E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon 12 vite burg për mashtrimin e Albana Lazes



Laureta Rryçi

Tiranë - Prokuroria kërkoi dje 12 vite burg për Albana Lazen. Kjo e fundit u arrestua pasi u mori familjarëve të dy të dënuarve 150 mijë euro duke premtuar lirimin e tyre nga burgu. Mirëpo, historia e mashtrimit të Lazes nuk mbaroi me kaq, pasi ajo me dëshmitë që dha implikoi edhe disa prokurorë të Krimeve të Rënda. Në fillim e pandehura tha se iu kishte marrë paratë familjarëve për t’ua dhënë më pas prokurorëve. Tashmë dosja e saj është drejt përfundimit dhe me gjithë dëshmitarët e shumtë që ishin në proces, sërish e arrestuara nuk solli fakte në favor të pozicionit të saj. Pas pretencës, pritet që trupi gjykues që po merret me shqyrtimin e dosjes të japë vendimin.
Arrestimi
Arrestimi i Albana Lazes është bërë pas denoncimit nga familjarët e të pandehurve Emiljano Shullazi dhe Genci Ferhati. Pasi kanë pritur më kot lirimin e të afërmve të tyre, ata iu janë drejtuar zyrtarëve, që sipas Lazes kishin marrë paratë, ç’ka edhe ka zbuluar supermashtrimin. Mësohet se Laze kishte marrë në mirëbesim 150 mijë euro nga familjarët e Shullazit dhe Ferhatit, pasi ajo ishte prezantuar si mikeshë e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kur lirimi kishte vonuar, familjarët u janë drejtuar personave të cilët mendonin se i kishin paguar. Zbulimi dhe faktimi i këtyre mashtrimeve erdhi pasi pjesëtarët e familjarëve të dy të pandehurve iu drejtuan prokurorëve dhe gjyqtarëve, që sipas të akuzuarës për mashtrim i kishin marrë lekët. Pas takimit të tyre, prokurorët e alarmuar për këto akuza kanë urdhëruar Drejtorinë e Policisë së Tiranës të ndalojnë shtetasen Albana Laze, së bashku me bashkëshortin e saj, i cili u la i lirë pas marrjes në pyetje.
Hetimet
Para se të arrestohej për mashtrim, Albana Laze, kishte rreth 7 muaj që hetohej nga prokuroria e Tiranës, pasi ndaj saj ishin depozituar një sërë kallëzimesh të familjarëve dhe personave të ndryshëm që ndodhen prapa hekurave të paraburgimit dhe institucioneve të vuajtjes së dënimit. Laze kishte përdorur ndaj tyre të njëjtën strategji mashtrimi. Pas verifikimeve të prokurorëve të Seksionit të Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës ka rezultuar se Laze, kishte mashtruar në disa banka ku kishte marrë kredi që nuk i ka shlyer kurrë. Pritet që në seancën e ardhshme, pasi avokati të paraqesë pretendimet përfundimtare gjykata të shprehet me vendim për akuzat e “mashtrimit me shuma të mëdha ndaj më shumë se një personi” dhe “shpifjes”.

10 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›