E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ne kemi të drejtë të pyesim...

(HISTORIA E “TJETRIT”)

Ismail KADARE

I
Sot flitet shumë për “tjetrin”. Dhe siç ndodh shpesh me bisedat apo me motivet e vjetra, që pas një harrese ose pushimi rikthehen në jetën tonë, ne kujtojmë se edhe për “tjetrin” jemi ne që po flasim për herë të parë. Në të vërtetë biseda, më saktë, trazimi për “tjetrin” duhet të jetë tepër i motshëm. Ka gjasë të jetë po aq i vjetër sa zbulimi i seksit, i tmerrit ose i vdekjes. Ka gjasë që historia të ketë nisur qysh atë ditë, kur njeriu i shpellës është kthyer te të vetët, me një fytyrë të lemeritur, për të njoftuar se ka parë një gjë tejet të frikshme, tejet të përçudur, diçka që desh ia ka marrë gojën. Ndaj dhe shpellarët e tjerë i bërtasin: ǒishte ajo? Que-est ce que était ça? Cto eto byllo? Wer da? Who’s there? Stand and unfold yourself! Por njeriu primitiv nuk e ka lehtë të shpjegohet. Nuk ka parë as vetëtimën, as bishën e egër, as vullkanin, por diçka më tronditëse: një qenie që duhej të ishte ai, por që s’ishte ai, një trajtë që ngjante si e dalë, e pjellë prej atij vetë, por që në vend të ishte si i tillë, të ishte i pranueshëm, ishte i kundërt, i papranueshëm, madje kërcënues.
Njeriu i shpellës ndeshej për herë të parë me “tjetrin”.
Në shpellë vazhdonte gjyqi kundër tij. Kërkoheshin shpjegime, bëhej hetim, pritej përgjigje. Halte et explique toi! Stoj i objavis! Steht und gebt Euch kund! Qëndro e shfaqu! Stand and unfold yourself!

II
Historia duhet të jetë aq e vjetër, saqë ngjarjen e natës së 22 qershorit të vitit 1602, mund ta marrim si pjesë të kronikës sonë moderne.
Teatri “Globus” i Londrës si zakonisht ishte plot. Ishte premiera e një drame, që tregonte për njëfarë Hamleti, që do t’i merrte gjakun t’et. Ishte e dyta apo e treta herë që kjo histori vihej në skenë. Teatri që po mbushej, ashtu si Londra, në prag të shfaqjeve të tilla, ishte plot thashetheme. Është një histori si gjithë të tjerat, nga ato që na kanë ardhur në majë të hundës. S’është fare ashtu, përkundrazi, është një kryevepër. Ka të bëjë me oborrin mbretëror danez, ndaj autori i ka ndërruar emrat e personazheve, për të mos patur incident diplomatik. Jo, more! Unë kam dëgjuar se drama fillon me një fantazmë. Vërtet? Unë vdes për fantazmat. Kurse unë s’i duroj dot, e sidomos ime shoqe, që vuan nga nervat.
Spektatorët mezi ç’prisnin fillimin e shfaqjes. Dhe ja, ajo nis ashtu, siç ishte pëshpëritur: Natë me mjegull në muret e kështjellës së mbretit danez. Një rojë me heshtë që kryen shërbimin. Dikush që afrohet nëpër mjegull. Këmbimi i famshëm i replikave midis ushtarëve:
Who’s there? Nay, answer me. Stand and unfold yourself!
Është folur gjatë për këtë fillim të “Hamletit” të Shekspirit. Atmosferën e mosbesimit, dyshimin e rojave, frazat e tyre të prera, shumë studiues i kanë lidhur me ankthin, që ishte përhapur në Danimarkë për shfaqjen e fantazmës së mbretit. Të tjerë studiues e kanë shfaqur habinë për këtë fillim të rëndomtë, me ca replika banale ushtarësh, të kryeveprës së teatrit botëror. T. S. Eliot e shpjegon si të bërë enkas, për kundërthënie me ngjyrimin hijerëndë që marrin befas vargjet, sapo biseda vjen te fantazma.
Biseda midis dy rojave është pak a shumë ajo që është bërë dy milionë vjet më parë te hyrja e shpellës së dikurshme. Fantazma që pritet, ajo që do të shfaqet pas pak në skenë, e jep thelbin e atij që ne përmendëm me aq zell: TJETRIT. Është “tjetër” në radhë të parë në trajtë. Për ne, njerëzit, asgjë në botë nuk mund të jetë më “tjetër”, sesa fantazma e njeriut. Është tjetër nga lëkura, nga flokët, nga sytë, nga gjatësia e gjymtyrëve, nga lëvizjet, nga zëri a nga heshtja e saj.
Por tjetërsia nuk mbaron kurrsesi me kaq. Ndryshimi nis nga pamja, për të zbritur thellë e më thellë. Ai prek thelbin e saj. Fantazma është e ndryshme në vetë statusin e saj të dyfishtë: jetësor dhe vdekësor. Por ajo është e ndryshme në shumëçka tjetër, për shembull, në dijet që ka, në vizionin e botës, në enigmat që ndryn, në kumtin që sjell, shkurt, në gjithçka. Ajo di atë që të tjerët nuk e dinë, sheh atë që ne nuk e shohim, shpall një të vërtetë që për disa ngjan e rreme, ose një rrenë që mund të jetë e vërtetë.
Na ngjan e rrezikshme në të gjitha rastet, edhe kur duket se vjen për të na dhënë ndihmë, edhe kur vjen gjithë pezm e kërcënim. Fantazma e Hamletit mbret, në ledhet e kështjellës së Elsinorit, duket se vjen për të ndrequr një padrejtësi, për të sjellë një drejtpeshim. Por, në një bilanc të fundit, ajo nuk sjell në skenë veç një seri vrasjesh e një varg kufomash.
T’i besojmë, apo jo? Kjo është pyetja e Hamletit e, bashkë me të, pyetja jonë. Ndaj britma e njërit prej rojave: “Qëndro e shfaqu!”, në fillim të dramës, është njëherësh britma dhe ankthi ynë: “Mos u fshih më, shfaqu!”

III
Njerëzimi nuk rri duarkryq para fantazmës së “tjetrit”. Ai nuk ka qëndruar kurrë duarkryq. Ai mund të jetë kapur në befasi, të jetë mpirë përpara gjarprit, tigrit, tërmetit, por asnjëherë përpara shëmbëllimit të vet. Ai ka qenë syçelët dhe ka dhënë shumë herë kushtrimin kundër vërshimit të lumit ose sulmit të bishës, por ky kushtrim ka qenë i rëndomtë. Kushtrimin e vërtetë, atë më të madhin, atë më të thekshmin ai e ka dhënë kundër shëmbëllimit të vet: njeriut. Kundër atij ai është përgatitur më gjatë dhe më me përkushtim se për çdo gjë tjetër. Ka bërë gati rrëfenja të gjata, libra, muzikë, emblema, mure, porta dhe sidomos armë. Ka nxjerrë ushtrinë në kufijtë e shtetit, ka dërguar zbulues në thellësi të vendit armik, ka vënë roja majë pirgjeve për të përgjuar. Roja nga ata që klithin: Ndal! Unfold yourself!
Vocërrakët në shkolla mësojnë historinë e popullit të vet. Në të ka shumë ngjarje, emra të shquar, zotërinj trima dhe zonja të bukura, shpesh të pabesa. Ata mësojnë e mësojnë shumë gjëra, gjersa një ditë kujtojnë se tharmi i kësaj historie, kripa e saj, është “tjetri”. Pa atë, “tjetrin”, kënga heroike ngjan e zbehtë, fitorja pa shije, festa pa kuptim. Shkurt, pa të jeta jonë ngjan e fishkur, e dështuar, për të mos thënë e kotë!
Vargu i robërve të kapur në luftë, që parakalojnë kokulur përpara fitimtarëve, flamurët armiq, të kapur njëlloj si njerëzit, që hidhen si plaçkë lufte, komandantët apo mbretërit e mundur që parakalojnë gjithashtu me pranga në duar, të gjitha këta janë pamje të paharrueshme pas fitores.
Kronikat japin një rast lufte të çuditshme, atë midis hititëve dhe huritëve, ku problemi kryesor nuk ishte ndeshja me armikun, por gjetja e tij në shkretëtirë. Ushtritë hitite niseshin, por kthimi, nëse të tillë kishte, zgjaste shumë. Dhe atje në shkretëtirë nuk dihej se ç’ndodhte, kush fitonte, kush humbte. Mostakimi, avullimi i “tjetrit” ishte krejtësisht çoroditëse për të gjithë. Ai prishte ligjet e jetës. Popujt nuk kënaqeshin vetëm me përfytyrimin e “tjetrit”. Ata donin ta shihnin atë, ta rroknin, për të mos thënë, ta godisnin.
Për të mos shkaktuar kompleksin, më saktë, zhgënjimin, hitito-hurit, vendet komuniste, pasi e bënin të njohur “tjetrin” me anë të propagandës, filmave dhe teatrove të tyre, si një dhuratë befasuese, organizonin procese gjyqësore, me armiq të gjallë, në mënyrë që “tjetri” të shfaqej me mish e me kocka. Unfold yourself!
Që shpështjellja e “tjetrit” të ishte sa më mbresëlënëse, duhej që të shoqërohej nga padurimi për të. Padurimi për ta parë “tjetrin” të rrëzuar, do të thoshte në gjuhën komuniste “mbajtja lart e frymës revolucionare”, çka mund të përkthehej: mbajtja lart e urrejtjes së palodhur, pra e ahtit për të zhdukur “tjetrin” pa mëshirë.
Që kjo të kryhej ashtu siç duhej, duhej që ideja se “tjetri” ishte i pashmangshëm të mos vihej kurrë në lodhje, e aq më pak në dyshim.
“Tjetri”, me fjalë të tjera, shkaktari i grindjes dhe i luftës është kudo: në lëkurë, në gjuhë (barbare, sipas grekëve), në fé, në ide, në doktrina a në qytetërime. Virusi i armiqësisë guxon të futet atje ku nuk pritet: brenda klanit tënd familjar apo politik. Ai prish lidhjet e gjakut, madje ai arrin të depërtojë në zonën që duhej të ishte e pamundur për ta, në hapësirën e dashurisë midis dy qenieve njerëzore. Ky është një nga ngadhënjimet më të mëdha të tij.

IV
Ka diçka tragjike, diçka fatale në këtë gjendje të gjërave. Me fjalë të tjera, a mund të ketë përgjigje pyetja: përse kaq shumë urrejtje, kaq shumë luftëra? Përse për gjithçka vjen ora e lodhjes, veç jo për to?
Pyetjet e mësipërme mund të duken tejet naive. Ne e dimë që njerëzimi sa vete mençurohet. Krijohet shpresa se tani që e keqja dihet, ka ardhur koha që, duke qeshur me marrëzitë e kaluara, njerëzimi të ndahet prej saj. Mirëpo në sytë tanë ndodh e kundërta. Sepse në sytë tanë njerëzimi është katandisur në atë shkallë marrëzie saqë, siç thotë Karl Popperi, ai të kujton dy të çmendur që bëhen gati për të bërë duel, duke vringëlluar secili disa dhjetëra mijëra mbushje bërthamore. Dhe kjo, gjithmonë sipas Karl Popperit, është njëlloj sikur dy duelistë të shkonin në takim, jo me nga një revole, aq sa ç’do të ishte e nevojshme për të vrarë “tjetrin”, por me pesë mijë revole secili!
Përballë kësaj gjendjeje, e cila vazhdon në kohën që po shkruhen këto radhë, ne e humbim të drejtën të cilësojmë si naive cilëndo pyetje të ngjashme me ato të mësipërmet. Atëherë le të vazhdojmë me to: A ka qenë e pashmangshme e gjitha kjo? Ku është bërë gabimi, a ka shpresë që diçka të ndreqet?
Deri tani, luftërat janë shpjeguar si vazhdimi me armë i politikës, e kjo e fundit, rrjedhojë e ekonomisë, e kështu me radhë, dhe pastaj është folur për anët e errëta të natyrës njerëzore, e kështu me radhë, duke ardhur te mendimi se bota jonë, pamjet e saj, ngjarjet, gjithçka, perceptohen nga miliarda e miliarda kamera, që janë sytë dhe mendja e miliarda njerëzve, me fjalë të tjera, për secilën qenie njerëzore ka një gjeografi, një histori, një kalendar të përditshëm, që ajo e ndjek ditë e natë, çdo orë e çdo minutë, dhe se këto miliarda vizione vetjake, këto miliarda bërthama “tjetra”-sh përbëjnë një mundësi katastrofike, si ato që përfytyrohen në përplasjet kozmike?!
Ne na duhet të refuzojmë një rendje të mendimit përtej mundësive, që natyra i ka dhënë trurit tonë. Ne na duhet të kthehemi te një gjendje më e kthjellët, që na e dikton kushtëzimi, domethënë kufizimi ynë njerëzor. Në këtë rast, ne s’mund t’i bishtnojmë pyetjes së thjeshtë: a ka shpresë që diçka të ndreqet?
Pa dyshim që po. Sado e mjegullt të ketë qenë fantazma në muret e kështjellës së mbretit Hamlet, ata që e panë ose e përfytyruan: rojat, shokët e princit, vetë princi Hamlet, guxuan t’i thonë: qëndro dhe shfaqu!
Kjo duhet të jetë pyetja jonë... për “tjetrin”. Pa u ndrojtur, ne mund t’i kthehemi kronikës së vjetër, atje ku historia ndoshta ka nisur.
Në fillim ka qenë një histori, që mund të quhet “e syrit”. Ka qenë syri që është habitur ose trembur nga pamja e “tjetrit”, në radhë të parë nga ngjyra e lëkurës, e pastaj të tjerat. Syri njerëzor ka gjithmonë një lidhje me veshin. Te grekët e vjetër ishte veshi, që u bezdis nga gjuha e “tjetrit”, e cila pa asnjë lëkundje u quajt “barbare” e, bashkë me të, u cilësuan të tillë njerëzit që e flisnin atë. Më pas, në skenë hyri pjesa më e ndritur, por edhe më e rrezikshme e njeriut: mendja. Ishte ajo që u bezdis prej “tjetrit”, jo vetëm për lëkurën e gjuhën, por për ato që nuk dukeshin me sy e as dëgjoheshin me vesh: tregimet e tij të brendshme, thënë ndryshe, mitet, besimet, zakonet, kujtimet ose frikët e tij. S’ishte vetëm raca ose gjuha, që përcaktonin “tjetrin”. Bashkë me to ishte tjetër gjë, po aq dramatike, në mos më tepër. E pas kësaj, shkallëzimi do të merrte përmasa tragjike: ishin kombe të tëra që viheshin përballë e pas tyre, kultura, doktrina, për të përfunduar te vetë qytetërimet, që mendohet se do të përplasen.
Ajo që kishte nisur nga syri dhe nga veshi, shkoi shumë më larg se ç’pritej.

V
S’mund të thuhet se njerëzimi ka qenë shpërfillës ndaj rrezikut. Në një mënyrë ose një tjetër, në mos drejtpërdrejt, tërthorazi ai është përpjekur të krijojë antidote kundër këtij tmerri. Kërkimi i kritereve për të përcaktuar “tjetrin” ka qenë një nga përpjekjet për kufizimin e së keqes. Përtej pamjes dhe gjuhës, që në mënyrë tepër të dukshme por tepër të rëndomtë, përcaktonin “tjetrin”, njerëzit edhe në zonën e trupit kërkuan diçka më të thellë. Te shumë popuj, në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, vëmendja u përqendrua te gjaku. Ka mbetur jo fort e qartë përse u kërkua dallimi pikërisht te diçka, që jo vetëm nuk e dëshmonte dallimin, por dëshmonte të kundërtën. Mund të interpretohet kjo si një thellim i së keqes, pra, i kërkimit të dallimit edhe atje ku ai është i fshehur mjeshtërisht, ose e kundërta, për ta vënë në dyshim xanxën ndaj tij.
Gjaku ka tërhequr gjithmonë kureshtjen e popujve. Si rrjedhojë e kësaj ai ka marrë një ngarkesë të theksuar simbolike, mitike e shpesh fataliste. Përfytyrimet e kryehershme për të mund të merren si skicimet e para tepër primitive e, natyrisht, fantaziste të gjenetikës së ardhshme. Ngjyrimin fatalist ia jepte fakti që për grekët e vjetër, për shembull, gjaku që del nga trupi njerëzor nuk kthehet më kurrë në trup (çka në kushtet e mosnjohjes së transfuzionit ishte e vërtetë). Ky moskthim i gjakut identifikohej me “të pakthyeshmen” në përgjithësi. Një ngjyrim tjetër të ngjashëm ia jepte ajo që quhej “lidhje e gjakut”, e cila, sipas të vjetërve, shpjegonte afeksionin midis njerëzve të familjes, të fisit, madje të një klani të gjerë. Që këndej nuk ishte e vështirë të kalohej te pastërtia ose fëlligështia e gjakut, me të gjitha ndërlikimet që sillte ajo, për të përfunduar te “zënia e gjakut”, zanafilla e parë e pendimit, e brerjes së ndërgjegjes, me të cilat është marrë aq shumë tragjedia greke.
Përftimi i gjakut si një identifikim i brendshëm, një farë karte identiteti e një fisi, e një klani, madje e një kombi të tërë, do të jepte dy rrjedhoja tragjike: e para, krimet në emër të pastërtisë së tij; e dyta, krimet në emër të gjakmarrjes. Të dy modelet i gjejmë në poemat homerike e ende më qartë në teatrin grek. Ndërkaq, shekujt e mëvonshëm do të kapërcenin dukshëm modelet antike, për të arritur gjer te Holokausti i lemerishëm kundër hebrenjve, në mesin e shekullit XX.

VI
Kronika e “tjetrit” ka pasur e, me sa duket, do të ketë nevojë për ushqim të ri. Ankthi i dikurshëm i mosgjetjes së huritëve prej hititëve, në njëfarë mënyre është përsëritur shumë herë në botën tonë. Është një e vërtetë e njohur se kur “tjetri” mungonte, ai do të kërkohej. E natyrisht, kur nuk gjendej, do të shpikej.
Luftërat civile, ato ku kundërshtarët e kishin gjithçka të njëjtë, pamjen, gjuhën, madje dhe atë që ishte vështirë të vërtetohej, gjakun, ishin po aq të egra, në mos më shumë se të tjerat. Idetë e ndryshme ishin të mjaftueshme për të prodhuar urrejtje, po aq sa derdhja e gjakut. Besimet fetare, gjithashtu.
Një rivalitet i çuditshëm u shfaq midis lidhjeve të gjakut dhe atyre të doktrinës. Nazistët, ndonëse ishin të magjepsur pas mistikës së gjakut, gjersa u hynte në punë kundër hebrenjve dhe popujve të nënçmuar prej tyre, nuk mëdysheshin ta shkelnin atë me këmbë, kur ishte puna për besnikërinë ndaj nazizmit dhe Führer-it. Kurse për tiranitë komuniste shkelja e lidhjeve njerëzore, në emër të besnikërisë ndaj doktrinës, u kthye në një bast të madh. Për familjen e re, atë “doktrinare”, u ngrit një propagandë e tërë, e ndihmuar nga artet, filmat, poemat dhe dramat e pafundme të një epoke të çmendur.
E pavarësisht se kjo fjalë përdoret përherë e më shpesh në gjykimin e ngjarjeve, asgjë nuk pengon që tmerri të përsëritet. Si rrallëherë në historinë e njerëzimit po kërkohet, po shpiket, po jepet alarmi, po përgatiten armët, për të goditur “tjetrin”.
Pyetja e vjetër, atje te gryka e shpellës, përsëritet e përsëritet pa pushim.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›