do ta kalonim me familjen time në Nju Orlins dhe në Floridan e Veriut, pranë Pensakola. Ishim pranë Pensakolas dhe fillimisht, stuhia ishte drejtuar për aty, ndaj ishim përgatitur të shkonim në Nju Orlins për të shmangur stuhinë. Ramë në një mendje me ca miq që do t’i prisnim për një festë në shtëpinë e prindërve të mi të shtunën përpara stuhisë. Atë të premte, stuhia po kthehej kah Nju Orlins, por, ngaqë kishim organizuar festën, vendosëm të largoheshim nga Florida dhe të shkonim në shtëpinë e prindërve të mi. Kur arritëm, diskutuam me prindërit se ku do të shkonim apo qëndronim.

Duhet thënë që familja ime dhe unë kemi kaluar shumë stuhi dhe nuk largohemi kurrë. Por këtë herë, vendosëm të largoheshim për shkak të vëllait më të madh të tim ati. Ndjeva se mund të ishte më mirë. Zakonisht, nuk ka energji elektrike për disa ditë dhe isha i shqetësuar që, nëse të moshuarit do të kishin ndonjë urgjencë mjekësore, mund të ishte e vështirë të siguroje kujdesin e duhur. Kështu, të dielën përpara stuhisë, morëm sendet, macen tonë, dy macet e nënës sime, dhe udhëtuam për afro 100 km deri në shtëpinë e vëllait tim në Baton Ruzh. Ngaqë të gjithë përpiqeshin të largoheshin nga qyteti në të njëjtën kohë, morëm rrugë dytësore nëpër qytete të vogla, përgjatë Lumit Misisipi. Na u deshën katër orë për një udhëtim që, zakonisht, nuk është më shumë se një orë.

Ne që kemi jetuar në Shqipëri, kaosin e vitit 1997, shtatorin 1998, apo tragjedinë në Gërdec më 15 mars, i kuptojmë, pak a shumë, si dramën e një qyteti 2 milionësh. Çfarë ndodhte atje pas katastrofës së gushtit?

-Kur arritëm në Baton Ruzh, u siguruam të furnizonim makinat me karburant përsëri. Kishim boll ushqime dhe ujë. Kur stuhia goditi, mbetëm pa energji për pak kohë, por dëgjuam që stuhia nuk kishte qenë tepër e egër. Dy nga vëllezërit e mi kishin mbetur pas për të mbrojtur pronat e familjes dhe mundëm të flisnim me ta. Por shpejt dëgjuam që niveli po ngrihej ngaqë digat ishin thyer. U përpoqëm të mbanim kontakt me familjarët dhe miqtë që kishin mbetur pas. Kur erdhën dritat në Baton Ruzh dhe arritëm të shihnim situatën në qytet, ishte e neveritshme të shihje përgjigjen e mjerueshme të autoriteteve.

Pati shumë akuza nga amerikanët për inaktivitetin e qeverisë amerikane, duke e lënë qytetin në duart e bandave dhe të kaosit. Cili është vlerësimi juaj për këtë debat ende të hapur?

Mendoj se ka një vlerësim të përgjithshëm që, reagimi i qeverisë, ishte një dështim nga shumë këndvështrime. Familja ime dhe unë, jemi sipërmarrës që mbështetemi tek vetja, ashtu si shumë amerikanë. Kemi fabrika akulli në qytet dhe kontaktuam me zyrtarë të ndryshëm e ofruam t’u jepnim akull falas punonjësve të ndihmës dhe morgjeve, nëse do të na lejonin të ktheheshim në qytet, të lidhnim vetë energjinë, dhe të ofronim mbrojtje për policinë. Askush nuk e pranoi ofertën tonë dhe as na kthyen telefonatat.

Ndjenja ime është që stuhia na tregon disa të vërteta të rëndësishme: Së pari, të gjithë duhet të kemi plane emergjence tonat për familjen. Së dyti, administrimi i suksesshëm i krizave kërkon bashkëpunim të ngushtë midis zyrtarëve në të gjithë nivelet e qeverisjes, federale, të shteteve, si dhe vendore, por edhe midis sektorëve të ndryshëm: policia, mjekësia, ushtria, kompanitë e komunikacioneve dhe ato të energjisë. Së treti, kërkon planifikim paraprak dhe ushtrime stërvitore.

Sot, pas rreth tre vitesh, a është shëruar vendlindja juaj?

-Disa njerëz kanë rindërtuar, ndërsa lagjet e vjetra, ato që gjenden në lartësi, janë si më parë. Megjithatë, jo, nuk është shëruar dhe është e dhimbshme të shohësh lagjet ku luaja dikur me shokët që janë zhdukur dhe ende asnjë përpjekje për rindërtim.

Katastrofa “Katrina”

Ishte një uragan i kategorisë pesë. Më se 1800 njerëz humbën jetën nga uragani Katrina që, në 28 gusht 2005, shkatërroi 80 për qind të Nju Orlinsit, 200 mijë shtëpi u rrënuan, 1 milion banorë u zhvendosën, mbi 350 makina u dëmtuan, me një kosto mbi 100 miliardë dollarë. Por reagimi qeveritar ishte shumë i vonuar dhe njerëzit mbetën në mëshirë të Zotit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›