E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy promovime për Kujtimet e Ismail Qemalit

Botimi
Historianët do të referojnë në Tiranë e Vlorë

I botuar në ditët e fundit të 2009-ës, libri “Kujtime” i Ismail Qemalit do të njohë dy promovime. Shtëpia botuese “Toena” do ta prezantojë së pari në Tiranë, në një takim që mbahet sot, ora 11:30, në Muzeun Historik Kombëtar, ndërsa të dielën do të organizohet një tjetër takim në Vlorë. Në teatrin “Petro Marko”, historianë të ftuar për të referuar, përmes këtij botimi do të ndalen në figurën e Ismail Qemalit. “Kujtime” i Ismail Qemalit, vjen në shqip përkthyer nga origjinali anglisht prej Abdurrahim Myftiut. Ky libër u botua në Londër më 1920, një vit pas vdekjes së tij. “Duke vënë përpara ‘Kujtimeve’ të Ismail Qemalit, si punë ‘Hyrjeje’, dy fjalë jo aq të domosdoshme, por me shpresë timen jo krejt të padobishme, nuk po bëj tjetër veçse po mbaj një premtim të dhënë gjatë atyre muajve, që i kaluam së bashku në Paris më 1917 dhe 1918. Pa dyshim, qe mjaft e natyrshme që Ismail Qemal Beu të jepte shkas njëfarësoj për një gjë të tillë. Libri i tij, sigurisht, nuk do të ishte shkruar pa këmbënguljen time të fuqishme. Hartimi i këtij libri qe punë me mund e lodhje të madhe. Gjatë kësaj pune, Ismail Qemal Beun e trazuan si disa probleme vetjake të rënda, shpesh sfilitëse në shpirt, ashtu edhe preokupimet atdhetare e intrigat që luheshin për të ardhmen e mëmëdheut të tij, Shqipërisë. Këto ‘Kujtime’ janë madje diçka më tepër se vrojtime të një zotnie shqiptar e plaku shumë të urtë. Ato japin një pasqyrë tepër vetjake, jashtëzakonisht objektive, të botës osmane, e cila, sado parahistorike të jetë bërë në dukje, si pasojë e luftës, nuk është aq e largët sa të mos na flasë me këshilla lloj-lloji për kohën tonë e për të ardhshmen e afërt. Periudha në të cilën Ismail Qemal Beu luajti rolin kryesor e me interes në jetën dhe punën e përshkruar në këtë libër, është ajo e kohëve të hershme kur lulëzonte ‘diplomacia e fshehtë’, e cila më vonë është parë me përçmim si e padenjë”, shkruan William Morton Fullerton në parathënien e botimit të vitit 1920.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›