Dosja e 96-s, pranga tre personave për vrasje
Sarandë
U rihapën hetimet për vrasjen e Jorgo Zisit. Dosja ishte djegur në gjykatë e prokurori në vitin 1997
Prokuroria e Sarandës ka zbardhur vrasjen e Jorgo Zisit në vitin 1996, duke ndaluar tre persona. Shahin Ismaili, banues në fshatin Gjashtë, Edvin Kamberaj, banues në fshatin Metoq dhe Metush Bushaj, banues në fshatin Gjashtë, janë arrestuar dje nën akuzën e vjedhjes me pasojë vdekjen. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin korrik të vitit 1996, ku pavarësisht mungesës së provave, Prokuroria e Sarandës, në bashkëpunim me policinë, ka arritur të rihapë dhe rimbledhë provat e të dhënat e kësaj ngjarjeje, duke mundësuar zbardhjen e plotë dhe vënien para drejtësisë së autorëve. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se për ngjarjen e vitit 1996 nuk ka pasur të dhëna për numrin e procedimit, apo për persona të dyshuar në kryerjen e veprës penale, pasi për shkak të trazirave të ndodhura në muajin mars të vitit 1997, fashikulli i procedimit në prokurori dhe gjykatë është djegur dhe personat janë shmangur nga përgjegjësia penale. “Pavarësisht mungesës së provave për këtë dosje të vitit 1996 gati të mbyllur, Prokuroria e Sarandës, në bazë të të dhënave të mbledhura arriti të ndalojë tre shtetas”, thuhet në njoftimin e akuzës qendrore. Sipas saj, në lidhje me këtë procedim penal rezulton se “në fshatin Dyrmish të Rrethit Sarandë, në muajin korrik të vitit 1996, është kryer vjedhja e një sasie valute (dhrahmi) shtetasit, të ndjerit, Jorgo Zisi, të cilin, autorët pasi kanë mundur t’i marrin sasinë e parave të ndodhura në kasafortë, e kanë ekzekutuar me thikë”. Mbi deklarimin e të dhënave nga bashkëshortja e të ndjerit Jorgo Zisi, shtetases Gafuro Zisi, i është marrë dëshmi e hollësishme në lidhje me ngjarjen e ndodhur në lokalin e saj në muajin korrik të vitit 1996. Mbi këtë bazë, më datë 22 qershor 2009 është rifilluar hetimi në lidhje me procedimin penal, duke u regjistruar procedimi penal me nr. 180, për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen.
#