Ky është kulmi
Ndonëse administrata e Kombeve të Bashkuara i pati shpallur si jo legjitime zgjedhjet e Serbisë, të mbajtura edhe në Kosovë, më 11 maj, përpjekjet serbe për t’i themeluar pushtetet paralele sipas këtij rezultati nuk pushuan. Për shumëkënd këto tentativa shiheshin nga prizmi i asaj për siç thuhej për orvatjet e lidershipit serb, si qëllime të konsumit të brendshëm politik. Por ja që nuk doli bash ashtu. Serbët, përkatësisht “liderët” serbë të dalë nga “zgjedhjet” e 11 majit morën një vendim tejet shqetësues, që konsiston në cenimin e drejtpërdrejtë të sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Ata vendosën ta themelojnë Kuvendin e përkohshëm serb për Kosovën. Konstituuan kuvendet paralele komunale serbe në veri të Mitrovicës dhe tri komuna të tjera në veri të Kosovës. Vërtet ky është kulmi. Në anën tjetër, UNMIKU, si autoritet ende numër “1” në Kosovë, mjaftohet vetëm me lëshimin e deklaratave nëpër masmedia. Asgjë konkrete në parandalimin e akteve që kanë të bëjnë me cenimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, tashmë të njohur nga shumica e superfuqive ekonomike, politike e ushtarake. Nga kjo pikëpamje, mendoj se edhe institucionet legale të shtetit tonë do të duhet të jenë më të vendosura në dhënien e përgjigjeve të duhura ndaj çdo përpjekjeje për legalizimin e ndarjes së Kosovës. Kuptohet, efikasiteti i përgjigjeve për t’i parandaluar prirjet e tilla arrihet në koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, SHBA-BE.
Tek e fundit, shpallja dhe bërja e shtetit të Kosovës është arrirë në marrëveshje me shtetet më relevante të bashkësinë ndërkombëtare. Më 15 qershor hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe pse roli i UNMIK-ut akoma nuk është saktësuar pas datës në fjalë. Pas kësaj dite Kosova duhet të tregojë se po funksionon vërtet si shtet. Në Kosovë duhet të mbretërojë ligji dhe rendi kushtetues për të gjithë, pa përjashtim. Askush s’mund të jetë i privilegjuar për faktin se i takon këtij apo atij komuniteti, askush, asnjë komunitet s’mund të konsiderohet i rendit të parë e dikush tjetër i rendit të dytë e kështu me radhë..., asnjë komunitet nuk mund të konsiderohet superior e të tjerët inferiorë. Jo, këtu do të mbretërojë rendi demokratik. Demokracia është e shenjtë.
Të gjithë ata që mendojnë se serbët ose dikush tjetër meritojnë privilegje të veçanta, ata thjesht e kanë gabim, ata përpiqen të shkelin mbi parimet demokratike. Privilegjimi i një shtrese në dëm të një shtresë tjetër është veprim i qëllimshëm antinjerëzor. Kosova nuk duhet të lejojë këso veprimesh. Është folur shumë, madje tejet shumë për integrimin e serbëve të veriut. Por fatkeqësisht, kjo gjë nuk ka ndodhur as sot e kësaj dite. Jo ndoshta vetëm siç jemi mësuar të themi se nuk është punuar sa duhet për veriun, jo, janë pikërisht ata vetë që nuk deshën dhe nuk duan integrimin. Slogani ynë tashmë i njohur, “Serbët e veriut po manipulohen nga politika në Beograd”, përkundër të vërtetës së madhe, mendoj se këtu ka edhe diçka tjetër.
Serbët e Kosovës, në përgjithësi, në çdo kohë kanë qenë tejet të politizuar. Serbët e veriut, në veçanti, janë të mbytur nga politizimi, janë tmerrësisht të infektuar nga ideologjitë refuzuese ndaj shqiptarëve. Këto infektime janë shekullore. Kur kësaj i shtohen lutjet e shumta, privilegjimet e papara, ledhatimet e pamerituara, ata trimërohen edhe më tej për të vazhduar me të tyren. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Ligji është ai që integron Mitrovicën, ligji është ai që garanton lëvizje të lirë të qytetarëve, ligji është ai që parandalon krijimin e sistemit paralel. Edhe propozimet e paradokohshme të Ramushit (Haradinajt), për dhënien e 2000 eurove për çdo familje serbe në veri, përkundër qëllimit të mirë të zotërisë, mendoj se as ky propozim edhe po të jetësohej si ide, efikasiteti do të barazohej me zero. Qasja e shtetit të Kosovës ndaj shtetasve të saj duhet të jetë sipas normave demokratike, barazisë dhe jo dallimeve, ku ligji dhe vetëm ligji, rendi kushtetues dhe vetëm rendi kushtetues të bëhet sundimtar i vetëm. Shekuj me radhë kemi luftuar për të pasur liri, dekada me radhë kemi luftuar për të pasur drejtësi, demokraci dhe rend kushtetues. Këto janë të paprekshme. Të mos lejojmë të na i cenojë kush. Cenimi i tyre është sakrilegj.