E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci tri herë në javë, dështon përpjekja

TIRANE-Dështon përpjekja e gjykatës së Tiranës për të zhvilluar tri herë në javë gjyqin ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e rëndë të 15 marsit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona.
Dje ishte caktuar që të zhvillohej seanca e radhës ndaj të akuzuarve, mes të cilëve ndodhet Mihal Delijorgji, administrator i “Albademil”-it, Ylli Pinari, ish-kreu i MEICO-s, apo dhe ish- krerët më të lartë të ushtrisë shqiptare, por pjesa më e madhe e avokatëve nuk u paraqitën në seancë. Në kushtet kur shumica prej të pandehurve mbeteshin pa mbrojtje, kryesuesi i treshes gjykuese Ridvan Hado u detyrua ta shtynte seancën gjyqësore për të premten e kësaj jave, pra më datë 15 prill. Pikërisht në këtë datë është dhe afati i fundit kur Patrik Henry, përfaqësuesi i kompanisë amerikane ‘SAC’ duhet të mbërrijë në Tiranë për të dëshmuar në gjyqin ndaj 29 të akuzuarve. Zyrtarisht ende nuk ka asnjë përgjigje nëse do të vijë për të dëshmuar apo prokuroria do të jetë e detyruar të kërkojë leximin e dëshmisë së tij marrë përmes letërporosisë.
Gjyqi për shpërthimin tragjik të fabrikës së demontimit në Gërdec që mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, prej më shumë se një viti po zhvillohet në gjykatën e Tiranës.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›