Hetimet e T(m)errit

Ministria e Sportit e Shqipërisë, e udhëhequr nga ministri Ferdinand Xhaferi, të enjten e ka zyrtarizuar shkarkimin nga posti i drejtorit të stadiumit ‘Qemal Stafa’, Perikli Dhales.
Ai është shkarkuar nga detyra pas skandalit që ndodhi në ndeshjen e së mërkurës ndërmjet Gramozit dhe Real Madridit (1:2), e vlefshme për edicionin e tretë të trofeut ‘Taçi Oil’, derisa mediat shqiptare kanë treguar se një grup Task Force e Prokurorisë së Tiranës po vazhdon intensivisht hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Në atë takim, përkatësisht kur filloi pjesa e dytë e ndeshjes, ngjau e pazakonshmja: energjia elektrike u ndërpre në stadium, me ç’rast publiku dhe ekipi mbretëror është dashur të pres një orë e gjysmë për ta nisur pjesën e dytë të duelit.
Sipas mediave shqiptare, Ministria e Sportit vendimin për shkarkimin e Dhales nga posti i Drejtorit të ‘Qemal Stafës’ e ka marr pas mbledhjes së Këshillit mbikëqyrës të stadiumit. Ky këshill e ka shkarkuar Dhalesin nga detyra me arsyetimin se ai nuk ka marr masa për mbarëvajtjen e ndeshjes Gramozi – Real Madrid, në bazë të rregullave të FIFA-s dhe UEFA-s, shërbime ato të cilat kanë mundur të siguroheshin nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së rrymës (OSSH).
Mediat shqiptare kanë vënë re se nuk ka qenë asnjë linjë tjetër rezervë dhe asnjë gjenerator në stadium, edhe pse sipas rregullores për zhvillimin e ndeshjeve të tilla, duhet të jenë tri linja rezervë për ndriçim, përfshirë këtu edhe gjeneratorin i cili duhet te jetë në gjendje gatishmërie për emergjenca.
Ndërkohë, mediat shqiptare kanë njoftuar se janë angazhuar si asnjëherë më parë strukturat e rendit dhe të prokurorisë për hetimin e këtij rasti, për të cilin ende nuk dihet saktësisht se si ka ardhur deri tek ndërprerja e energjisë elektrike në stadium.
Policia e Tiranës ka njoftuar se një grup hetimor po e heton skandalin e ndërprerjes së energjisë elektrike në ‘Qemal Stafa’. Sipas policisë shqiptare, dyshohet se problemet me korrupsionin kanë sjellë edhe eksesin, andaj ky organ ka konfirmuar se i gjithë dokumentacioni është sekuestruar dhe po hetohet nga seksioni kundër korrupsion.
Televizioni Top Channel ka raportuar se nga e mërkura e deri të enjten në mesditë kabina elektrike është kontrolluar imtësisht. Por, burimet e këtij mediumi pranë prokurorisë kanë bërë të ditur se konkluzioni i hetimeve do të jetë ai i defektit për shkak të djegies se transformatorit, si pasojë e mbingarkesës, dhe se nuk pritet të ketë të akuzuar konkretë.
Kurse, punonjësit e Korporatës Energjetike të Shqipërisë (KESH) kanë thënë se ka qenë një mi, ai që e ka shkaktuar eksesin në ‘Qemal Stafa’.
Ndërsa, Ministria e Energjetikës e Shqipërisë nëpërmjet një komunikate ka theksuar se defekti ka ndodhur në rrjetin e brendshëm të stadiumit, dhe ka potencuar se është e pafalshme mungesa e një gjeneratori në stadium. Nëpërmjet kësaj deklarate, Ministria e Energjetikës fajet ia ka hedhur drejtorisë së stadiumit.
Ndërkohë, kompania që e ka organizuar ndeshjen, ‘Taçi Oil’ për skandalin e ndodhur e ka fajësuar OSSH-në dhe drejtorinë e stadiumit, për të cilat palë, ‘Taçi Oil’ thotë se nuk e kanë respektuar kontratën.
Menjëherë pas eksesit në stadium, autoritetet në Tiranë kanë thënë se 25 persona janë shoqëruar në polici, ku janë marr në pyetje. Në mesin e tyre ishin anëtarë të stafit të mirëmbajtjes së stadiumit, por edhe punonjës të OSSH-së.
Rreth këtij rasti ka reaguar edhe institucionet politike të Shqipërisë. Opozita shqiptare, përkatësisht Partia Socialiste e Edi Ramës fajet për ndërprerjen e energjisë elektrike në stadium ia ka hedhur Qeverisë së Shqipërisë, që udhëhiqet nga kryeministri, Sali Berisha.
Anëtari i PS-së, Eduart Shalesi ka thënë se Sali Berisha po i sjell fatkeqësi vendit dhe po i ul kuotat e shqiptarëve para mediave botërore.
Mediat e huaja për terrin në ‘Qemal Stafa’
Fikja e reflektorëve në stadiumin “Qemal Stafa” në ndeshjen miqësore Gramozi – Real Madrid ka qenë pjesë e lajmeve jo vetëm në mediat prestigjioze spanjolle, por edhe në ato të shteteve tjera.
E përditshmja spanjolle ‘Marca’, gazetë kjo e afërt me klubin e Madridit, artikullin e botuar rreth fikjes së reflektorëve në stadiumin shqiptar, dhe fitores së Real Madridit ndaj Gramozit me rezultat 1:2, e ka titulluar kështu: ‘Kaka e Benzema ishin drita në Shqipëri’.
Në këtë artikull është shpjeguar se reflektorët e stadiumit janë fikur ne fillimin e pjesës së dytë të ndeshjes, derisa futbollistët e klubit mbretëror kanë pritur më shumë se një orë e gjysmë për ta zhvilluar edhe pjesën e dytë ndaj klubit shqiptar.
Ndërsa, rreth ngjarjes së pazakontë që ndodhi në Tiranë gazeta tjetër spanjolle ‘AS’ ka shkruar se vizita e madrilenëve në Shqipëri filloi në mënyrën më të mirë, por përfundoi në terr. Kjo gazetë, Kakan dhe Benzeman – dy golashënuesit e Realit – i ka quajtur qirinj të cilët sadopak ndriçuan terrin në Shqipëri.
Kurse, britanikja ‘The Indipendent’ ka shkruar: “Kur u transferuan në verën e kaluar në Madrid, Cristiano Ronaldo nuk e ka paramenduar se në një mbrëmje në Tiranë do të pret më shumë se 90 minuta për ta filluar një ndeshje për shkak të problemeve me rrymë”.
Edhe e përditshmja italiane ‘La Republica’ e ka komentuar këtë lajm duke shkruar se Reali fitoi në Shqipëri pas 90 minutave që mbeti në terr.