SHBA-Bush firmos sot për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, do të dekretojë sot vendimin e senatit amerikan për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Firmosja nga Bush vjen pas votimit në mënyrë unanime të Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO nga senatorët amerikanë.
Në këtë ceremoni që zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC do të jetë i pranishëm edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i ftuar nga Preidenti i SHBA-së, Bush. Në një njoftim Scheffer ka deklaruar se Aleanca Veriatlantike vazhdon të mbetet e përkushtuar për vendet të cilat janë aspirante të NATO-s, duke konfirmuar se do të marrë pjesë në ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë.
Nënshkrimi i protokolleve bëhet për herë të parë në një ceremoni zyrtare, ç’ka tregon për mbështetjen e SHBA-së për këto dy vende të Eupopës Juglindore.
Ratifikimi i këtij protokolli nga SHBA i hap rrugë procesit të përshpejtuar të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, pas ratifikimit edhe nga vendet anëtare dhe anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë e Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut.
Shqipëria mori ftesën për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit më 3 prill 2008. Më 9 gusht të këtij viti, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.