Ekspert amerikan për sigurinë e tunelit
Dix do të çertifikojë tunelin e Kalimashit, nëse është i sigurtë për qarkullim.
-Shpejtësia për përfundimin e punimeve në tunel ka detyruar kompaninë "Bechtel&Enka" për të thirrur në ndihmë Arnold Dix.
"Bechtel&Enka" kontrakton një ndër ekspertët më të njohur për të inspektuar sigurinë e tunelit të Kalimashit
Arnold Dix do të jetë personi që do të japë vendimin për lejimin ose jo të qarkullimit në tunel
Kukës: Eksperti me famë botërore në fushën e infrastrukurës nëntokësore dhe të sigurisë
do të certifikojë përfundimin e punimeve në njërin prej tubave të tunelit të Kalimashit.
Ai do të jetë personi i vetëm që do të thotë fjalën e fundit për qarkullimin e mjeteve në tunel. Arnold Dix është thirrur për ndihmë si ekspert i pavarur dhe drejtues i një kompanie private nga ana e kompanisë "Bechtel&Enka" për të dhënë ekspertizën dhe mendimin e tij nëse tuneli i Kalimashit është i gatshëm për qarkullim pas datës 25 qershor, periudhë në të cilën është paralajmëruar hapja e tij.
Specialistë që kanë punuar në hapjen e tunelit të Kalimashit kanë bërë të ditur se shpejtësia në kryerjen e punimeve, le shteg për të dyshuar në sigurinë e tunelit.
Kjo ka detyruar kompaninë ndërtuese që të thërrasë për ndihmë dhe ekspertizë, këtë ekspert, i cili do të ndihmojë gjatë kësaj kohe në kontrollin e tunelit dhe dhënien e ekspertizës për të korrigjuar në periudhën e mbetur te defekteve që Dix mund të zbulojë gjatë kontrollit në tunel.
Profesor Arnold Dix ka 20 vjert eksperiencë në menaxhimin e rreziqeve dhe këshillimet në zgjidhjen e problemeve tekniko-shkencore e inxhinierike.
Ai është i përfshirë gjithashtu në menaxhimin e jetës, pronës, problemeve mjedisore dhe operacionale në infrastrukurat komplekse siç është edhe tuneli i Kalimashit.
Punimet për shpimin e tunelit të Kalimashit kanë përfunduar mëngjesin e 25 majit, ndërkohë që përurimi simbolik i bashkimit të të dy anëve të tunelit është bërë më 31 maj në një ceremoni, ku morën pjesë kryeministrat e Shqipërisë e Kosovës, Berisha e Thaçi.
Punimet
Në hyrje të tunelit si nga portali verior në anën e Kalimashit dhe në portalin jugor në pjesën e Thirrës po vazhdon hedhja e shtresave të stabilizantit për të vazhduar më pas me asfaltimin e tunelit. Ndërkohë që në tubin tjetër të tunelit mbeten ende rreth 160 metër për t'u gërmuar.
Fronti i punës në tunelin e përfunduar dhe që mendohet të hapet për qarkullim pas dy javësh, tashmë është përqendruar në pajisjen e tij me mjetet që do të bëjnë të mundur qarkullimin, si sistemi i ajrimit, ndriçimit, kamerat e kontrollit, salla e vëzhgimit, grupi i gjeneratorëve, nënstacioni elektrik, sensorët e kontrollit të CO2, sensorët e lagështisë, impiantet e pastrimit të ujërave që dalin nga tuneli etj.
Ndërsa puna në segmentin Fushë-Dukagjin -Tuneli i Kalimashit është përqendruar kryesisht në asfaltimin e rrugës nga Fushë-Dukagjini deri tek tuneli, vendosjen e rrjetave metalike nëpër skarpate për të mënjanuar rënien e gurëve, vendosjen e parapetave metalike mbrojtëse në rrugë e ura etj. Në segmentin Rrëshen-Reps-Thirrë, në shumicën e segmenteve, asfaltimi ka vazhduar në katër korsitë e rrugës.
Në sektorin nr.1 të segmentit Rrëshen-Kalimash, poshtë fshatit Shpal, punimet vazhdojnë në një urë, e cila ka mbetur pa përfunduar si pasojë e një shembjeje të madhe në afërsi të saj.
Tuneli i Kalimashit
Në autostradën Rrëshen - Kalimash, prej 60.85 kilometrash, bën pjesë edhe tuneli i Kalimashit, apo i Thirrës. Ky tunel është vepra kryesore dhe më e vështira inxhinierike e projektit të rrugës Durrës-Kukës-Morin.
Tuneli fillon poshtë malit të Rrunës, në afërsi të Kalimashit në lartësinë 831 metër mbi nivelin e detit dhe çan tejpërtej Qafën e Kumbullës për të dalë në fshatin Thirrë të Mirditës me një lartësi mbidetare prej 750 metrash. Shpërthimi i parë i fillimit të gërmimit të Tunelit Thirrë-Kalimash, 5.65 kilometra, u krye më 25 maj të vitit 2007, në hyrje të kësaj vepre të re.
Tunelet po gërmohen me teknologji moderne, në përputhje me metodën e re austriake NATM, e cila qëndron në shfrytëzimin e kapacitetit mbajtës të shkëmbit, për të siguruar hapjen e tunelit. Në bazë të termave të projektit, tuneli i Kalimashit është 10 metër i lartë dhe tetë metra i gjerë. Janë dy tunele me përmasa të tilla një në hyrje dhe një në dalje.