E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida amerikane me botën islamike

Që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë pasur një interes në rritje për të frenuar përhapjen e radikalizmit në Lindjen e Mesme përmes komunikimit më të efektshëm me grupet politike islamike të rajonit. Në një konferencë të mbajtur para pak kohësh në Uashington, të organizuar nga Qendra për Studime Islamike dhe Demokraci, disa studiues thanë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i angazhojnë më tepër këto grupe. Një studim i kryer kohët e fundit nga Qendra për Studime Islamike dhe Demokraci arriti në përfundim se shumë qeveri laike arabe kanë shfrytëzuar revolucionin islamik të vitit 1979 në Iran, për të tërhequr vëmendjen rreth përhapjes së islamizmit politik radikal, e ndoshta edhe të dhunshëm. Po ashtu ato e kanë shfrytëzuar këtë, për të justifikuar regjimin e tyre autoritar. Por studimi tregon se sa më i ashpër ka qenë qëndrimi ndaj grupeve politike islamike, aq më popullore janë bërë ato. Kjo qendër vlerëson se këto grupe tani përbëjnë rreth 30 për qind të elektoratit në vendet arabe.

Radvan Masmudi është drejtor i kësaj qendre. “Shumë njerëz në Uashington janë të shqetësuar se cili do të ishte rezultati i demokracisë, nëse për shembull në zgjedhje del fitues ndonjë grup islamik. A është kjo e mirë për demokracinë apo jo? Kjo është kryesisht logjika, e cila është përdorur nga qeveritë e vendeve arabe për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve, për të shtyrë reforma demokratike, gjithmonë duke përdorur argumentin se islamikët mund të vijnë në pushtet”.

Zoti Mahmudi thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lejojnë që udhëheqësit arabë ta paraqesin veten si alternativa e vetme ndaj një grupi të mundshëm islamik që mund të vijë në pushtet. Ai tha se është i shqetësuar se nisma e Shteteve të Bashkuara për demokraci në botën arabe është sikur është lënë pas dore.

Por Francis Ricciardone, ish-ambasador amerikan në Egjipt nuk mendon se politika amerikane për demokratizimin e vendeve arabe është dobësuar. “Të gjitha gjërat që i kemi bërë më parë po i bëjmë edhe tani dhe përpiqemi t’i bëjmë me sukses, kujdes dhe gjykim të mirë. Ne kemi dedikuar burime të mëdha për nxitjen e demokracisë në këtë rajon dhe besoj që edhe Presidenti i ardhshëm, kushdo qoftë ai apo ajo, do të vazhdojë një rrugë të tillë”.

Por ambasadori Ricciardone pranon se Shtetet e Bashkuara ngurojnë të punojë me grupe islamike që kanë një shtrirje transnacionale si Vëllazëria Myslimane në Egjipt, edhe pse anëtarë të saj janë zgjedhur në Parlamentin e Egjiptit. Ai thotë se ekziston një mosbesim i dyanshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Vëllazërisë Myslimane dhe se kontaktet amerikane me këtë grup kanë qenë të kufizuara për të mos zemëruar qeverinë e Egjiptit, e cila është kundërshtare e përbetuar e këtij grupi.

Emad Shahin, profesor në universitetin e Harvardit, thotë se Shtetet e Bashkuara me kalimin e kohës do të shkojnë drejt një politike më të gjithanshme. “Zakonisht Shtetet e Bashkuara ndryshojnë politikën kur faktet në terren ndryshohen. Në shumë raste, Shtetet e Bashkuara shikojnë situatën dhe interesat e tyre dhe në bazë të kësaj hartojnë politikat e jashtme”.

Një person i cili ka punuar shumë në përhapjen e demokracisë në botën myslimane është Saad El Din Ibrahim, një sociolog egjiptiano-amerikan dhe veprimtar i të drejtave të njeriut, i cili u arrestua nga qeveria egjiptiane në vitin 2000 dhe vuajti 18 muaj burg para se të lirohej nga akuzat. “Një gjë që kishte ndikim në bisedat e mia me islamikët kur isha në burg ishin zgjedhjet në Turqi në vitin 2002 dhe më pas ato në Marok. Unë u thosha atyre se nëse islamikët janë përkrahës të vlerave universale, atëherë duhet të përkrahin demokracinë dhe ata e kishin të vështirë të argumentonin kundër kësaj dhe kur u mbajtën zgjedhjet e vitit 2002, atëherë kjo e përforcoi argumentin tim. Në fakt islamikët u pajtuan që të ndjekin një demokraci pluraliste të stilit perëndimor”. Sikur studiuesit e tjerë, edhe profesor Ibrahimi tërhoqi vërejtjen kundër një uljeje të përkrahjes për demokratizim nga ana e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, nga frika se islamikët radikalë mund të vijnë në pushtet. Një gjë e tillë vetëm rrit pushtetin e udhëheqësve autokratë arabë gjë që ndikon në radikalizimin e botës arabe. Zoti Ibrahim thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me tepër për një dialog me shumë grupe të moderuara islamike në rajon, të cilat, siç thotë ai, besojnë në një demokraci pluraliste, ndërrim paqësor të pushtetit, barazi ndërmjet meshkujve dhe femrave dhe barazi ndërmjet myslimanëve dhe pjesëtarëve të feve të tjera.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›