Gërdeci,UET jep 2 bursa studimi
Universiteti Evropian i Tiranës ofron bursa studimi për dy motrat, që humbën babanë e tyre nga shpërthimi në Gërdec. Kryebashkiaku Edi Rama, në një ceremoni të organizuar enkas për to, i ka dorëzuar bursat motrave Irisa dhe Enkelejda Kruja, të cilat humbën babanë e tyre në tragjedinë e Gërdecit. “Në emër të së gjithë qytetarëve e qytetareve të Tiranës unë falënderoj bashkëqytetarët tanë Henri Çili dhe Adrian Civici, që kthyen në jetë ëndrrën e jetimeve, për të shkuar në universitet e për të arritur një ditë aty, ku ëndërronte babai i tyre i vrarë në një punë të tmerrshme për të ushqyer e për të shkolluar vajzat e tij”, tha Rama. Ai shtoi se është vërtet turp për shtetin, që jo vetëm s’ka bërë asgjë për të lehtësuar vështirësitë e sipërmarrjes private në arsim, po s’ka bërë asgjë as për të mësuar gjë nga këto nisma konkurruese dhe as për të konkurruar denjësisht me to në arsimin publik, i cili sipas Ramës, është një Gërdec më vete ku vriten ëndrrat, asfiksohen talentet, përbuzet merita dhe gjymtohet e ardhmja. “Falë këtij programi që është shprehje e një filozofie, të cilën arsimi publik duhet ta bëjë të vetën për të qenë cilësor e konkurrues”,-tha Rama.