E Shtunë, 31 Tetor 2026

PASTRIMI I SHESHIT



Eqrem BASHA

Ende nuk kishte aguar, por një kaltri e mekur varej në fund të rrugës si perde e rëndë, pas së cilës lëngonte drita e zbehtë. Edhe pse lindte një ditë tjetër, dukej sikur gjithçka vdiste. Vetëm konturet e petkut të ri e dallonin sheshin nga vdekja e përditshme - këpucë, xhaketa të grisura, mbeturina të letrave, pankartave dhe - pulla, taka, vathë, cigare, krehër, çelësa, basma..., gjithë ç'mbetej këndej nga ne pas rrëmujës së përgjithshme, kur bëhej lëmsh qendra e qytetit.
Ky mëngjes, megjithatë, sillte një risi, siç sjellin të gjitha mëngjeset në këto anë, e që s'ishte parë në manifestimet tona të tjera - qirinjtë.
Qirinj të tretur, të gjithë të shkrirë, të rrëzuar e të shkelur, të derdhur dhjami, me vazhda të ngurtësuara si pikat e qumështit në muret e Rozafës, krijonin radhë simetrike në të dy anët e rrugës, që të shpinte nga sheshi dhe rreth fontanës së madhe në mes të tij. Por kishte ende ndonjë bisht që bënte dritë, duke dhënë shpirt, fare zbehtë, fare zbehtë... E mbrëmshmja kishte qenë natë përkujtimore, e para që kujtonte të vdekurit e manifestimeve të mëhershme.

* * *
Në fillim, sheshin e vdekur e kapërceu një qen, që nuhaste ngado dhe rraste turinjtë në hurdhëzat e gjakut të mpiksur, andej nga kishin rënë viktimat e një nate më parë. Pastaj u duk një makinë policie me xhama të mbuluar, e cila lëshoi nëpër rrjetat e hekurta rasterin e dritës anës trotuareve.
U ndal para fontanës, hapi dyert dhe, prej saj, zbritën dy policë të maskuar që tërhoqën nga shtylla e betonit parullën e madhe LIRI-DEMOKRACI. E mbështollën dhe e futën brenda. Makina pastaj u zhduk, duke kthyer sërish heshtjen në shesh.
Mëngjesi po zbardhte me zor, sikur të ishte mallkuar mos u zbardhsh kurrë! Asgjë s'lëvizte, asgjë s'pipëtinte. Rruga, që kishte zier e vluar tërë natën, me këtë qetësi sikur ia shkurtonte jetën ditës, që lindte e ftohtë. As kënga e egër, çmendurisht e klithur, e dy ushtarëve të dehur, që përshkoi si një prerje rrëqethëse e thikës së ndryshkur, nuk e shkundi këtë vdekje.
E kaltra, në skaj të rrugës, më në fund u zbeh e u zbardh, ndërsa këpucët, xhaketat, letrat dhe pankartat, pastaj - pullat, takat, basmat, vathët, krehrat, çelësat... humbën konturet dhe filluan të duken objekte të gjalla dhe konkrete.

* * *
Askush nuk e kishte diktuar deri tash.
Kishte qëndruar i shtangur, pa lëvizur, dhe e dinte se drita e ditës do ta tradhtonte. Tërë natën e kishte kaluar në mes të shkurreve të dendura para fontanës, i harruar nga ata që e kishin qëlluar dhe e kishin hedhur në një anë, për t'u kthyer dhe për ta marrë më vonë. Ftohtësia dhe stërkalat e ujit e kishin mbuluar me vesë e gjethe.
Sheshi nisi ringjalljen si përditë, me zërin çjerrës të rrotave të palyera.
Pastaj u duk karroca e dorës, dhe me të pastruesi i sheshit, që mblidhte një nga një mbeturinat e protestës së një dite më parë. U ndal pak para tij dhe provoi një këpucë, që e gjeti aty. I binte tamam.
La karrocën dhe filloi të sillej anash, duke kërkuar këpucën tjetër. Atëherë e pa.
Kush je ti, i tha.
Jam nga tanët.
Ç'kërkon këtu?
Më vranë. Nuk lëviz dot.
Po këpuca, jotja është?
Po. Tjetrën e kam në këmbë.
E kisha tamam.
Ndihmomë të dal.
Pastruesi i sheshit shikoi anash. Nuk ishte askush. Vetëm nga larg dëgjohej një ulërimë e vetme, si njëfarë thirrje ujku, e qenit që i leh hënës së vonuar apo e kafenesë që ka pritur mëngjesin.
Ai i hapi shkurret dhe e zuri për këmbësh. Duke u zmbrapsur, u rrëzua dhe i mbet këpuca në dorë. Ashtu, i ulur siç ishte, mbathi këmbën tjetër dhe u ngrit. E zuri me të dy duart dhe e nxori nga shkurret.
Do të kërkojnë... Ke fat që kalova këndej dhe që jam i joni, i pëshpëriti në vesh.
Shikoi edhe një herë anash dhe e mbërtheu për beli. Por dëgjoi kërcëllimën e eshtrave dhe u tremb.
S'ka gjë, i tha ai, janë brinjët e thyera.
Pastruesi i sheshit i dha të shtyrën dhe e futi në karrocën e dorës, duke fshirë pastaj duart nga gjaku i mpiksur.

* * *
Drita e mëngjesit tashmë kishte zbardhur të gjithë sheshin. Ishte zhdukur kaltërsia dhe frynte një fresk i lehtë.
Nuk ndihej as ulërima e qenit, as makina e policisë, as kënga e ushtarëve të dehur. Vetëm fishkëllima e njohur e rrotave të palyera.
Pastruesi i sheshit vazhdonte të mblidhte këpucë, xhaketa, mbeturina letrash, pankartash dhe - pulla, taka, basma, vathë, krehër, çelësa... gjithë çka kishte mbetur nga përkujtimi i djeshëm i viktimave të mëhershme, dhe i hidhte në karrocë.
Kur policët zunë vende në dy gjysmërrathët e sheshit dhe filluan kontrollin e përditshëm, karroca e vogël kishte mbaruar punë në varrezat e qytetit, kurse ne, të strehuar nëpër shtëpi, shëronim plagët dhe numëronim të vdekurit.

Eqrem Basha (Dibër, 1948) është i njohur si autor i më shumë se 15 veprave në poezi, prozë, dramë, skenarë filmikë, por edhe si përkthyes i letërsisë moderne evropiane të shekullit të XX (J.P. Sartre, E. Ionesko, G. Ungaretti, A. Malraux, S. Beckett). Siç ka vërejtue R. Elsie, ky shkrimtar i ka ofruar përherë lexuesit “një vështrim qytetar mbi realitetin dhe shijon absurditetet e jetës së përditshme”.

Eqrem Basha, ndër të tjera, ka botuar:

Opuset e Maestros (1971), Shëtitje nëpër mjegull (1971), Stacionet e fisnikëve (1972), Polip - ptikon (1974), Yjedet (1977), Mëngjesi i një pasditeje (1978), Atleti i ëndrrave të bardha (1982), Udha qumështore (1986), Brymë në zemër (1989), Zogu i zi (1995), Dyert e heshtjes (2001), Alpinisti (2004). Sapo ka dalë në qarkullim vëllimi me tregime “Shtëpia e mallit”, botuar nga Ideart.

9 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›