E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suela Piciri

Dirigjenti Edmond Doko, violinistja Suela Piciri dhe violonçelisti Astrit Selita së bashku mbrëmjen e 15 janarit kanë interpretuar në një koncert në Greqi, shoqëruar nga Orkestra Simfonike Shtetërore Greke. Pas përfundimit të koncertit, mes duartrokitjesh e vlerësimesh artistëve nuk u kanë munguar ftesat për një bashkëpunim të ardhshëm

Një violinë e parë në Greqi
Violinë e parë në Orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Suela Piciri pak ditë më parë, së bashku me dirigjentin Edmond Doko dhe violonçelistin Astrit Selita, kanë çelur sezonin e ri për vitin 2101 të Orkestrës Simfonike Shtetërore Greke, ku janë shoqëruar pikërisht nga kjo orkestër. Nën notat e Mendelsson, Faure, Sain-Saens dhe Webber, ata kanë përcjellë më të mirën prej vetes jo vetëm para publikut dhe artistëve grekë, por edhe para instrumentistëve shqiptarë që janë pjesë e përhershme e kësaj orkestre. “Fillimisht në momentin që u futëm është zakon që artistët e huaj të duartrokiten, por unë dashamirësinë më të madhe karshi nesh e ndjeva pasi mbaruam provën e parë”, thotë violinistja shqiptare, aktiviteti i së cilës i kalon kufijtë e Shqipërisë.
Prej pak ditësh jeni kthyer nga Greqia, ku së bashku me dirigjentin Edmond Doko dhe violonçelistin Astrit Selita ishit pjesë e një koncerti të ftuar prej Orkestrës Simfonike Shtetërore Greke.
Po. Më 15 janarin që lamë pas ne ishim në Greqi, ku si instrumentistë të parë interpretuam së bashku me Orkestrën Simfonike Shtetërore Greke nën drejtimin e dirigjentit shqiptar Edmond Doko. Programi i koncertit u hap me uverturën e F. Mendelsson, G. Faure, C. Sain-Saens “Muza dhe poeti” një vepër për violinë violonçel dhe orkestër dhe pjesa e dytë me C. M. V. Weber.
Qëlloi që me këtë program u çel edhe sezoni i ri i kësaj orkestre për vitin 2010. Ishte e rëndësishme kjo për ju?
Me këtë program u çel edhe sezoni për vitin 2010, i Orkestrës Shtetërore Greke, gjë e cila për ne ishte jo vetëm mjaft pozitive, por unë do ta konsideroja edhe si një vlerësim për ne si instrumentistë që vinim nga Shqipëria. Them se fillimet e një sezoni janë shumë të rëndësishme, atyre u jepet mjaft rëndësi, prandaj edhe e konsiderojmë veten me fat.
Shfaqja përballë një orkestre kaq të rëndësishme ishte emocionuese për ju?
Natyrisht që emocionet janë të mëdha, por edhe përgjegjësitë gjithashtu. Duke qenë soliste e parë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, fakti që shkoj pranë një tjetër orkestre profesioniste, tek e cila prezantohem për herë të parë, më bën që të jap maksimumin jo vetëm për veten dhe karrierën time, por edhe për vendin që përfaqësoj, pra Shqipërinë.
Si u pritët ju, tre artistë që vinit nga Shqipëria, prej instrumentistëve të Orkestrës Simfonike Shtetërore Greke?
Fillimisht më duhet të shtoj se pjesë e Orkestrës Shtetërore Greke janë edhe shumë instrumentistë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi. Sakaq më duhet të them se reagimi i tyre ishte i menjëhershëm, qysh pas provës së parë. Pasi përfunduam ekzekutimin pati duartrokitje dhe unë personalisht ndjeva një lloj dashamirësie. Gjithnjë pas provave ka një pushim të shkurtër dhe gjatë kësaj kohe m’u dha mundësia të merrja vlerësimet dhe mendimet e muzikantëve grekë. Prova e parë është gjithmonë shumë e rëndësishme, sepse përveç një prezantimi që ne bëjmë si artistë, përshtypja e parë që lë është kryesorja. Nëse ajo është pozitive, atëherë ndien një lloj stimuli e kuraje dhe të shtyn të vazhdosh të japësh më tej, më të mirën nga vetja. Fillimisht në momentin që u futëm është zakon që artistët e huaj të duartrokiten, por unë dashamirësinë më të madhe karshi nesh e ndieva pasi mbaruam provën e parë. Në provat në vazhdim predispozita e artistëve ishte në maksimum për të realizuar ato që ne kërkonim të arrinim. Orkestra Simfonike Shtetërore Greke përbëhet nga muzikantë dhe solistë që janë të njohur jo vetëm në Greqi, por edhe në vendet më prestigjioze europiane dhe në të gjithë botën. është një orkestër, e cila ka qenë e përzgjedhur si pjesë e orkestrës botërore në Lojërat Olimpike të Pekinit. Mund të shtoj edhe se, përveç mbështetjes së publikut grek, ne kishim një mbështetje shumë të madhe prej artistëve shqiptarë. Ata më shumë se të gjithë prisnin që niveli ynë profesional të tregonte atë çka ne vërtetë jemi. Në Shqipëri ka shumë talente, të cilët me kalimin e kohës dhe kur u jepet mundësia të ballafaqohen me një publik të huaj marrin vlerësime qoftë edhe ftesa të mundshme për një bashkëpunim të ardhshëm, gjë e cila të shtyn drejt kërkesës për sukses dhe rritjes së mëtejshme profesionale.
Përmende se nëse reagimet janë pozitive, atëherë ndodh që të keni ftesa për bashkëpunime të mëtejshme. Ju patët ndonjë ofertë të kësaj natyre?
Pas përfundimit të koncertit na propozuan që së shpejti mund të kemi ftesa të tjera si solistë. Nuk mund të flasim konkretisht, por kemi në plane një projekt për violinë e orkestër. Ndoshta do të ketë një plan për koncert me pjesë të Glazunovit, por ende asgjë nuk është saktësuar.
Suela, si u përfshitë dhe u bëtë pjesë e trios që interpretoi së bashku me orkestrën greke?
Ftesa më është bërë nga dirigjenti Edmond Doko, të cilit kur iu dha mundësia për këtë koncert zgjodhi solistët që mendoi se mund ta përfaqësonin më denjësisht në një koncert të kësaj rëndësie, ndaj unë e falënderoj për besimin për mundësinë që më krijoi dhe për çdo bashkëpunim tjetër.
Para këtij aktiviteti të rëndësishëm në Greqi, me çfarë ishit angazhuar?
Unë vija pas një turneu njëmujor në Itali, ku jam pjesëmarrëse në Orkestrën Regionale Filarmonia Veneta. Aty u zgjodha koncertmaestër (violinë e parë). Kjo orkestër ka një aktivitet të përditshëm koncertal. Por ja që koncertin në Greqi e prisja me një lloj kënaqësie ndryshe, sepse pozicioni si soliste është tjetër gjë dhe ndryshe është të jesh violinë e parë në orkestër, siç isha në rastin e Greqisë. Pa dashur të jem modeste mund të them se kur je në vend të huaj doza e suksesit që mund të marrësh është e shumëfishuar dhe ndjen një lloj krenarie të madhe kur arrin të përfaqësosh atë që unë vërtet mundem të jap, maksimumin tim.
Suela, ju jeni një violiniste që keni interpretuar në disa vende të huaja. A është e vështirë për një instrumentist shqiptar të mund të integrohet edhe përtej kufijve?
Faktet e kanë treguar që instrumentistët shqiptarë kanë arritur të jenë pjesë e orkestrave më prestigjioze në botë. Unë jam akoma këtu, pjesë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, pjesë e Shqipërisë, sepse më pëlqen të jap atë çka mundem për vendin tim dhe ta përcjell kur më jepet mundësia në vendet e huaja, europiane kryesisht. Nuk dua të jem shumë nacionaliste, por për një artist është mjaft e rëndësishme që kudo që të shkojë, të paraqesë vendin e vet dhe më të mirën e tij.
Së fundmi Suela, cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Përveç audicioneve të shumta që do të bëj në orkestra të tjera në Itali, konkretisht në muajin mars do të luaj si soliste me Orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar. Pas kësaj, në muajin prill do të interpretoj sërish si soliste me Orkestrën Feminile të Kiew në Itali dhe si soliste me orkestrën me të cilën marr pjesë aktualisht, Regionale Filarmonia Veneta.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›