Vrapi: Skënderbeu nuk është në krizë, do ta shihni
Mbrojtësi Endri Vrapi thotë se skuadra është nën tension, por kampionati është i gjatë dhe kthesa do të vijë shpejt
Është e vërtetë që në dy ndeshjet e para të kësaj superlige kemi arritur të grumbullojmë vetëm dy pikë, por kjo nuk do të thotë aspak që ne jemi në krizë dhe çuditem pse është dhënë gjithë ky alarm, sepse janë luajtur vetëm 180 minuta. Edhe me skuadrat e mëdha ndodh që në dy ndeshjet e startit të mos merren ato rezultate që priten, por mos harroni se kampionati është tepër i gjatë dhe sapo kemi filluar.
Thjesht do të theksoja që Skënderbeu nuk është në krizë dhe ajo që ka ndikuar është se kemi qenë nën tension dhe nuk kemi marrë atë që pritej në fushën e lojës. Me këto fjalë e ka nisur prononcimin e tij të djeshëm nga Durrësi mbrojtësi Endri Vrapi.
Pavarësisht dy barazimeve, në kampin korçar të gjithë kanë besim se kthesa do të jetë e menjëhershme dhe dy pikë janë thjesht një rastësi. Ka qenë presidenti Agim Zeqo ai që ka theksuar se është i bindur që futbollistët e tij s’kanë ardhur në Korçë vetëm për të marrë rroga dhe këtë mendim e ka mbështetur edhe Vrapi.
Presioni Kur kemi firmosur kontratat me Skënderbeun, nuk kemi pasur parasysh që të marrim thjesht rrogat, por në kontratë kemi firmosur edhe për pikat e tjera, që objektivi duhet arritur dhe ai është fitimi i titullit kampion dhe Kupa e Shqipërisë. Në përbërje të Skënderbeut janë të gjithë futbollistë profesionistë dhe ne premtojmë se do të dalim shpejt nga kjo krizë, që cilësohet kështu nga njerëz që nuk e duan Skënderbeun, dhe kjo kthesë do të vijë që në ndeshjen e radhës.
Brenda në skuadër nuk kemi aspak probleme dhe thjesht nuk po finalizojmë në fushë. Kjo ka sjellë edhe tensionin në fushë, por është i përkohshëm. Jam pro opinionit sportiv që për Skënderbeun është vetëm fillimi dhe ndodh që një skuadër kampione të mos japë më të mirën vetëm në dy javët e para, ndërkohë që jam kundër të gjitha opinioneve të tjera që flasin dhe duan ta shikojnë skuadrën tonë në këtë gjendje. Kjo s’ka për tu përsëritur më dhe këtë do ta shikoni, – ka vijuar më tej Vrapi.
Është i vërtetë fakti që skuadra po vuan finalizimin, pasi për sa i përket prapavijës, skuadra deri tani nuk ka pësuar asnjë gol. Sipas Endri Vrapit, Skënderbeu do të dalë nga kjo gjendje në ndeshjen e së shtunës me Shkumbinin, teksa në fund shprehet: Duke filluar qysh nesër (sot) për kupë, unë kam mendimin se skuadra do të çlirohet me golat që do të shënojë dhe kjo do të na japë më shumë besim në vijën e parë dhe do të jetë një parapërgatitje për ndeshjen e së shtunës.
Na mjafton vetëm një gol për të thënë se do të jemi sërish pretendentët kryesorë. Skënderbeu edhe këtë sezon nuk ka për ta lëshuar titullin dhe një fitore këtë fundjavë do të thotë që ne të afrohemi sërish me kreun dhe më pas në javët e mëtejshme do të kërkojmë që të komandojmë të vetëm superligën. Nuk është koha për të qarë dy ndeshjet e para, por me mbështetjen e të gjithëve premtoj se kthesa do të vijë.
