Trëndafila në dëborë
E diel, në mëngjes lexova “albanian e vogël”
Roland GJOZA
Dita e parë e marsit, e diel. Lexova “albanian e vogël” në mëngjes, takova Zija Çelën dhe të birin, Dritanin. Sa e pakohë dhe e palëndët është letërsia. Ajo s'ka nevojë per mish e për kocka, i mjafton qielli, ndoshta dhe një katedrale njujorkeze, që unë po e kërkoj nëpër stuhinë e dëborës.
Pranvera e sivjetme po hyn me stuhi dëbore. Makinat kanë ngecur në parkinge, duken si dengje me re. Nuk di ku jam, në tokë kurrsesi, ndoshta në qiell përsëri. Sapo isha ndarë nga leximi i historisë së përjetshme të atit dhe birit. Biri që është, ndonëse vonohet, ah, kjo vonesa prej shpengimeve rinore, ati që ngutet të takohet e të sugjerojë e të korrigjojë diçka. Ai do të korrigjonte edhe vete ligjësitë mistike, asimetrinë e vdekjes dhe të jetës, rendin paradoksal, jo sipas moshës, por sipas urdhërit të fshehtë, që gjithsesi na duket mizor. Ai nuk lë vend për sakrificën. Ati mund të kishte ikur, sikur t'i kërkohej dhe biri mund të kishte mbetur. Por me një atë si Zija Çela, poet i prozës moderne, në kulmin e fuqive krijuese, biri prapseprapë mbetet. Ata janë bashkë, kurrsesi të ndarë, se shkrimtarët bëjnë sfida dhe sfidat u shkojnë.
Unë mezi eci në dëborë, se sot është një ditë që shtëpia s'të mban, shkollat janë mbyllur, shumë njerëz nuk kanë shkuar në punë, se është e pamundur të nxjerrësh makinën nga bora. Dua të pi një kafe diku, dua patjetër të pi një kafe dhe të shoh nga xhamat borën që bie furishëm me erë. Po shkrimi për atin dhe birin, përkthimi, bisedat e tyre kokë më kokë, shkelja e syrit (kushedi sa të bukur e kishte dhe sa e tmerrshme duket që tashmë mungon), besnikëria në zgjedhje dhe në shije, tregimet e famshme të Buzzati-t, “Kolombra”, “Kapota”, “Gungat e Kopshtit”, “Ashensori”, “Gruaja me flatra”, “Nata me hënë”, “Minjtë”, që nuk gjetën në përkthim mjeshtra të dytë si ata. I lexoj përherë, janë tregime të jashtezakonshme. Punuar me po atë limë floriri të skrivanisë buzzatiane.
E pi kafen, po s'më rrihet më në lokal, dal në stuhinë e dëborës dhe mësyj katedralet e Queensit, dua patjetër të kujtoj Tanin, se me 4 mars ka përvjetor, u bënë tri vjet… Në rrugën “Kopenhagen” katedralja e Shën Mërisë është mbyllur, grumbulli i borës pothuaj e ka mbuluar portën me qemer hekuri. Është një kopje e Notre Dame tëParisit, por më e madhe, ndonëse jo aq madhështore, sepse përballë janë kullat e Mahnatenit, përplot bukuri kozmike. Rri te shkallët dhe dëgjoj mbytur erën në kambanore, shoh kambanat e mëdha të lyera me flori, borën që bie vazhdimisht dhe mendoj për Zotin e madh lart në qiell, i cili na e mori Tanin për vete. Zbres shkallët dhe, te nje groseri kinezi, blej një tufë të madhe me trëndafila të kuq. Sot ai do të merrte lule po të isha në Tiranë, Dritanit i shkojnë lulet, trëndafilat përmbi mermer.
Si zakonisht, te Rozmari Park janë ulur shqiponjat e bardha të oqeanit. Gati njëqind shqiponja të mëdha, që hapin dhe mbyllin krahët në dëborë, ata krahët mahnitës që shkundin pupla në ajrin gri dhe lëshojnë herë-herë vigma dashurie. Sa herë bën stuhi ato vijnë, lënë qiejt që ulën shumë dhe shëtisin në parkun e lodrave me një madhështi të rëndë, krejt të huaj, tronditëse. Rri dhe i këqyr për një kohë të gjatë, ato sikur kanë ardhur enkas për të kërkuar diçka në tokë. Çudi, ato janë shqiponja të oqeanit, dashurohen në qiell, ushqehen në suvalat e mëdha dhe rrallë, shumë rrallë ulen në tokë, si të nxitura nga një peng gjenetik.
Aty i lë trendafilat, në dëborë pranë tyre, i ngul në një pirg të madh dhe, nuk e di pse, ndjehem i lehtësuar, gati me besohet se ai peng i vjetër janë trendafilat e kuq të Tanit.
9 Mars 2009