Geri Çipi: Nuk e kemi humbur besimin te ky Flamurtar
Shefi i klubit vlonjat beson se edhe sulmi do të zhbllokohet, pse jo, nga ndeshja me Kastriotin, edhe pse është një përballje jo e lehtë
E ka ndjekur nga afër dhe nuk ka munguar që të jetë në stadiumim edhe në ndeshjen e radhës përballë Teutës, ndërsa pas takimit të humbur në Durrës, shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, ka dalë i zhgënjyer vetëm nga rezultati i arritur dhe jo nga loja. Për ndeshjen në Durrës vijohet të flitet në Vlorë dhe natyrisht pranohet se humbja ishte i vetëm rezultati që nuk mendohej.
Çipi ka pohuar faktin se gjithsesi ka ende mjaft rrugë përpara dhe natyrisht ato pikë të lëna në Durrës mund të rikuperohen nga vlonjatët në ndeshjet në vijim, duke nisur pa dyshim nga takimi që do të luhet këtë javë në kampionat ndaj Kastriotit. Kemi parë një ndeshje të bukur në Durrës. Ekipi është paraqitur mjaft mnirë në fushën e lojës. Nëse do të ishim më të saktë apo më të qetë përpara portës, sot flisnim për një rezultat ndryshe.
Gjithsesi, nuk kemi çtë bëjmë dhe duhet të mendojmë për sfidën e radhës. Kampionati është shumë i gjatë dhe tashmë gjithçka vjen e vështirësohet edhe më shumë. Megjithatë, duhet thënë se Flamurtari e ka brumin për të vijuar i qetë në këtë sezon dhe për të zhvilluar një kampionat të bukur dhe cilësor. Sot flasim për ndeshjen ndaj Teutës, por unë mendoj se duhet të jemi në vëmendje të ndeshjes së radhës, pa harruar aspak edhe Kupën e Shqipërisë, ku do të luajmë në këtë kompeticion ndeshjen e parë të sezonit, ka theksuar shefi i klubit vlonjat.
Besimi Në këto momente kampionati mbetet vëmendja kryesore, pasi jemi vetëm në javën e tretë dhe duhet të mendojmë për të arritur fitoren përballë një ekipi cilësor, siç është këtë sezon Kastrioti. Stafi teknik është duke zhvilluar punën e vet dhe pa dyshim janë këta të fundit që i dinë më mirë gjërat në brendësi të ekipit, ne mund të flasim për atë se çfarë pamë në fushën e lojës.
Të gjithë jemi të bindur se sulmi duhet të tregohet më i saktë përpara portës dhe të shfrytëzojë rastet që i paraqiten në një ndeshje, pasi nëse nuk realizon, ndëshkohesh. Kjo u duk qartë edhe ndaj Teutës dhe besoj se kjo do të ndryshojë për ndeshjet në vijim. Asnjëherë nuk e kemi humbur besimin te ky ekip dhe një humbje e ardhur në një mënyrë të tillë, nuk ndryshon asgjë.
Ndeshja e radhës përballë Kastriotit në kampionat është ndoshta momenti më i mirë që edhe lojtarët e sulmit të çlirohen dhe të dalin te goli. Besoj se kjo ka për të ndodhur shumë shpejt, – përfundon shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, që duket në fjalët e tij nuk e quan të merituar humbjen në Durrës, por nga ana tjetër pranon që sulmi i Flamurtarit do të dalë te goli.
Lutaj qëndron në Vlorë, në kupë me stolin
Sokol Branica dhe Bujar Gogunja do të drejtojnë ekipin sot në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë përballë Bilisht Sportit në Bilisht, ndërsa Lutaj do të qëndrojë në Vlorë për të vijuar stërvitjen me pjesën tjetër të ekipit që nuk ka udhëtuar drejt Bilishtit.
Lojtarët që nisën si titullarë ndeshjen në Durrës nuk kanë udhëtuar në drejtim të Bilishtit për ndeshjen e parë të kupës, ndërsa kanë qenë të gjithë nën urdhrat e trajnerit Lutaj në stërvitjen e radhës. Me ekipin nuk ka udhëtuar as sulmuesi serb Mlladen Brkiç, pavarësisht se nuk është aktivizuar në ndeshjen e fundit në Durrës. Duket se Lutaj kërkon të marrë maksimumin nga futbollisti serb në ndeshjen e radhës në kampionat përballë Kastriotit.
Ndërkohë, konfirmohet se sulmi në ndeshjen e kupës do të përbëhet nga dyshja Draganov-Shehaj. Bullgari ka luajtur vetëm pak minuta në ndeshjen ndaj Teutës, ndërsa Shehaj nuk është aktivizuar asnjë minutë në Durrës. Ndërkohë, në formacion sot do të gjejnë vend lojtarë si Brahja, Beqiri apo edhe portieri Spaho, si dhe shkodrani Shtubina.
Vlonjatët nuk i pengon as moti i keq
Moti i keq nuk e ka penguar vijimin e seancave stërvitore. Lutaj ka preferuar të vijojë më të njëjtin ritëm përgatitjet me ekipin e tij. Stërvitja është zhvilluar në ambientet e fushës së re të ngritur pranë Pyllit të Sodës në Vlorë, një fushë që përdoret kryesisht nga ekipet e moshave për zhvillimin e ndeshjeve të tyre dhe që është me bar sintetik.
Drejtuesit: Kujdes me kartonët e verdhë
Katër kartonë të verdhë për lojtarët e Flamurtarit në vetëm dy javë kampionat. Ndëshkimet që kanë marrë futbollistët vlonjatë në këto dy ndeshje duket se kanë sjellë shqetësim te drejtuesit dhe stafi teknik i Flamurtarit.
Kartonët e verdhë shtojnë rrezikun që futbollistë të veçantë të mungojnë në sfidat e ardhshme për Flamurtarin, kur dihet se në program në dy javët në vijim janë dy sfida të rëndësishme, si ajo ndaj Kastriotit fillimisht dhe ndaj Tiranës më pas në javën e katërt. Drejtuesit kanë tërhequr vëmendjen që të mos merren kartonë kot, sidomos në lidhje me gjeste antisportive që kanë lidhje me lojën.
