Gerwin Bell: Shqipëria, mjedis i favorshëm biznesi dhe nxitëse e investimeve të huaja direkte
FMN: Ekonomia shqiptare, në rritje edhe vitin e ardhshëm
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson si ambiciozë parashikimet e qeverisë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Ish shefi i FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell thotë gjatë një interviste për programin në shqip të “Zëri i Amerikës”, se viti i ardhshëm për ekonominë shqiptare parashikohet të jetë më pozitiv se ekonomitë e tjera evropiane. Sipas Bell, edhe pse tkurrja ekonomike në Eurozonë do të vazhdojnë, për ekonominë shqiptare të dhënat janë më optimiste çka rrit besueshmërinë institucioneve financiare. Ai thekson se garanci solide për financat e vendit, jep edhe sektori bankar solid dhe i painfluencueshëm nga rreziqet e krizës në eurozonë. Lidhur me krizën e rëndë ekonomike në dy vendet fqinje me Shqipërinë, Greqi dhe Itali, ish shefi i FMN-së thotë se ekonomia shqiptare, është ekonomie e shkathët, e cila do të thithë investimet e larguara nga dy vendet në krizë
Si po ecën ekonomia shqiptare në kushtet e një kulmi të ri të krizës europiane?
Ka shqetësime të reja përditë. Deri tani ekonomia shqiptare nuk ka ecur keq dhe kjo është pjesë e fenomenit të ekonomive të reja që gjatë vitit të kaluar kanë qenë më imune ndaj krizës se sa ekonomitë perëndimore më të përparuara. Por tani po hyjmë në një fazë të re, të rrezikshme në Evropë. Sot pamë se interesi për bonot e Italisë arriti 7 për qind. Këto janë kohë shumë të vështira në tregjet financiare të gërshetuara me ngadalësimin e ekonomive. Fondi Monetar llogarit tani një rrezik të madh për recesion teknik në më shumë se një ekonomi të madhe evropiane. Kjo do të ketë pasoja për Shqipërinë patjetër dhe kjo do të ndodhë pavarësisht nga çfarë ka arritur Shqipëria ekonomikisht.
Qeveria shqiptare pretendon se rritja do të jetë 4.3%. Ndërsa ju po e ulni edhe më tej parashikimin tuaj. A mendoni se qeveria nuk po përgatitet për skenarin më të keq dhe po shpreson për skenarin më të mirë?
Ka dy efekte të asaj që kanë bërë autoritetet shqiptare. Ne kemi parë një rënie të ndjeshme nga rritja ekonomike e lartë mes viteve 1999 deri në 2008-ën. Pra rritja 6 apo 7 për qind u bë e zakonshme. Gjatë viteve të fundit kemi parë një rritje prej 3 apo 3.5 për qind. Qeveria shqiptare këmbëngul te 7 për qindëshi, por edhe nga kjo shifër në atë që pretendohet tani, për 4 presje 3 për qind, prapë është një rënie e madhe. Fatkeqësisht ata nuk po e ulin parashikimin aq sa ne e shohim. Kjo ka ardhur për shkak të parashikimeve për inflacionin, që qeveria shqiptare mendon se do të jetë më i ulëta se sa e parashikojmë ne.
Si mund ta mbushë Shqipëria hendekun e krijuar nga pakësimi i investimeve dhe rënia e të ardhurave nga emigrantët?
Shqipëria ka forca dhe ne i theksojmë ato – sistemi solid bankar, një sistem që ndryshe nga sistemet bankare evropiane ende po jep kredi me një ritëm të lartë. Pra shohim një rritje të shëndetshme të kreditit në Shqipëri që nuk e shohim në shumë vende të tjera. Në vend ka besim te sistemi bankar dhe depozituesit janë të qetë të fusin paratë e tyre. Shohim disa pika të forta strukturore për një mjedis të favorshëm biznesi që jep nxitje për investimet e huaja direkte.
Ka politikanë dhe analistë optimistë që thonë se Shqipëria mund ta shfrytëzojë krizën në Greqi dhe Itali për të tërhequr investime. A mendoni se Shqipëria i ka instrumentet e duhur për të bërë një gjë të tillë?
Krizat sjellin gjithmonë mundësi. Shqipëria e ka provuar veten si një ekonomi e shkathët që mund të shfrytëzojë rastet, si për shembull zhvillimi i energjisë hidrike, në përgjigje të shqetësimeve të Evropës për uljen e emetimit të gazeve karbonikë, apo zhvillimi i shpejtë i industrisë tekstile dhe këpucëve, ndërsa prodhuesit aziatikë u bënë më të shtrenjtë. Por kriza është gjithashtu një element, që në se je një vend i vogël dhe i varur, të merr me vete pavarësisht sesi vepron. Prandaj ne si FMN po ndihmojmë ekonomitë e zhvilluara për të mos e përçuar këtë efekt tek vendet të vogla si Shqipëria, pasi ky është një rrezik real.
Mandati i guvernatorit Fullani ka përfunduar më 28 tetor dhe Banka ende nuk ka një guvernator të mandatuar. Ju shqetëson kjo vonesë?
Para se t’i përgjigjem kësaj, është e rëndësishme të shohim institutin për të cilin po flasim. Banka e Shqipërisë duhet të jetë një institucion i pavarur nga politika dhe politikanët që t’i lejojë ata të marrin vendime të vështira, ndoshta jo popullore si rritja e interesave apo kërkesa që bankat të kenë më shumë kapital. Ka kaluar më shumë se një javë por guvernatori i Bankës është pa mandat. Kjo nuk është gjë e mirë të kesh një institucion të pavarur që drejtohet nga njerëz që nuk kanë mandat. Nuk dua të komentojë për meritat e personit të zgjedhur, por është e rëndësishme që të zgjidhet një person i kualifikuar me një mandat të qartë. Sigurisht guvernatori Fullani është një njeri i kualifikuar dhe këtë e ka provuar por dua të theksoj që të respektohet mandati i guvernatorit dhe bordit që ata të mund të marrin vendime ndoshta politikisht të vështira. Në se institucioni varet vetëm nga një person atëherë nuk është institucion. FMN-ja e sheh integritetin e këtij institucioni si shumë të rëndësishëm, si një tipar themelor të stabilitetit financiar dhe të politikave të qëndrueshme monetare. Ky është një element që Shqipëria e ka zhvilluar gjatë viteve, me sjellje profesionale dhe personel profesional dhe të pavarur nga politika. Është e rëndësishme që kjo të vazhdojë dhe të forcohet edhe më tej.
Marrë me shkurtime nga “Zëri i Amerikës”