Butrinti, hapësirë rezervave ndaj Vllaznisë
Skuadra sarandiote, pas dy rezultateve pozitive në kampionat (fitore me Kukësin dhe barazim me Mamurrasin), do ta testojë sot veten përballë një kundërshtari nga superliga. Dhe nuk është një kundërshtar dosido, por Vllaznia e shumë trofeve, që shorti i kupës e sjell sot në Sarandë.
Në këtë kompeticion Butrinti duket se vjen pa pretendime, ndaj dhe me shumë mundësi do të luajnë ata që nuk kanë gjetur shumë hapësirë dy javët e para të kampionatit. Në këtë grup bëjnë pjesë lojtarë si Pali, Haxhi, Sejdinaj, Myrtaj, Rugji apo dhe Kordha.
Ndeshja e sotme pritet të ngjallë interesim në radhët e sportdashësve sarandiotë, duke qenë se vjen një skuadër me emër si Vllaznia. Stafi teknik i Butrintit e ka më tepër mendjen te ndeshja e kampionatit me Vlorën, ndërkohë që edhe shkodranët nuk mendohet se do të hedhin në fushë formacionin e tyre më të mirë.
