Numri dy i policisë viziton familjet e policëve të vrarë në detyrë
Kukës – Numri dy i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në emër të këtij institucioni, vizitoi familjet e dy punonjësve të policisë, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrushi të rënë në krye të detyrës pak javë më parë. Sipas të dhënave, Burgaj garantoi familjarët e policëve të vrarë nga dora kriminale, mbështetjen e Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të Policisë së Shtetit për t`iu gjendur pranë në këto momente të vështira dhe të dhimbshme. Në vizitat e bëra në familjet përkatëse, në Shën Mëri dhe në spitalin civil të qytetit të Kukësit, ku ndodheshin edhe përfaqësues të pushtetit lokal, Burgaj u shprehu edhe një herë ngushëllimet për humbjen e rëndë dhe premtoi që në përballimin e kësaj dhimbje këto familje nuk do të jenë vetëm. “Ju garantojmë se familjarët dhe fëmijët e dy ish-kolegëve tanë të nderuar do të kenë gjithmonë pranë të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, duke ju mundësuar atyre një jetë më të mirë, një arsimim dhe përkujdesje të vazhdueshme”, - u shpreh ai.
10 Prill 2009