E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, ushtaraku: Presione me sms nga Ylli Pinari, për municionet

Autori i Lajmit: Redaksia

Ushtarakët akuzuan dje në Gjykatën e Tiranës Ylli Pinarin, ish-drejtorin e ndërmarrjes shtetërore të armëve MEICO, i pandehur në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit.
Gjatë dëshmisë së dhënë para gjykatës nga Lavdërim Çota, ish-shefi i Brigadës Logjistike në Komandën Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm, tha se ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO-s, Ylli Pinari, i ka bërë presione ushtrisë të transportonte në Gërdec më shumë municione sesa grafikët e parashikuar.
Dëshmia
Sipas kontratës së nënshkruar në vitin 2007, ushtria shqiptare duhej të transportonte me mjetet e saj drejt Gërdecit municionet që dërgoheshin për demontim. Rregullorja parashikonte një grafikë të qartë për intensitetin e ngarkesave me fishekë që duhej të transportoheshin në Gërdec në mënyrë që të shmangej grumbullimi i municioneve stok. “Ushtria shqiptare ka transportuar municione në fabrikën Alba-Demil në Gërdec, jo siç parashikonte kontrata, por në bazë të urdhrave verbale nga Ylli Pinari, drejtori i ndërmarrjes MEICO. Urdhrat jepeshin në çdo orë të ditës, në telefon”, tha dëshmitari Lavdërim Çota. Ai tha se pas presioneve të vazhdueshme të ndërmarrjes MEICO-s dhe drejtorit të saj Ylli Pinari, u kishte bërë një relacion eprorëve të tij në Shtabin e Përgjithshëm duke informuar se në Gërdec po transportohej më shumë municion se sa thuhej në kontratë. Në dëshminë e tij, Çota shpjegoi se me urdhër të Komandës Mbështetëse, drejt 3 uzinave ushtarake u dërguan municione për të eksperimentuar demontimin e tyre, por më pas me urdhër të eprorëve, u dërguan municione për llogari të MEICO-s, me urdhër të komandantit. Ai ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe hasëm probleme me transportin, pasi për pjesën e karburantit ishte përgjegjëse vetë MEICO. “Municionit e nisura për demontim drejt MEICO-s, i kalonin shoqërisë ALBA-DEMIL, me pronar Mihal Delijorgjin. Sasia e municioneve për demontim shoqërohej me tabelat përkatëse me sasinë e municioneve dhe llojin e tyre. Pas dëshmisë së Çotës, seanca vijoi me dëshminë e tre dëshmitarëve të tjerë të akuzës. Ndërsa, i akuzuari Ylli Pinari edhe pse ishte i pranishëm dje në Gjykatën e Tiranës në procesin për çështjen Gërdeci për të cilën është dhe i pandehur ka preferuar të mos bëjë asnjë deklaratë dhe asnjë reagim pas akuzave që u bënë ndaj tij.
Vonesa në proces
Seanca gjyqësore e çështjes “Gërdeci” ka vijuar sërish dje me vonesa për shkak të avokatëve mbrojtës të të pandehurve. Ndërsa, kryesuesi i trupit gjykues kërkoi respektim të orarit, avokat Hysni Beti fajësoi trafikun e rënduar për shkak të punimeve në sheshin “Skënderbej”. Të pandehurit e procesit Gërdeci akuzohen për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën rreth 300 të tjerë.

Ky lajm është publikuar: 27/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›