E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërshetimi i dialogut në rrëfim

Romani “E parathëna” i Bedri Myftarit

Ardiana KASEMI

Romani “E parathëna” mund të konsiderohet si autobiografik për vetë fabulën e shtjelluar dhe fatin e hidhur të jetës së autorit. Ai trajton travajet plot të papritura apokaliptike të dy epokave të ndyshme në kohë, por të njëjta në vuajtje.
Romani ngërthen një rrëfim të ngrohtë e të sinqertë për kohën e fëmijërisë, rinisë dhe moshës së pjekur të personazhit. Myftari sinkronizon momente të ndryshme, tepër të dhimbshme, ku ngarkesat tragjike më kulmore të jetës zhvillohen në pasoja shumë planëshe, por me një origjinë të përbashkët, politikën.
Femijërija pasqyrohet me një koshiencë të plotë në viset e dashura bregdetare e lumore të vendlindjes. Ai përshkruan kujtimet e asaj moshe mbushur me nostalgjinë e përhershme të jetës. Madje, në këto përshkrime gjejmë edhe ndodhi e toponime reale të Çamërisë, si lumi Kalamas, Arta (zona e bukur bregdetare e Jonit), fushat plot gjelbërim, ullinjtë shekullorë, raprezaljet zerviste etj. Ndërtohet kështu një dialog i brendshëm shpirtëror, i cili arrinë kulmin me përshkrimin dhe takimin e Deas, vajzës (pikë e bukur) që e shoqëronë personazhin gjatë gjithë jetës si një ëndërr e pafundme. Ngrohtësia dialoguese e këtyre kontakteve, paçka se është fëminore, merr vlera të vërteta dashurore, si në legjendat e etërve të tyre. Mes kësaj ngrohtësie dialoguese, autori veçon me mjeshtëri dhe finesë momentet e dhimbshme nga ato mallëngjyese. Myftari i ka lidhur aq bukur këto dy nyje të rëndësishme të prozës së tij, sa krijon një binom mes dy kohëve e dy epokave tragjike që përshkruan. Ndërgjegjësimi lidhet jo aq te përshkrimi realist i kohës, sesa te krenaria e vazhdueshme e personazhit, shprehur në mënyrë të ndërgjegjshme në të gjitha situatat, sado të vështira dhe të koklavitura të jenë ato. Dhe, natyrisht, kjo përbën vlerë të rëndësishme në idenë dhe moralin që kumtohet në faqet e kësaj proze.

* * *
Një tjetër vlerë e veçantë është koloriti i gjendjes shpirtërore të përshkruar nga autori, në raportin e krijuar midis tij dhe vjeshtës, stinës që autori e ruan në gjendje dialoguese, pothuajse në të gjithë veprën:
“Netëve të asaj vjeshte frynin erëra të forta. Dëgjohej kori i rosave të egra që vinin nga brigjet balltike, për të dimëruar në brigjet e lumit Kallama.”
Momentet e dhimbshme, që krijoi Lufta e Dyte Botërore në ndërgjegjen e këtij personazhi, sjellin në roman situata dramatike tejet të rëndë, të cilat duket se bëhen shkak për gjithë fatin e tij të hidhur. Nocioni dialog përzihet këtu me gjendjen e vështirë dhe makabre të raprezaljeve të Zervës, duke u zëvendësuar me lebetitjet e nënave, grave, vashave e Deas së vogël, që s’dinë ku vanë e ku humbën, e sidomos dialogun e dy fëmijëve të mitur, motër e vëlla, që të japin një pasazh rrëngjethës në çastet para vrasjes. Janë çaste që autori i tregon me forcë shprehëse, sepse rrëfimtari e personazhi bëhen një të vetëm, duke dhënë e duke marrë vlera të njeri-tjetrit.
Me këto përshkrime, ku janë të pranishëm elementë historikë, na vjen në mend kënga e njohur çame, mbushur me vajet e thella të ndarjes: “Çamëro moj çamëri/ Na ndanë se s’ndaheshim/ Nga ti.”

* * *
Në momente të caktuara, për t’i dhënë veprës ngjyrime të origjinalitetit krahinor, autori përdor emërtesa të bukura dhe fjalë karakteristike të zonës së tij: lumi Kalamas, fusha e Vasilikoit, përroi i Çafallinjëve, brushtulla, kostare, gularth, kako Tanë, sua, etj.
Autori krijon individualitet në veprën e tij. Kjo duket edhe në larminë e ngjyrave që përdor nga vendlindja, Çamëria, nga malli, nostalgjia dhe fati tragjik i kësaj treve. Vlera të vërteta merr kjo vepër edhe për mënyrën e strukturimit të saj, ku ndërthurjet e dialogut koshientë me atë subkoshient harmonizohen dukshëm, duke treguar jetën e personazhit Deni në dy epoka të ndryshme, luftës dhe komunizmit, të ndara nga njëra-tjetra me termat luftë dhe paqe, me sakrifica e qëllime të kundërta, por me një emërues të përbashkët, dhimbjen e vuajtjen e vazhdueshme. Nëse periudha e luftës përshkruhet me tmerrin e saj të dukshëm, periudha e komunizmit përshkruhet si një ferr i vërtetë por i fshehtë.
Në të dyja shfaqet dialogu subkoshient i heroit. Kjo lidhet me haluçinacionet e tij, me përfytyrimet dhe zgjimin e nënshtresave të ndërgjegjes, imponuar nga vetë presioni i papërballueshëm i situatave. Kjo strukurë e ndërtimit të një bashkëbisedimi të brendshëm e fluid, megjithatë, ka gjetur shprehje në një gjuhë të thjeshtë dhe elokuente. Lufta për jetë a vdekje e Denit në roman, i ngjan dëshirës për të jetuar, si te plaku Santiago i Hemingueit.
Kjo dëshirë e bën atë të përballet me realitetet e zymta të kohës. Autori sikur shpërthen, kur në situata të tilla. Midis këtij shpërthimi “haluçinant”, ai ruan me kujdes ekuilibrin e brendshëm, ndërsa kjo botë shpirtërore e personazhit, mbushur me dëshira për jetën dhe të bukurën, krijon një sistem shenjash vektoriale, që e orientojnë atë për të realizuar një dialog të ngrohtë intim mes një dashurie të zjarrtë e të përbotshme.
Në roman duket funksionaliteti i vlerave artistike, për ta bërë atë sa më tërheqës për lexuesin. Disa herë dialogu ngjan misterioz, si te Kostandini e Dhoqina. Mes këtij misterioziteti në mënyrë të pavullnetshme, arësyeja njerëzore sikur nuk funksionon. Shprehja tipike, “vdekja do të vijë avash avash”, të kujton të brugosurin e Shilonit, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm dhe me një torturë të kobshme.
Me këto vlera të larmishme, koloritin, dialogun e shtresuar, tablotë e pasura dhe stilin e shkathët, ky roman merr dimensionet e një vepre artistike të kompletuar me ide dhe mesazhe të plota.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›