E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovica shënoi Ditën e Dëshmorëve

Është shënuar sot Dita e Dëshmorëve të Mitrovicës, që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dita ka nisur me homazhe në varrezat e dëshmorëve në Shipol, ku pos familjarëve të dëshmorëve, kanë marrë pjesë edhe drejtuesit komunalë dhe përfaqësues të shoqatave të luftës. Në akademinë përkujtimore kushtuar këtyre të rënëve, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati,ka pohuar se dita e dëshmorëve është strumbullari i të gjitha aktiviteteve.

“Dëshmorët janë strumbullari i lirisë, i pavarësisë dhe shtetit të pavarur që ne kemi sot”, ka thënë Kastrati. Ndërkaq Alije Tmava, si përfaqësuese e familjeve të dëshmorëve në Mitrovicë, ka thënë se kjo ditë është ditë e dhimbjes që humbëm më të dashurit, por njëherit ditë e krenarisë kombëtare. “Sot përkujtojmë detyrat dhe përkujtimet ndaj atdheut, që dëshmorët na e lanë amanet, ta duam dhe ta zhvillojmë atë”, ka theksuar Tmava.

Në këtë ditë u bë edhe përurimi i parkut të qytetit, i cili do të mbaj emrin e dëshmorit, Afrim Jashari, që u vra pikërisht në këtë vend./Indeksonline/    

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›