Prokuroria të shkojë në fund, se aty gjen fillimin
Menaxhimin e krizës së Gërdecit, socialistët kanë mundur ta bëjnë sa s’ka më bukur në interes të përfitimit politik dhe jo të zgjidhjes së problemeve të banorëve. Një grup nga socialistët kërkon me britma heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut, tjetri turret në Vorë për të organizuar grevën e urisë, ndërsa pjesa e mbetur mbulon komunikimin e këtij gatimi me mediat. Një algoritëm për t’u pasur zili dhe i mbyllur me pamjen e Edi Ames, që pasi merr një ploter të shpërthimit të 15 marsit udhëton për të biseduar për bujqësinë anembanë vendit. Prokuroria duhet patjetër të shkojë në fund të hetimit dhe të mos tentoje ta mbyllë me fillimin, siç është imuniteti i ish-ministrit të Mbrojtjes. Po çfarë mund të ketë fundi, nëse seriozisht prokuroria tenton ta bëjë këtë, e cila ka gjasa të pakta të ndodhë. Përse mendoj se janë të pakta shpresat të ndodhë ky gjest ligjor. Po në turrin e lajmeve të para, pas arrestimit të Mihal Delijorgjit rezultoi se biznesmeni ka dhe 30 pallate të paktën, në Tiranë, të cilat na i ka të gjitha me leje ndërtimi. Pa i dëgjuar fjalët dhe gojët e liga që thonë se lejet e ndërtimit në bashki nuk merren si dhuratë nga perëndia, i bie që bashkia të jetë e merakosur shumë dhe madje e frikësuar. Përse? Po a i duhet prokurorisë që të sekuestrojë këto prona për të provuar nëse ka para të dyshimta të hedhura në këtë investim? Mendoni pak ngadalë se 30 pallate në kryeqytete në një zonë të lakmuar, me shumë kate, bëjnë mijëra metra katrorë ndërtim, e nëse i shumëzon thjesht me të paktën 600 euro metri katror, pa bërë hesap dyqanet, janë miliona euro në rrezik. Po sikur shpërblesa për këto ndere të jenë kate banimi për ndihmësit e këtij biznesi? Kjo është një pistë hetimi që ia vlen të hetohet nga ekspertiza e prokurorisë. Prapë, pa dashur ta teproj, i kthehemi bashkisë që në këtë rast është tërë hije, se mos kujtohet, dhe prokuroria sekuestron dosjet e marrjes së lejeve të ndërtimit, ku mund të mungojnë jo pak dokumente që përsëri sjellin, largqoftë, dyshimet për prani parash. Ndaj bëjnë namin duke bërtitur se nuk u jepen qeratë banorëve të Gërdecit dhe fshatrave të dëmtuar, ndërkohë që ata po i marrin rregullisht. Nis greva e urisë që të harrohet se po rindërtohen shtëpi dhe kamerat që kanë dashur dhe duan ende, mund të shkojnë të pyesin (jo neë selinë e PS-së) dhe do marrin përgjigje banorësh e jo baronësh. Por lypset tension dhe ai vjen më shpejt nga e keqja, duke siguruar distancë nga një e vërtetë që kërkohet të fshihet, duke dashur opozita të mbulojë dhe zbehë turin e Berishës “Shqipëria në NATO”, që ka bërë prezent miliarda euro investime. Afro gjysmë miliardi euro janë lëvruar me vendim të Këshillit të Ministrave, një buxhet shtesë së shpejti do e rrisë këtë shumë. Kjo është e hidhur për opozitën që e ndien veten ngushtë që mazhoranca, PD-ja, e ka seriozisht të ndryshojë për mirë, të rrisë mirëqenien e qytetarëve të saj.
Por, po i kthehem dhe një herë këmbënguljes që ka shfaqur Ina Rama për të hetuar pa kompromis, duke fituar besimin dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Mirë, s’ka ku të shkojë më bukur se kaq. Në rrugën e mbarë është akuza. Meqë Mihal Delijorgji, për ca kohë president i Dinamos, klubit të Ministrisë së Brendshme, që ka ndërruar duar, ka qenë njëherë i dënuar. Ky i dënuar për fshehje parash, evazion fiskal, ia arriti të marrë dhjetëra leje ndërtimi nga Edi Rama. Besimi i kryebashkiakut te ish-i dënuari është një problem që ai ka me veten, por këtë besim nuk duhet ta ketë prokuroria. Për të shkuar më tej dhe më thellë, frika ndaj Gërdecit fshihet tek e majta dhe ka emra konkretë. Jo më kot ish-ministri Fatmir Mediu deklaroi se e di kush i çon habere në qeli Delijorgjit, ndonëse e shajnë tërë ditën. Ata mund t’i kërkojnë Delijorgjit të harrojë, të mos kujtojë, të mos thotë, të mos flasë, të mos tregojë se para arrestimit të parë, mund të këtë punuar shumë dhe fituar po aq duke pasur miq politikanë që nuk kanë mbetur asnjëherë të pakënaqur. Biznesi i hekurit dhe biznesi ushtarak i tregtisë së skrapit ka një inventar që mund të zgjojë prokurorinë. Por ajo duhet vërtet të mbajë fjalën se i duhet shkuar deri në fund, sepse në atë fund, është saktësisht fillimi. Është nisja për ata ish-ministra e politikanë të majtë që ndenjën tetë vjet nëpër karrige pushteti, që tenderat në ushtri i kanë në mendje dhe portofol. Në prokurori ka dosje të vjetra, jo vetëm për Edi Ramën, që Ina Rama mund t’i kontrollojë, ka dosje të vrasjes së ministrit të Mbrojtjes së Kosovës në Tiranë, Ahmet Krasniqi, ku shërbimi informativ është jo pak i përmendur për përfshirje të pastër në ekzekutim, por që prokurorja Rama mund të jetë duke e vlerësuar. Krimet e Rënda mund të kenë shumë dosje të tjera që kanë mbetur pa zbardhur, e në fashikujt e tyre ka vrasje dhe ekzekutime që kanë ndërruar duar monopolesh. Është një rast i mirë për t’u shkuar deri në fund dhe atyre, paçka se kanë lindur në tetë vite të qeverisjes socialiste. Në një raport të dërguar në Kuvend, në vlerësim të prokurorit të mëparshëm, thuhet se ai nuk ka fjetur mbi dosje. Jo, as që bëhet fjalë që ka fjetur, por dhe të mbeten dosjet pa dërguar në gjykatë, të dyshuarit pa hetuar, është pagjumësi. Ndaj Ina Rama t’i shkojë në fund Gërdecit, sepse Delijorgji nuk fillon aty... por druaj se opozita mund të lërë Kuvendin e të nisë ndonjë bojkot.