E Diel, 1 Nëntor 2026

Alarmi, 4500 nxënës me aftësi të kufizuara, lihen jashtë shkollave

Studimi, me qindra fëmijë me aftësi të kufizuar nuk shkojnë në shkolla, pasi nuk kanë infrastrukturën e duhur

Raporti, USAID-i dhe FSHDPAK-ja, kritika qeverisë për paaftësi në konkretizimin e strategjive për nxënësit me probleme

Janë jo pak, por rreth 4 500 fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët nuk gëzojnë të drejtën e arsimimit në shkollat publike. Të gjithë i përkasin grupmoshës 6-18 vjeç. Shkak për humbjen e së drejtës elementare për arsimim, është trajtimi aspak human, me të cilin ata trajtohen, qoftë nga shoqëria, qoftë nga instancat shtetërore. Raporti i fundit studimor, punuar nga USAID-i dhe FSHDPAK-ja (Fondacioni Shqiptar i të Drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar), tregon me shqetësim se, situata në vitet e fundit, jo vetëm që nuk është përmirësuar, por ka ardhur gjithmonë duke u rënduar. Në rrugë personat me aftësi të kufizuar trajtohen sikur të ishin normalë. Për këtë kategori individësh, rampet pothuajse nuk ekzistojnë, qoftë edhe kur bie fjala për rrugë të reja. Në shkolla është e njëjta gjendje. Pothuajse në të gjitha ndërtimet e reja, në infrastrukturën arsimore, shkallët apo hyrjet e veçanta ku mund të kalojnë nxënësit me aftësi të kufizuar, kanë mbetur në projekte, pa mundur të realizohen. Prej disa vitesh qeveria ka miratuar një manual mbi standardet, në të cilat duhet të ndërtohen shkollat. Në këtë manual thuhet se, në infrastrukturën shkollore, duhet të përfshihet gjithçka, duke nisur nga rampet dhe një sërë zgjidhjesh të tjera arkitektonike, të cilat ua bëjnë më të lehtë nxënësve me aftësi të kufizuar, qofshin këta edhe me karrocë, vajtjen në klasa apo tualet. Kjo është ajo çka thuhet në manual, pasi në realitet faktet flasin ndryshe.

Një pikë tjetër ku qeveria rezulton të ketë dështuar, është edhe implementimi i strategjive. USAID-i dhe FSHDPAK-ja, konstatojnë në raport se, strategjitë në mbrojtje të shtresave në nevojë, hartohen nga qeveria, miratohen prej saj, por, kur vjen puna për zbatimin, gjithnjë harrohen. Kjo ka ndodhur me një pjesë të mirë të pikave të strategjisë për njerëzit me aftësi të kufizuara. Kështu, nga 45 masa të miratuara deri më tani, vihet re se, në 39 prej tyre, nuk ka pasur asnjë përparim, çka të bën të mendosh për një punë të dobët të qeverisë në zbatimin në terren të strategjive që ndërrmerr në përmirësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar. Në një sondazh të kryer në 6 qendrat më të mëdha urbane në vend (Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Korçë), USAID-i dhe FSHDPAK-ja, vërejnë se, më shumë se gjysma e familjeve që kanë si anëtarë persona me aftësi të kufizuar, jetojnë në kushte të vështira ekonomike. 51 përqind e familjeve të intervistuara, janë shprehur se janë në kufijtë e mbijetesës dhe pa asnjë lloj përkrahjeje. Ministri i Punëve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, u shpreh në takim se do të rishikohen, si strukturat, ashtu edhe grupet e mjekëve që lëshojnë raportet e daljes në KEMP. Të pyetur nga USAID-i dhe FSHDPAK-ja, pjesa dërrmuese e personave me aftësi të kufizuar, i kanë dhënë notë pakaluese shanseve për punësim që qeveria ofron për këta individë. Po kështu notë pakaluese kanë marrë formimi profesional, pjesëmarrja në vendimmarrje në nivel lokal, si edhe trajtimi që kësaj kategorie i bëhet në shoqëri. Në arsim, sikundër theksuam në hyrje të shkrimit, gjendja është edhe më alarmante. Rreth 880 fëmijë marrin mësim në shkollat speciale, ndërsa 219 në shkollat publike, një shifër kjo shumëfish më e vogël se fëmijët me aftësi të kufizuara të mbetur jashtë institucioneve arsimore, për shkak të mungesës së kushteve infrastrukturore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›