Gërmime në kërkim të një varreze masive në Korishë

Kanë rinisur gërmimet në kërkim të një varreze masive në territorin e fshatit Korishë të Komunës së Prizrenit.
Kryetari i Komisionit parlamentar për persona të pagjetur Prenk Gjeta, thotë se rezultatet konkrete nga këto gërmime priten javën e ardhshme. Në deponinë e vjetër të Prizrenit, poshtë fshatit Korishë, ekipet e ekspertëve kanë nisur pastrimin e terrenit, pasi sipas disa dëshmitarëve, dyshohet që këtu të ekzistojë një varrezë masive, me viktimat e luftës së fundit në Kosovë.
Sipas Hysni Berishës, kryetar i Shoqatës së të zhdukurve “Shpresimi” në komunën e Suharekës, fillimisht kufomat kanë qenë të hedhura në deponinë e mbeturinave e më pas ato me 3 Prill të vitit 1999 janë marrë e deri më tani, ende nuk dihet se ku i kanë groposur.
”Në këtë territor ku po punohet, ka shumë shpresë që gjinden mbetjet mortore të të zhdukurve nga komuna e Suharekës, thotë Berisha.
Në shtator të vitit të kaluar gjatë gërmimeve në këto terrene, janë gjetur disa mbetje mortore, që i përkisnin viktimave të Krushës. Sipas kryetarit të Komisionit parlamentar për personat e pagjetur Prenk Gjeta, javën e ardhshme pritet të ketë ndonjë rezultat nga këto gërmime./Indeksonline/