E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërr-vërret e Gërvenit

Ne ishim vetëm katër. Unë, Erli, Tedi dhe Kujtimi. Jemi të katërt, gazetarë të Gazeta Shqiptare. Po ju tregoj historinë sesi u ngjiz “skandali i shitjes” së kufijve, që e etiketuam ne të GSH, dhe për të cilin sot, zv.shefi i shtabit të përgjithshëm, kundëradmiral Gërveni, na kërkon që t’i kërkojmë falje !!!! Paradoksale, apo jo? Pra le ta nisim nga dita kur në Tiranë po miratohej kjo marrëveshje mes Bakojanis e Bashës dhe kur Tedit (gazetarit të GSH), i kisha kërkuar këtë marrëveshje, për të cilin fliste çdo agjenci ndërkombëtare lajmesh. Tedi pra, vjen në redaksi me ca fjalë bashkëpunimi të liderëve që firmosën marrëveshjen, dhe me një dokument, për të cilin, duhet të them, se kishte hequr të zitë e ullirit që ta gjente, mik pas miku, e burim pas burimi informacioni. Por miku, në rastin konkret, nuk e kishte menduar se stafi i GSH do të investigonte përtej koordinatave të dhëna në atë marrëveshje. Pra “miku” kishte menduar me vete: e ç’do të bëjnë të gjorët me të dhëna që as ne nuk e kuptojmë? Mendoj unë, se ndryshe, ai “miku” të dinte përfundimin e sotëm, s’do ta kishte dhënë kurrë këtë marrëveshje. Po ja që puna e solli kështu, e fati ynë, dhe i mikut, dhe i gjithë shqiptarëve. Ne morëm në dorë marrëveshjen. Një marrëveshje, për të cilin flisnin gjithë mediat greke, e ne nuk kishim një informacion se çfarë do të thoshte ajo. Praktikisht, unë, Erli e Tedi, u gjendëm përballë ca shifrave e koordinatave, që bir nëne nuk i zgjidhte në orën 20.00 të mbrëmjes. Iniciativë, guxim, këmbëngulje....dhe ja ku jemi. Me ndihmën e gazetarit tonë të rretheve, Kujtimit, ne gjetëm numrin e telefonit të Myslym Pashajt, që për fatin tonë të mirë tha: ‘po, më sillni koordinatat e reja të marrëveshjes, se të vjetrat i kam vetë’. E Tedi u nis me shpejtësi për atje. Eshtë e kotë të them se ato vijat, me të cilat kundëradmiral Gërveni akuzonte kolonel Myslym Pashajn në një emision në TV Klan, i kam hequr unë. Ishte dita e parë. Dhe ne bëmë atë që do të bënte çdo gazetar: me syrin e lirë, të rrethonim koordinatat e vjetra, dhe të vendosnim ato të rejat, për të cilat, kundëradmiral Gërvenit i ishin dashur tetë muaj, ndërsa ne na u deshën, 30 minuta. Bëmë gabim? Jo dhe jo...i themi vetes sot. Edhe pasaktësia e kilometrave tashmë të skalitura në faqen e parë në GSH, nuk është pasaktësi nga dashakeqësia e gazetarëve, por nga konfirmimi se diçka po ndodhte. Ndaj u ndjeva keq dje, kur Gërveni kërkoi që ne ti kërkonim falje. E dini pse? Kemi më shumë se tetë muaj, që në prill që dëgjojmë gërr-vërret e Gërvenit. Tetë muaj, që nuk marrim informacion për kufijtë e vjetër dhe ata të rinj. Tetë muaj, që ky njeri bindi ministrin e tij Imami, (i cili detyrimisht si unë s’ka sesi ti dijë koordinatat ujore të kufijve), bindi edhe ministrin Meta (as ky nuk ka sesi ti dijë detaje të tilla), bindi kryeministrin tonë, me një kompas të vendosur mbi një hartë greke. E pse ti kërkojmë falje këtij njeriu? E pse presidenti i republikës në momentin më delikat duhet ta miratonte atë si zv.Shef të Shtabit të Përgjithshëm? Thjesht si propozim nga Ministria e Mbrojtjes? Zoti President, Sot kur Gjykata Kushtetuese ka folur për këtë marrëveshje, ju kërkoj publikisht të shkarkoni, si Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, një njeri që foli me një gjuhë arrogante, sharlatane, e gënjeu pjesën më të madhe të shtetarëve por edhe qytetarëve të kombit tonë e përtej kufijve. Lexoni komentet që vijnë në internet e në blogje të ndryshme ku diskutohet kjo temë, më së shumti në agjencinë e lajmeve Balkanweb. Ai nuk meriton të jetë në detyrën që i keni caktuar me dekret. Sepse në radhë të parë, një ushtarak i yni, duhet të dijë të mbrojë atdheun e tij. Dhe nëse e shet atë për një natë luksoze në ndonjë hotel të Korfuzit, kjo është për turpin e të gjithëve ne dhe për turpin e të gjithëve ju. Një grup negociatorësh nuk e mbrojtën dot këtë marrëveshje për të cilin kishin diskutuar e debatuar për orë e orë të tëra në Gjykatën Kushtetuese. Mendimtarët e kombit tonë, e gjetën atë me shkelje. ç’rëndësi ka nëse janë procedurale, apo thelbësore!!! Nëse ne nuk do të kishim gjetur kolonel Pashajn për të bërë zhurmë, sot gjithçka do të kishte kaluar pa teklif në anën greke. Atëherë them me bindje: shumë shpesh na akuzojnë ne gazetarëve se çfarë bëjmë në punën tonë. Kur të më pyesin sot e kësaj dite pas këtij vendimi do t’u them të gjithëve: ne i shpëtuam Shqipërisë ca kilometra katrorë det. Po ju? Dhe do t’u kujtoj shprehjen e ish presidentit amerikan Kennedy: Mos pyesni ç’ka bërë vendi juaj për ju, por ç’keni bërë ju për vendin tuaj. Ndaj sot e gjithë ditën nuk dua të dëgjoj më gërr-vërret e Gërvenit. Sepse mendoj se përgjegjësi i gjithë kësaj historie është pikërisht zv.shefi i shtabit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Prej tij, jemi përfshirë në një gërr-vërre prej disa muajsh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›