Ndoka letër Berishës: Shprehu për marrëveshjen
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i ka dërguar një letër dje Kryeministrit Berisha, ku i kërkon të shprehet zyrtarisht për marrëdhëniet me PDK-në. Afro tre muaj pas largimit të Ndokës nga qeveria, kreu i demokristianëve shprehet se alibia e largimit të tij për shkak të procesit gjyqësor nuk qëndron, pasi janë mbajtur në qeveri dy zv.ministra, të cilët nuk përfaqësojnë më këtë forcë politike. “Argumenti – alibi që ju përdorët, ekzistenca e një procesi gjyqësor, mbetet fiktive përderisa ju vendosët largimin nga qeveria të kryetarit legjitim, ndërkohë që mbajtët në qeveri një zyrtar pa mandat politik, kontributi i vetëm i të cilit në qeverisjen e djathtë është ndërtimi i një pallati pa leje në qendër të Shkodrës dhe shërbimi pa kushte në fushatën mediatike denigruese kundër kryetarit legjitim demokristian, njëherësh dhe ministër i Shëndetësisë në qeverinë që ju vijoni të drejtoni”, thuhet në letër. “Ju drejtohem edhe njëherë me kërkesën që Partia Demokratike të mbajë një qëndrim publik dhe zyrtar nëse i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara në raport me PDK-në, apo nëse keni vendosur të prishni në mënyrë të njëanshme këto marrëveshje”, vijon më tej Ndoka. Letra e kreut të demokristianëve është dërguar në 6 tetor te kreu i PD-së, Berisha dhe dy nënkryetarët, Patozi e Topalli.