Çfarë hyn në shpirt është muzg
Faruk MYRTAJ
Nëse do të zgjidhnim prej poezive të librit “...një udhë për në shtëpi” të Majlinda Bashllarit një varg të parë, mirëseardhjeje për lexuesin, do të ishte pikërisht ai që lehtësisht e përdora në titull të këtyre pak rreshtave. Ka kohë që poetët s’e kanë për mbarë të përdorin fjalën “frymëzim”. Se a nuk është paksa errët përqark? A nuk jemi bërë më të ftohtë? A nuk jemi në ikje, të gjithë? “Çfarë hyn në shpirt është muzg...” S’e kemi lehtë të gjejmë dot fjalën që na kërkohet përballë vetes, apo tjetrit që e duam/na do:
Më mirë më shih në sy, por pa ngecur
Në rrethinat e të zezës
Dhe në cirkat e shndritshme të bebzës,
Hyrë thellë aty, ku edhe rrezja
Ka frikë e kthehet mbrapsht...
.............
Zot, si na zuri kështu sëmundja e fjalëve...
Si po vdesim përditë prej kësaj kolere...
(“Nuk mjafton të flasësh”)
Mbyllemi në një botë të hapur, vogëlohemi në një botë të madhe, duhemi por s’njohim veten. Poezia ofron groteskun e falshëm të njeriut të sotëm:
...gratë dhe burrat e vegjël,
Tek shtyjnë portat e rënda
Të madhështisë...
(“Shkurtohen udhët”)
Nisemi, nga dashuria për te dashuria, ngrihen një mijë pengesa, llogarisim atë që kemi ndjenjë, ndjejmë pasi llogarisim mëdyshjet:
…kurrë mos u pafshim, në mendofsh
Se lëvozhga e arrës ku kam hipur,
S’do të mbërrijë ndonjëherë...
(“Shihemi”)
E gjelbërta e hapësirave pyjore imitohet prej parkut të vogël midis pallateve, fëmijët imitojnë parakohshëm të rriturit, filmat të gjithë paralajmërojnë...
Mos ndoshta prandaj im bir, Aleksandri,
Ka zgjedhur të dashurën nga fisi i dinosaurëve?..
.....
Në heshtje i jap një bekim të frikshëm,
Unë mëma-madre-materia,
Që ende besoj tek Dashuria,
Por jo tek Njeriu...
(“Lajme lufte në tryezë”)
Sepse:
...sepse jam bërë moderne, e dashur nëna ime,
Përtoj të flas me ty. E ç’mund të flas me ty?..
(“Sepse jam bërë moderne”)
Por dhimbja e malli, nëna është aty, pashmangshëm:
Nuk dua të trishtohesh që sot, biri im,
Qielli yt është ende prej kristali,
Kur një njollë shoh aty, a gërvishtje nxin,
Shpejt e fshij, me një puthje malli...”
(“Kur trishtohesh ti”)
Në të vërtetë, është udha nga ku është ardhur. Dashuria sjell dashuri, edhe kur çmimi është lart:
Nganjëherë, nëpër gjumë, ti zgjat dorën
Të më prekësh diku në sqetull,
Të dy trishtohemi
Për arsye krejt të ndryshme:
Ti për frikën mos ka mbirë ndonjë flatër,
Unë me tmerrin mos ndonjë gjëndër
Shfaqet dhe ma kthen në hi, ngjitjen...
(“Diçka pa lidhje për gjërat e trishtuara”)
Lirika, lirizmi, nuk shterojnë, si ujrat e kthjellët malorë, që gërryejnë edhe shkëmbin, dhe thinjin fisnikërisht ujvarën...
...E fikur, por e nxehtë, i verbër por i uritur,
Nisemi, territ t’i dalim matanë,
Netëve, që s’janë
As të ujkut
As të hënës...
Kur gjumi e kaplon, nxjerr syrin mbuluar
Nga floku i njomur,
Atje në terr, përtej shpatullës së tij,
Ruaj mos shfaqet ndonjë nga ato
Motrat.”
(“Dashuri gruaje”)
Individi duket është zbulues i botës: në të vërtetë, është një zbulues i vetes:
...dua të gjej diçka më të mirë se ky shi,
dicka më femër se gjysma e hormoneve të mia,
dicka më lepur se frika që dridhet në bark,
dicka më shpirt se sozia ime,
që bridhte këtej pari,
dymijë vjet të shkuara...
............
Duke kërkuar një iluzion tjetër,
Krejt si e nxehta jote mbi lëkurën time...
(“Krisur”)
Me atdheun e lënë është e njëjta histori:
...O perëndi, çfarë të bëj
Me këtë dashuri të pakthyer.
Tempull, ku gjithë jetën
Jam falur
Pa u rrëfyer.
(“Një udhë për në shtëpi”)
Gjërat mungojnë, Atdheu është larg: realitetet e braktisur kanë prirjen të
mos mbeten gjatë ëndërr:
...Femrat e duan këngëtarin,
Që nuk harron të na kujtojë
Se vendi ynë është atje,
Dhe me gisht shënon gabimisht Uest-in
Shqipet mbajnë frymën një çast,
Por vrikthi e flakin tej mendimin
Se mund të treten këtu.”
(L. alteregos sime)
Madje edhe pse:
Çuditesh pse fisi nga vij
Fjalën e fundit e thotë të parën
Dhe atë më të fundit,
Vdekjen,
Nuk e pranon...”
(“Dimër 2007”)
Dashuria është thjesht dorëzim përballë natyrës, zbulim, pafshehësi, lojë pa humbës:
...si e çliruar nga të gjitha peshat,
Derdhet e tëra në një përqafim lektisës,
Me detin...
Kjo duhet të jetë... dashuria, thotë pas pak
E habitur se njerëzit, nganjëherë,
E ndërlikojnë më shumë se ç’duhet jetën.
(“Për gocën që lahet në det lakuriq”)
Janë të gjitha, i kemi të gjitha, por është trisht i madh. Poezia ngre mall dhe malli është mungesë, ikja është provë për lidhje të fortë, çka mbetet çift mbetet përgjithnjë:
Jemi humbës, kiddo...
Që nga momenti kur i pamë njerëzit
Të shterueshëm e tragjikisht qesharakë.
Jemi humbës... vogëlush,
dhe s’ka Noe të shpëtojë farën tonë.
(“Jemi humbës, kiddo”)
Dashuria vjen shpëtuese: duke humbur bashkë, fitohet, edhe pse fjalët kanë dukje tjetër:
Patjetër ne të dy
Do gjejmë dy bileta,
Të zemë një vend në arkë,
Që prapë të jemi bashkë,
Kur të shpërthejë stuhia...
O Zot, them prapë me vete,
Pse jam kaq i pafat?
(“I thashë dikur asaj...”)
Nëse “Çfarë hyn në shpirt, është muzg...” ishte i pari varg, “Çfarë del prej tij është dritë,” do të shërbente më së miri si vargu i ndarjes me këtë libër krejt të veçantë. Që joshesh ta lexosh përsëri. Është ngjizje ndjenje dhe mendimi.
Ofruar dashurisht, prej një poeteje që ngjitet.
9 Mars 2009