Gëte në vend të Pushkinit
Sektori i arsimit në Rusi po përjeton një bum. Prej vitit 1990, numri i studentëve u dyfishua në 7,5 milionë. 67% e atyre që përfundojnë shkollat në Rusi, ndjekin studimet e larta. Gjermania - më e preferuara për studentët
Sektori i arsimit në Rusi po përjeton një bum. Prej vitit 1990, numri i studentëve u dyfishua në 7,5 milionë. Aktualisht, 67% e atyre që përfundojnë shkollat në Rusi, ndjekin studimet e larta - në Gjermani ndjekin shkollat e larta vetëm 36%. Një qëndrim në botën e jashtme është për shumicën e studentëve pjesë e studimit - Gjermania është nga vendet më të preferuara për studentët. Marajke Aden kërkoi në Shën Petërburg arsye për këtë, për shembull në mësimin e gjermanishtes të Institutit “Gëte”:
"Të kapësh paqe, të vendosësh paqe? Si i thonë tamam? Mësuesja: Ah, shkruani diçka... Olga qesh: Një gjë çfarëdo?"
Hutimi i tetë nxënësve në kursin e shkallës së lartë të gjermanishtes të Institutit “Gëte” është i madh, ndërsa fletët që duan të mbushin në ushtrimin e gramatikës janë thuajse bosh. Sonte në darkë, në orarin e studimit ka gramatikë të thatë e shumë të ndërlikuar. Edhe 21-vjeçarja Olga, e cila studion arkitekturë në Shën Petërburg, e di se ka nevojë për njohuri të mira të gramatikës gjermane, për ta realizuar ëndrrën e saj:
"Unë dua t'i vazhdoj studimet në Gjermani, ndoshta t'i vazhdoj atje studimet për master, sepse gjermanët kanë më shumë përvojë në fusha të caktuara, për shembull në arkitekturë. Më vonë unë dua të kthehem sigurisht në Rusi, ku të zbatoj njohuritë e mia". Për studimet e masterit, të cilat synon t'i bëjë në Gjermani, Olga shpreson të marrë ndonjë bursë, për shembull, nga Shërbimi i Shkëmbimeve Akademike Gjermane, DAAD. Më vonë asaj do t'i pëlqente të punonte gjermanisht dhe rusisht. Raste për këtë ka mjaft. Kështu për shembull, një sipërmarrje gjermane po ndërton aktualisht aeroportin e ri të Shën Petërburgut. Drejtori i Qendrës Informative të DAAD-së në Shën Petërburg, Markus Lorenz Mathyl e di se projekte si këto ua bëjnë tërheqëse Gjermaninë studentëve rusë:
"Që Gjermania është partneri më i fortë ekonomik i Rusisë, kjo ka natyrisht pasoja në sektorin e arsimit. Këtu vlen që ekziston një nevojë për studentë rusë të shkolluar mirë, që kanë fituar një kualifikim shtesë në Gjermani, i cili u mundëson të zënë një pozicion drejtues në sipërmarrjet gjermane ose gjermano-ruse".
Vendi më i preferuar për rusët, që duan të studiojnë në botën e jashtme është Gjermania - edhe përpara Britanisë së Madhe, SHBA-së dhe Kinës. Aktualisht, në universitetet gjermane studiojnë 12 mijë studentë rusë që e financojnë vetë studimin, përveç këtyre edhe disa mijëra bursistë. Ata interesohen për lëndë fare të ndryshme:
"Shkencat inxhinierike, shkencat natyrore, arti, muzika, por edhe drejtime të specializuara, të cilat nuk kanë ekzistuar në 60 deri 70 vitet e fundit; shkencat sociologjike, psikologjike dhe historike - po të cilat më parë shërbenin për të justifikuar ekzistencën e partisë, sesa për të transportuar dije ose mendim",- thotë Tomas Prahl, drejtues i zyrës së DAAD-së në Moskë. Për të tërhequr sa më shumë studentë të superkualifikuar në Gjermani, iniciativa federale gjermane "High Potentials" organizon rregullisht panaire arsimi në Rusi. Një herë në vit, 50 universitete gjermane prezantohen në Moskë dhe në një qytet tjetër rus - vjeshtën e kaluar ishte Shën Petërburgu. Edhe Olga u informua atje si mund të siguronte bursa:
"Po, kjo është e vështirë. Duhet të flasësh patjetër shumë mirë gjermanisht dhe t'i përfundosh këtu shumë mirë studimet".
Më parë, ajo duhet të kalojë testin "Gjermanisht, si gjuhë e huaj", i quajtur shkurt Testaf, dhe të marrë një lloj patente gjuhësore. Kjo patentë të duhet kur je i huaj, për t'u regjistruar në shkollat e larta gjermane ose për të konkurruar për një bursë". Prandaj Olga vazhdon të studiojë gramatikë në Institutin “Gëte”, në mbrëmje pas universitetit, kur të gjithë shokët e saj ka kohë që janë në shtëpi. Sepse vetëm në këtë mënyrë do të kthehet në realitet ëndrra e saj për të studiuar në Gjermani.