E Diel, 1 Nëntor 2026

Germimet arkeologjike Gjongecaj Dimali nje teater antik

Rezultate të rëndësishme priten këtë vit nga gërmimet arkeologjike të Institutit të Arkeologjisë në disa zona të vendit. Arkeologët shqiptarë do të synojnë t'i shtojnë hartës historike, një teatër të ri antik. Sipas drejtoresëhs së Institutit të Arkeologjisë, Shpresa Gjongecaj, Bylisi dhe Apolonia nuk mbeten prapa, ku në territoret e këtyre parqeve ekspeditat nuk do të jenë pa rezultat.

"Janë dy gërmime shumë të rëndëishme në qytetin antik të Apolonisë, do të vazhdojmë gërmimet edhe në banesat romake të cilat vitin e shkuar na dhanë dy koka të rëndësishme, por besoj që gërmimet në atë banesë do të na japin edhe surpriza të tjera. Kemi qytetin ilir të Dimalit, i cili pas një ndërprerje shumë vjeçare ka rifilluar gërmimet vitin e kaluar dhe gërmimet na kanë dhënë gjurmët e dy shkallareve të një teatri që mendojmë ta zbulojmë këtë vit. Do të jetë një surprizë shumë e madhe sepse është teatri i shtatë që zbulohet në territorin shqiptar"-tha ajo.

Gjongecaj pranon njëkohësisht se arkeologët shqiptarë përballen me fonde të pamjaftueshme.

"Pjesa më e madhe e këtyre gërmimeve është financuar nga ekipe të huaja. Një ekspeditë arkeologjike kërkon harxhime shumë të mëdha sepse edhe metodat që janë futur, pra metodat që gërmojmë janë metoda bashkëkohore, metoda të ndërthurura edhe me disiplina të tjera, por të gjitha këto kërkojnë specialistë, të cilët mungojnë nga ana jonë"-theksoi Gjongecaj.

Këtë vit, në territorin shqiptar, nga Shkodra në Sarandë, Instituti i Arkeologjisë është përfshirë në 22 ekspedita zbulimi dhe shpëtimi.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›