E Shtunë, 31 Tetor 2026

13 mijë euro për fanellën e Ronaldinjos

 

MOLGEN BALENA

Vetëm për të bërë pronë të vetën fanellën, me të cilën Ronaldinjo luajti për herë të parë në stadiumin "Qemal Stafa" të Tiranës, një shqiptar ka nxjerrë nga xhepi plot 13.000 euro.
Bluza e kampionit brazilian është vendosur në shitje gjatë një ankandi të zhvilluar në mbrëmjen e së martës, pas përfundimit të ndeshjes Tirana-Milan. Gjithçka ka ndodhur në një nga sallat e hotel "Sheraton", me ideimin e "Taçi Oil" dhe nën mbështetjen e UNICEF. Qëllimi ka qenë përfitimi i fondeve, që do të jepen në bamirësi për fëmijët në nevojë. Kështu, vetëm përmes fanellës së tij, Ronaldinjo ka realizuar një tjetër "gol", shumë më të rëndësishëm se ai që shënoi në miqësoren përballë bardhebluve dhe që u duartrokit nga mijëra tifozë të pranishëm në stadium. Mësohet se blerësi, që ka arritur të sigurojë "80"-n kuqezi ka qenë një biznesmen, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Megjithatë, fare lehtë mund të merret me mend se është një tifoz i Milanit dhe veçanërisht i kampionit brazilian, përderisa ka qenë i gatshëm të bëjë një "çmenduri" të tillë.
Refuzimi
Në këtë mënyrë është zbuluar arsyeja e refuzimit, që i bëri Ronaldinjo kërkesave të shumta që i kanë ardhur në përfundim të 90 minutave të luajtura kundër Tiranës. I pari që shkoi në drejtim të tij ishte pikërisht njeriu i sfidës së të martës, Gjergji Muzaka, i cili donte të shkëmbente fanellën e tij me atë të brazilianit, por më kot ka ngulmuar. Asi i Milanit mesa duket ishte porositur që të mos e lëshonte, sepse pas ndeshjes "80"-a e tij do të përfundonte në ankand, aty ku si përfundim do të merrte më shumë vlerë se fanella e Muzakës, që mund të kishte marrë në këmbim. Në këtë situatë, edhe qëndrimi i tij prej gati 10 orësh në kryeqytetin tonë ka shërbyer jo vetëm për kënaqësinë futbollistike të miliona sportdashësve shqiptarë, por edhe për përmbushjen e një misioni që shkon përtej sportivitetit.
Të tjerë
Përveç asaj të Ronaldinjos, nga zyrat e kompanisë "Taçi Oil" bëhet e ditur se në ankandin e të martës janë shitur edhe fanella të tjera të lojtarëve të njohur të Milanit. Mbi të gjitha ka rënë në sy shitja e numrit 3 të kapitenit Paolo Maldini për vlerën e 7500 euro. Gjithashtu, bluza e Emersonit ka kapur vlerën e 850 eurove, ndërsa ajo e Luka Antoninit 500 euro. Në këtë të ashtuquajtur "mbrëmje gala" kanë marrë pjesë edhe drejtues të klubit kuqezi të Milanit, nga ata që erdhën për të shoqëruar skuadrën në Tiranë, si Franko Barezi e Daniele Masaro. Të tjerë protagonistë që i kanë dhënë të martës më shumë vlera, për të qenë një ditë e paharrueshme.
UNICEF
Legjendarët e futbollit AC Milan janë bashkuar në një ndeshje bamirësie me skuadrën e Tiranës në stadiumin "Qemal Stafa", për të ngritur fonde për të mbështetur projektin "Shqipëria lexon", një iniciative që mbështet që çdo shkolle publike të ketë një bibliotekë si dhe të promovojë kulturën e leximit në fëmijët e shkollave. Fale kontributit të AC Milan, UNICEF dhe partnerët e tij janë angazhuar në hapjen e 100 bibliotekave në shkolla të tjera.

Inzagi "mallkon" Nallbanin
Qendërsulmuesi i Milanit, Inzagi, ka shumë mundësi të humbasë ndeshjen kundër Sampdorias. Pipo u dëmtua gjatë ndeshjes kundër Tiranës pas një përplasje me portierin Nallbani. Lajmin e jep agjencia italiane "Agi". I vështirë është edhe rikthimi i Nestës, pavarësisht se ky i fundit luajti për shumë minuta kundër bardhebluve shqiptarë. Ronaldinjo, i cili dëshmoi formë të mirë fizike e shënoi një gol të merituar do të jetë kundër Sampdorias.

Shevçenko: Lidhem mirë me Dinjon
Megjithë figurës së shëmtuar, me të cilën Milani u shfaq në Shqipëri, Shevçenko është i kënaqur. "Tjetër humbje në miqësore? Për mua ka rëndësi marrëveshja me Dinjon, që po shkon gjithmonë e më mirë. Gjithashtu jam i gëzuar sepse forma ime po përmirësohet gjithmonë e më shumë. Pas paraqitjes së mirë që bëra me Kombëtaren, në Tiranë luajta një ndeshje me ritëm të kënaqshëm".

Eurogoli, Muzaka është në ëndërr
Përballja dhe triumfi ndaj ekipit kampion bote për klube, Milanit dhe një eurogol i realizuar prej tij, kanë bërë që Gjergji Muzaka, për një natë të vetme të 'prekë qiellin me dorë'. "Nuk e kisha ëndërruar kurrë që një ditë do të luaja përballë Milanit, për të cilën bëj tifo të zjarrtë. Imagjino si jam ndjerë mbrëmjen e së martës që jo vetëm jam ndeshur me kuqezinjtë legjendarë, por edhe kam realizuar një eurogol".

Daliç: Tirana, e frikshme
Trajneri i Dinamos, Zllatko Daliç, nuk ka munguar të martën në mbrëmje në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", kur së bashku me ndihmësin e tij, Artan Mërgjyshi, ka vëzhguar ndeshjen Tirana-Milan. "Ka luajtur në të gjitha drejtimet shumë mirë. Ishte e vendosur mirë taktikisht dhe në të tilla kushte, diti t'i përgjigjej Milanit me yjet e futbollit botëror në fushë. E gjithë skuadra ishte perfekte, kur gjashtë futbollistët ishin më shumë se në lartësinë e duhur".

Lufta e tifozëve në forume
Humbja e Milanit në Tiranë nuk ka ndezur aq bujë në shtypin italian sesa në rang tifozerish. "Galiani ka konfirmuar blerjen e re, duke parë që Abiati mbeti si një mumje në golin e dytë të Tiranës. Bëhet fjalë për një portier të ri shqiptar, që do të bëhet numri 1 i ri i portës kuqezi... Sali Bershia", ka shkruar një prej tifozëve". "Nëse je skuadra e parë në botë, atëherë duhen fituar edhe këto miqësore. Milanit i rrofshin trofetë", ka qenë një tjetër mesazh.

Media italiane kryqëzon Milanin
Mediat italiane i bënë një jehonë të madhe si pranisë së Milanit në Shqipëri. Gazeta e njohur torineze "La Stampa", një nga tre gazetat më të mëdha në Itali pas "Corriere della Sera" e "La Repubblica", shkruante: "Milani doli i humbur me rezultatin 2-1, në ndeshjen e vlefshme trofeun "Taçi Oil Albania Reads", por objektivi teknik kryesor ishte vlerësimi i gjendjes fizike i të rikthyerve Inzagi, Nesta e Favali e Ronaldinjo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›