E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyn për të shuar sherrin, vritet shqiptari

Policia italiane shpall në kërkim një sllav, që mendohet si autori i vrasjes makabre

Një shqiptar është vrarë barbarisht në Firence të Italisë, pasi ka ndërhyrë për të ndarë një sherr që po ndodhte në bilardo. Policia italiane ka bërë të ditur se Adnand Diku, 21 vjeç, ka ndërruar jetë gjatë natës, duke u gdhirë dita e djeshme, në një spital të qytetit. Viktima ishte emigrant me dokumente të rregullta dhe punonte në një ndërmarrje. Ai kishte ndërhyrë me qëllim që të shuante një sherr, mes një shqiptari 19-vjeçar dhe një sllavi 28-vjeçar. Në sherr ishte përfshirë edhe një shqiptar tjetër, i cili është arrestuar. Ngjarja ka ndodhur në një bilardo, në një nga lagjet e Firences. Sipas të dhënave, gjatë sherrit ishin përdorur stekat e bilardos dhe më pas dhe thikat. Nga rindërtimi i ngjarjes që kanë bërë karabinierët, 21-vjeçari kishte ndërhyrë për të bërë të mundur pushimin e sherrit, që kishte nisur për motive banale, mes një shqiptari tjetër 19-vjeçar dhe dy personave të tjerë. Më tej, në mediat italiane shkruhet se tre emigrantët kanë pasur edhe më parë përplasje, por mbrëmjen e dy ditëve më parë ata kishin gjetur një shkak për të bërë sërish sherr. Këtë herë i pranishëm ka qenë dhe viktima, i cili kur ka parë se zënka mund të merrte një rrjedhë të keqe, ka ndërhyrë. Por, kjo gjë ka qenë fatale për të. Duke pasur steka bilardoje në duar, personat e përfshirë në sherr kanë goditur njëri-tjetrin. Një prej tyre ka nxjerrë një thikë, duke qëlluar pikërisht 21-vjeçarin. Ai është goditur me thikë në mushkëri dhe ka humbur shumë gjak, duke ndërruar dhe jetë pas disa orësh në spital. Kushtet e tij, sipas policisë, kanë qenë të rënda dhe ai nuk ka mundur që të shpëtojë. Dëshmitarët kanë bërë të ditur se kanë parë të ikë agresorin tjetër, që ishte me flokë të gjata dhe me një tatuazh në qafë. Në pranga është vënë Arian Joni, 20 vjeç, rezident në Firence, ndërkohë që në kërkim është Mebruz Bejzak, 28 vjeç, rezident në Modena.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›