E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, vajza e gjykatësit, avokate e Delijorgjit

Zbardhet dokumenti që vërteton lidhjen me vajzën e gjyqtarit. Gjyqtari refuzon të japë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes

Tiranë - Seanca e parë e procesit gjyqësor ndaj 30 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit pritet të shoqërohet me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për përjashtimin nga kolegji penal të njërit prej gjyqtarëve. Behet fjalë për gjykatësin Besnik Imeraj, i cili më 18 mars u përzgjodh në shortin me gogla së bashku me katër gjyqtaret; Majlinda Andrea, Evelina Qiriako, Irma Bala dhe Evgjeni Sinoimeri. Nga dokumentet vërehet papajtueshmëri për arsye familjare të gjyqtarit Imeraj, madje për këtë ligji parashikon heqjen dorë nga trupi gjykues. Konkretisht, vajza e gjyqtarit Imeraj, Marsela Imeraj, figuron në dokumente si një nga avokatët e autorizuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji, për të përfaqësuar dhe për të kryer veprimet e nevojshme në regjistrin e QKR-së për kompaninë “Albademil”.
Dokumenti
Në shkresën e firmosur nga Delijorgji, vajza e gjyqtarit, së bashku me dy avokate të tjera, përfaqëson Delijorgjin për të depozituar në QKR vendimin e asamblesë së ortakëve të “Albademil”-it. Përveç këtij autorizimi, Marsela Imeraj rezulton të jetë firmëtare gjatë regjistrimit të këtyre ndryshimeve të kompanisë “Albademil” në dhjetor 2007. Neni 17 i Kodit të Procedurës Penale thotë: “Ne rastet kur gjyqtari ka interes në procedim ose kur një nga palët private ose një mbrojtës është debitor a kreditor i tij, bashkëshortit ose i fëmijëve të tij, gjyqtari duhet të heqë dorë nga gjykimi i çështjes konkrete”.
Rregullorja
Po ashtu, gjyqtari duhet të dorëhiqet nga çështja edhe kur është kujdestar, përfaqësues apo punëdhënës i të pandehurit ose i njërës nga palët private, ose kur mbrojtësi a përfaqësuesi i njërës prej këtyre palëve është gjini e afërt i tij apo e bashkëshortes së tij. Ligji parashikon që në rast të mosdhënies së dorëheqjes, përjashtimi i gjyqtarit kërkohet nga palët. Gjyqtari Besnik Imeraj, i kontaktuar nga mediat nëpërmjet zyrës së shtypit në Gjykatën e Lartë, pohoi se nuk do ta japë dorëheqjen për një rast të tillë, por do të dorëhiqet vetëm nëse vajza e tij, Marsela Imeraj, do të mbrojë ndonjë nga të pandehurit e tragjedisë.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›