E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet Emiliano Keçi, i shumëkërkuar nga Drejtësia italiane



Tiranë – Emiliano Keçi, një person shumë i kërkuar nga Policia dhe Drejtësia për disa akuza të rënda trafiqesh, pas një përgjimi policor ka rënë në pranga. Burime policore thanë për “Albania”-n se 28-vjeçari Emilian Feim Keçi, lindur dhe banues në lagjen “Popullore” Shijak, u ndalua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në rrugën “Myslym Shyri” në qytetin e Tiranës. Policia konfirmoi se Komisariati i Policisë Durrës ka bërë shpalljen në kërkim për Keçin, me shkresën nr. 794 datë 12 shtator 08. Emiliano Keçi është dënuar në mungesë nga Gjykata e Pisas në Itali më datë 15.04.05 me Vendimin nr. 400/05 për veprat penale të “trafikim lëndësh narkotike” dhe “favorizim për shfrytëzim prostitucioni”. Ky vendim është njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me Vendimin nr. 562 të datës 06.11.2007 duke i konvertuar masën e dënimit me 9 vjet, 6 muaj e 27 ditë burg. Arrestimi i Emiliano Keçit pason disa arrestime të tjera të atij që në Itali quhej si “grupi Keçi”. Pak muaj më parë u arrestua në lokal Afrim Keçi, i kërkuar në Itali për trafik droge. Ai është vënë në pranga gjithashtu nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet nga drejtësia italiane për trafik droge. Disa nga anëtarët e “grupit Keçi” janë të dënuar me vendim të formës së prerë në Itali. Më konkretisht ata janë vëllezërit Alzan dhe Astrit Keçi si dhe kushërinjtë e tyre, Emiliano dhe Afrim Keçi. Personat e prangosur ishin dënuar për trafik droge nga 7-14 vjet burg. Operacioni i koduar “Treviso”, është bazuar në dosjet e servirura nga Interpol Roma, e cila ishte mjaft e interesuar për arrestimin e katër kushërinjve. Përgjimet që u janë bërë në një interval të gjatë kohe, sollën dokumentimin e aktivitetit të tyre kriminal, për të cilin ata janë dënuar me shumë vite burg në mungesë nga Gjykata e Pizës. Pak kohë m parë Policia e Durrësit ndërmori një aksion ku u mundësua dhe kapja e një pjese të mirë të të kërkuarve në fjalë. Në aksionin e zhvilluar morën pjesë me dhjetëra forca policore të komisariatit të Durrësit dhe pothuajse i gjithë Shijaku ka qenë nën shtetrrethim. Asnjë prej kushërinjve nuk ka bërë rezistencë në momentin e ndalimit, duke bërë që operacioni të shkojë pa incidente.

37-vjeçari vetëvaret në trarin e stallës, kishte çrregullime mendore

Pogradec– Është gjendur i varur me një bluzë të pambuktë në trarin e stallës një 37-vjeçar, i cili rezultonte se vuante prej kohësh nga çrregullime mendore. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në fshatin Omesh të Pogradecit dhe i vetëvaruri quhet Moço Torra, i cili ka qenë i shpallur në kërkim nga policia e Pogradecit për largim nga banesa që nga muaji shkurt i këtij viti. Mësohet se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune apo dëmtime me armë zjarri, prandaj mendohet që Torra të jetë vetëvarur si pasojë e çrregullimeve mendore. Nga veprimet e para hetimore rezulton se ky person ka kryer vetëvarjen si pasojë e çrregullimeve mendore që ai kishte.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›