Shkelet protokolli, krerët jashtë
BLEDAR HOTI
Tre shtetarët, Topi, Topalli dhe Berisha shkelin Protokollin e Shtetit, duke ia lënë shtetin në dorë zv.kryeministrit Genc Pollo. Presidenti, kryeparlamentarja dhe kryeministri kanë lënë Shqipërinë për të kryer vizitat zyrtare. Në bazë të protokollit të shtetit, ligji zyrtar ndalon që të tre shtetarët të lëvizin njëherësh, duke sanksionuar që vizitat e tyre jashtë shtetit duhet të jenë të koordinuara, në mënyrë që asnjë prej tyre mos jetë larguar nga vendi njëherësh. Presidenti Topi, prej disa ditësh ndodhet në Itali, ndërsa kryeparlamentarja ka ndërmarrë një tur takimesh që nis nga Jordania dhe ka përfunduar në Spanjë. Ndërsa Berisha dje në mëngjes është nisur drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e partive popullore ku PD-ja është anëtare e këtij forumi. Ikja e tyre ka bërë që shteti shqiptar, të mbetet në dorë të numrit dy të qeverisë, Genc Pollo. Rasti më i fundit i avazit të përhershëm të shtetarëve shqiptarë lidhet me ikjen e tre shtetarëve në muajin gusht të këtij viti. Topi dhe Topalli po bënin pushimet e tyre jashtë Shqipërisë, ndërsa Berisha u largua drejt Kinës për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Pekin të Kinës.
Precedentët
Është hera e pestë që kryetarët e shtetit i kanë thyer rregullat e brendshme brenda një viti dhe janë larguar njëkohësisht nga Shqipëria, pa marrë parasysh se në duart e kujt po e linin shtetin dhe ata që i votëbesuan më 3 korrik të 2005-ës. Në protokollin e shtetit është specifikuar qartë që presidenti, kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit, të vënë në dijeni paraprakisht protokollin e shtetit për lëvizjet e tyre jashtë vendit dhe udhëtimet të koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë Shqipërisë. Protokolli i shtetit merret me procedurat zyrtare të organizimit të vizitave, nga përgatitja deri në përfundimin e tyre, megjithatë edhe këtë herë, ashtu si katër herët e para, Berisha, Topi dhe Topalli i kanë lënë bosh zyrat e tyre për vizitat e tyre. Në bazë të ligjit, në protokollin e shtetit është specifikuar qartë që presidenti, kryeministri dhe Kryetarja e Kuvendit, të koordinojnë udhëtimet që të mos jenë në të njëjtën kohë, por kjo gjë ka kohë që nuk po zbatohet.