Gramozi, me më të mirët ndaj Apolonisë
Kolonjarët kanë përparësi kampionatin, por edhe në kupë dëshirojnë ta kalojnë turin e parë
Gramozi ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e kupës me Apoloninë, ku, sipas trajnerit Qirjakos, do të luajë formacioni më i mirë, edhe pse ky kompeticion është në plan të dytë për kolonjarët. Paraqitja e ekipit në dy javët e para ka ngjallur shpresat për një rikthim të Gramozit në superligë, por trajneri Qirjako kërkon edhe kalimin e një turi në kupë. Duam që Gramozi ta kalojë turin e parë dhe për këtë kam menduar të hedh në fushë lojtarët më të mirë.
Ndërsa për kampionatin do të thosha se rruga drejt superligës është shumë e gjatë dhe e vështirë, ka theksuar Qirjako. Gramozi ka bërë një paraqitje të pëlqyeshme dy javët e para të kampionatit, por trajneri kolonjar mendon se ekipi nuk është ende aty ku pretendohet prej tij. Ne jemi kërkues ndaj futbollistëve dhe duam që ata të jenë të përkushtuar në stërvitore e ndeshjet zyrtare. Këtë javë kemi dy ndeshje tepër të rëndësishme me Apoloninë dhe Gramshi, ku duhet dhënë maksimumi për ti kaluar me sukses.
Pa dyshim që ne kërkojmë rezultat pozitiv, edhe pse në fillim ndeshemi me një ekip superlige dhe më pas luajmë në një fushë shumë të vështirë si ajo e Gramshit. Pretendimet tona janë realiste dhe do të përpiqemi të tregojmë se jemi vërtet për superligë. Rezultatet pozitive shpresojmë ti garantojmë falë agresivitetit të të gjithë lojtarëve që kemi në dispozicion, ka përfunduar trajneri Qirjako.
