E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gerhard Richter: Shenjat e ngushëllimit

1. E gjithë materia, në të gjitha përmasat e shfaqjes, është dritë e ngrirë. Në qoftë se i referohemi filozofit Rudolf Steiner, atëherë të qëndruarit përballë pikturës së Gerhard Richterit mund të të zgjojë mendimin se vepra e këtij artisti është një lloj tretësire e shpirtit njerëzor që rri ngjitur në mure. Në botën tonë ne sikur nuk jemi përpjekur të gjejmë një koncept tjetër për esencat e ndryshme të shpirtit; i kemi pagëzuar poezi, muzikë, prozë,arkitekturë, dramë, film, por edhe pikturë. Vepra e Richterit është një botë jona në një kalim e sipër të cilën artisti ka provuar ta kristalizojë përmes ngjyrës në pëlhurë. Ai vetë ka thënë se në procesin e tij krijues, ai për një kohë të gjatë është përpjekur të sendërtojë një pamje për botën. Një formulë.

Përderisa brenda një sistemi arkitektural të të menduarit ne gjejmë përherë ide madhore, ideja e përkryer, fomula integruese e cila do të nyjëtonte të kundërtat me të përsosurën nuk gjendet askund; as tek Meditacionet e Descartes-it dhe as tek Kritikë e arsyes së pastër e Emanauel Kantit. Ideali i kërkuar i gjetjes së një strukture të mbyllur në vete do të ngritet në një kundërdëshmi se një sistem i përsosur, në secilën pikëpamje është i paarritshëm; edhe për artistin Gerhard Richter, i cili në shënimet e tij thotë se piktura për mua "është të krijuarit e një analogjie mbi të padepërtueshmën dhe të pakuptueshmën, analogji kjo e cila më pas merr formë dhe bëhet tendencë rrokjeje".

2. (...) Shumësia tematike e Uvresë së Richterit sikur edhe thyerja e stileve gjatë dyzet vjetëve të procesit të tij krijues nuk kanë qenë në kundërthënie me njëra tjetrën, porse mund të trajtohen si një ndërrim i pikëvështrimit perspektiv të artistit në përpjekjen e tij për të formuluar një pamje të plotë mbi realitetin.

Ai bashkë me Sigmar Polke dhe Konrad Lueg kanë themeluar në vitet e gjashtëdhjeta te shekullit të njëzet Kapitalizmin realist; një tendencë ironizimi ndaj doktrinës së realsocializmit dhe njëkohësisht një sprovë reflektimi kritik përballë shoqërisë konsumuese (Konsumgesellschaft) në Perëndim.

3. Mjeshtërinë e artit Richter e mëson në dy shkolla arti, në të dy rrymat rivale ideologjike të kohës. Ai është qytetar i të tri Gjermanive. I lindur në shkurt të vitit 1932 në një paralagje të Dresdenit, ai ka diplomuar në akademinë e arteve në këtë metropol të kulturës botërore me temë “Muralet”. Me kalimin e tij në Republikën Federale ai fillon prapë studimet në Akademinë e Arteve në Duesseldorf duke i ndërprerë ato në semestrin e fundit; qëllimi i tij për të ndjekur studimet kishte qenë krijimi i lidhjeve të tij personale dhe etablimi në skenën a arteve.

Më 1959, Richter si qytetar i DDR (Republikës Demokratike të Gjermanisë), viziton Documenta II. Ai ndjen të fascinohet papërshkrueshëm nga kontakti i tij i parë me veprën e Jacson Pollock-ut, me kompozicionin Number 32. "Unë e them pa ngurruar se ishin këto piktura që mua më shtynë përfundimisht të marr vendim për t'u larguar nga Republika Demokratike. Unë në Dokumenta dëftova se diçka nga mendësia ime dhe nga mendësia e sistemit në të cilin jetoja kishin një shpërputhje të thellë".

Paraqitja e tij zyrtare në skenën e arteve zë fill më 1962 me veprën "Tryeza". Njëzet e katër vjet më pas, kjo vepër që mban shënimin Numer 1, në një ankand mbërrin shifrën e çmimit prej 860.000 DM.

4. Përkundër prezencës së punimeve të Richterit në ekspozita, koleksione, muze, në tregun botëror të artit, ai për shumëkënd, për një kohë të gjatë ka qenë një "enigmë". Kështu e ka karakterizuar artistin edhe New York Times mbas hapjes së ekspozitës retrospektivë të Museum of Modern Art me rastin e shtatëdhjetëvjetorit të lindjes së artistit në shkurt 2002.

Pesha e tij në kontekstin historiografik të studimve mbi artet e bukura dëshmohet veçanërisht me faktin se Richter me veprën e tij ia ka dalë të formulojë mundësitë e të shpaluarit estetik përmes të pikturuarit edhe mbas parashikimeve nihliste të përsëritura aq dendur në vitet e gjashtëdhjeta se "piktura si medium estetik ka mbërri fundin e vet". Pyetjes se çfarë vlen të pikturohet, Richter kishte provuar t'i shmanget duke theksuar se ai bën një përzgjedhje intuitive të temave dhe motiveve. Kualiteti estetik ka qenë gjithnjë kriteri qendror i përzgjedhjes.
Në fillim të periudhës krijuese ai ishte ndikuar nga Max Libermann , Lovis Corinth
e Paul Gaugin; por edhe nga bashkëkohësit Marino Marini, Rento Guttuso dhe posaçërisht nga Pablo Picasso.

Thyerja e stilit si princip stilistik

5. Kritikët e kanë quajtur princip i stilit të Richterit faktin se ai permanent ka ndërruar stilin. Në të vërtetë kjo sintagmë ka zënë këmbë si një detaj i parëndëssihëm në korpusin e interpretimeve të mëvonshme. Kritika serioze ka qenë e një mendimi se veprën e Richterit e përshkon një kontinuitet i parëndomtë në njësinë konceptuale, koncept ky i pangatërrueshëm me një tjetër; edhe kur ai pikturon simbas materialeve që kanë të bëjnë me fotografinë, pikturimin e tabelave gjeometrike (Farbtafeln), pikturat gri, pikturave abstrakte, portret, akte, grupime njerëzish, skena, momente me nje mbrapavijë në kontekstin historik të dimensioneve të tij familjare, veprën e G. Richterit e përshkon filli i përbashkët i një koncepti të ndjekur me konsekuencë si një opcion me prirje të nduarnduarta.

I mbështetur mbi të njëjtin koncept Richter ka pikturuar valltaren, Mao Ce Dungun, gruan e vet lakuriq duke zbritur shkallët, retë në qiell, mbretëreshën Elizabeth, ujëvarën e Niagaras, aeroplan nga Lufta e Dytë në hedhje bombash, pamje metropolesh të fotografuara nga satelitët, ka pikturuar akte, pamje te figurave tragjike, të vrarë e të vetëvrarë, ka pikturuar portrete personalitetesh nga njëqind e pesëdhjetë vjetët e kaluar siç është cikli 48 Portrete në teknikë bardhezi , me të cilin Richter ka qenë përfaqësues i Republikës Federale në Biennalen e 36-tëVenedikut, ka pikturuar Alpet, vazo lulesh, dyer, letër tualeti, dritare, perde... dhe qirinjtë e ndezur. Vepra e tij "Qirinjtë", e vitit 1983, në ankandin e shtëpisë auksionare Sothbey më 2008 ka mbërri shumën prej 10 milionë eurosh; çmimi më i lartë deri më tani për një vepër të një piktori të gjallë.

6. (...) Përveç punimeve simbas materialeve të fotografuara që paraqesin një grup brenda veprës së plotë, mandej pikturave gri, tabelave gjeometrike, një grup të veçantë të punimeve përbën piktura abstrakte. Ato dominojnë Uvrenë e tij. Ai vë në pikëpyetje të gjitha kualitetet pararendëse të pikturës abstrakte. Krijon një anti-ekspresionizëm. Aty mungon të konstruktuarit hierarkik dhe kundruesi nuk ia del t’i deshifrojë as domethëniet dhe as precedeun e të rrëfyerit të autorit. Pikturat abstrakte të formatit të madh 200x300 cm e me variacione të ndryshme, të filluara në vitin 1976 shtrihen në një hark kohor prej njëzet e pesë vjetësh.

"Temën e të pikturuarit në të përhimten unë as nuk munda, po as nuk dëshiroja ta varioja më tutje. Unë fillova të ndërmarr një veprim të kundërt. Ngrisja skica me ngjyrime intenzive; ishin pa dashje, pa logjikë, pa rend, kishin diçka sentimentale, kishin një anakronizëm asociativ, përmbanin njëfarë domethënie, ishin gati sikur pseudopsikograme të pakuptim. Në këtë mënyrë mua m'u shfaq një ndjesi fascinimi të cilin ato momente nuk dija si ta përpunoja. Më ngjante sikur kisha hapë një portë të panjohur". Richter i fotografon ato punime që ai i quan "skica të buta". I rimerr fragmentet e fotografuara dhe ato fotografi të pikturave i kthen në piktura. I tillë është triptikoni monumental Faust i vitit 1980. Richter ka reprodukuar, projeksionuar, rekonstruktuar. "Unë përpiqem të kuptoj atë që është. Ne dimë shumë pak dhe unë provoj të krijoj analogji", thotë Richter dhe vazhdon se " të pikturuarit krijohet përmbi shumësinë e po-dhe jo-vendimeve me një po-vendim në fund".

7. Në tërësinë e veprës së plotë të G. Richter është Cikli i pikturave 18. Oktober 1977.

Ky cikël markon një kapitull te veçantë në procesin e tij krijues. Është një Prerje. Një prerje dhe një ndërprerje. Megjithatë, mbas të gjitha pikëvështrimeve nga të gjitha perspektivat e mundshme, ky kapitull është pjesë esenciale e madje zë vend qendror brenda veprës së plotë të artistit. Në periudhën kohore prej shkurtit deri në nëntor të vitit 1988, Gerhard Richter ka punuar 15 piktura, të cilave ua ka vënë titullin 18. Tetor 1977. Asnjë vepër e arteve të bukura në shekullin e njëzet nuk ka qenë objekt interesimi dhe diskutimi kundërthënës nga ana e kritikës dhe opinionit gjerman. Deri më tani janë botuar pesë monografi për ciklin me pesëmbëdhjetë piktura. Të titulluarit lakonik tërheq vëmendjen në ngjarjet e para njëmbëdhjetë vjetëve, në atë që ishte quajtur Vjeshta Gjermane. Konflikti në mes të RAF ( Rote Arme Fraktion) dhe institucioneve shtetërore kishte eskaluar në trajtën më tragjike.

Artisti Gerhard Richter kohë të gjatë me këmbëngulje i ishte shmangur çdo pozicionimi politik. Ai më 1988 paraqitej para publikut me një temë nga më të ndjeshmet në historinë e Republikës Federale. Shpirtërat ishin ndarë në dy grupime. Në njërën anë gjykohej kjo vepër si e parakohshme dhe e padenjë, madje edhe nga vetë piktori me renome Georg Baselitz, ndërkaq që Jean Christof Ammannn shkruante se " G. Richter ka krijuar një vepër të cilën askush përveç tij nuk do të ishte në gjendje ta ngriste. Ajo është pjesë e procesit të tij krijues. Ana e hidhtë e së vërtetës ndërkaq është se këto piktura janë krijuar në një kohë kur arti është duke kërkuar legjitimitetin e vet në shoqëri".

Më 1995 cikli 18.Tetor 1977 vihet në pronë të Museum of Modern Art ne New York për tre milion dollarë amerikanë. Artisti Richter kishte thënë se aktualiteti historik që mund të lexohej nga pikturat nuk e kishte intersuar fare. Kaherë artisti kishte ndjekur moton: "Pikturat që përmbajnë një kuptim dhe janë të zbërthyeshme, janë piktura të dobëta. Një pikturë paraqet të padepërtueshmen, të palogjikshmen, të paarsyeshmen. Një pikturë e mirë demonstron pafundësinë e aspekteve, ajo është në gjendje të na e heqë sigurinë tonë, të na e këputë mundësinë e mendimit dhe emërimit të diçkafit".

8. Në hapje të Retrospektivës me rastin e shtatëdhjetëvjetorit të lindjes së artistit Gerhard Richter, drejtori i Museum of Modern Art (MoMA) në New York kishte përkujtuar se kjo Retrospektivë vinte si një shenjë e traditës së Museumit, traditë kjo që së fundi i ishte përkushtuar Pablo Picassos më 1980 dhe Henri Matisse më 1992.

Ky është një projekt që mbyll një epokë dhe shënjon fillimin e një epoke tjetër në shekullin e njëzet e një.

9. Gerhard Richter, bashkë me artistët Josef Beuys, Georg Baselitz, Anselm Kiefer, Sigmar Polke, kanë ngritur artin gjerman në majat e skenës ndërkombëtare. Atje ku arti gjerman së fundi herë kishte zënë vend me emrin e Albrecht Duerer, Hans Holbein i Riu dhe Adam Elsheimer.

10. "Unë përpiqem të kuptoj atë që është. Unë nuk mundem të shpjegoj se për ç'arsye vërtet pikturoj. Çfarë më fascinon aq shumë. Ç'domethënie ka tek unë objektivja. Ti nuk ke dëshirë të bëhesh objekt i kritikës. Kritikët nganjëherë nuk lidhen në fakte dhe flasin pasaktësi. Po e zë, ata thonë se unë jam pedant (secili grafist është më pedant se unë), mandej thonë se unë kam mësuar të pikturuarit në Gjermaninë Lindore (atje unë krijova një mendim mbi të pikturuarit) se vallë, ku po na u mësuaka dikund në botë të pikturuarit."

11. Artisti thotë se përkundër pamundësisë për të kuptuar aspekte të së bukurës dhe të së vërtetës, vetë fakti se ne kemi mundësinë të jemi pjesëmarrës në "diçka që është përmbi mundësitë tona është një shenjë jona ngushëllimi".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›