E Diel, 1 Nëntor 2026

Gëzuar Vitin e Ri djem të Toçit në Tepelenë!

Pas një demonstrate paqësore në rrugën kombëtare Fier-Tepelenë, djemtë e thjeshtë të një fshati fisnik, si Toçi i Tepelenës, po bëhen pre e lojërave politike të pushtetarëve të pashërueshëm ballkanas, këtej e përtej kufirit shqiptaro-grek. Dhe për fat të keq, në këto lojëra pushteti bie dhe drejtësia jonë, që e ka aq të vështirë të jetë vërtet e pavarur në këto vite të rënda tranzicioni paskomunist. Eshtë për të ardhur dhe ca më keq që reagimi publik, apo edhe nga numri i shumtë i shoqatave të shoqërisë sonë civile, mungon fare edhe kur dy djemtë e thjeshtë të akuzuar si "organizatorë të një demonstrate pa leje" dalin përpara gjykatës si shkelës të ligjit(!)

E gjithë kjo komedi prej puthadorësh, që për pushtetin e tyre personal janë gati të mbyllin sytë edhe kur ballanët e kserikotë krekosen majë kukucave të politikës së mykur ballkanase duke kërkuar publikisht të cenohet integriteti territorial i shtetit shqiptar, që i paguan si zyrtarë të tij dhe, nën rrogoz, duke grabitur pa të keq pronat e të tjerëve për të ndërtuar më pas vilat e tyre në lagjet e pasura të kryeqytetit grek. Po të numërosh shkeljet që i kanë bërë ligjit dhe Kushtetutës së këtij vendi, ballanët e kserikotë e përkëdhelur të pushtetit aktual të Tiranës dhe të qarqeve të mykura greke, që i bien edhe sot e këtë ditë buzukut muzeal të megali idhesë, ata të dy djemtë e mirë të Toçit fisnik të Tepelenës duhen përgëzuar e falënderuar që po përpiqen me sa munden e pa dëmtuar askënd për të na shkundur nga kjo përgjumje e pafalshme e ndërgjegjes sonë kombëtare.

Duhen përshëndetur me gjithë zemër ata djem të mirë që, edhe përpara gjykatës së trembur nga pushteti politik, dalin të mbështjellë me Flamurin Kombëtar. Duhet të shpërgjumemi të gjithë, jo se ata djem kanë nevojë për të marrë guxim nga guximhumburit e dhënë aq tepër pas kioskave të të gjitha llojeve të tranzicionit tonë rraskapitës - nga kioskat e perimeve greke e maqedonase që blejmë të gjithë me paratë e mërgimtarëve tanë e deri te kioskat e shëmtuara politike, që po rropaten të na shesin parime demokracie jo vetëm neve, shtetasve të urtë të Republikës sonë qyqare, por edhe vetë krijuesve të demokracisë në botë.

Duhet të shpërgjumemi jo thjesht për të përshëndetur ata djem të mirë të një fshati bujar të Tepelenës dhe as për t‘u kujtuar ballanëve dhe kserikove që gëlojnë e shumohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë, t‘u kujtojmë se Epiri i bukur me histori të madhe ka dhe Jug e jo vetëm Veri dhe se kohët e aneksimeve territoriale kanë perënduar. Duhet t‘u kërkojmë falje atyre djemve të mirë shqiptarë të vërtetë të Toçit të Tepelenës dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë e pa vonesë - ta bëjë shteti ynë dështak me të gjitha organizmat e tij gjysmake, ta bëjë e tërë shoqëria jonë civile, që kthehet aq lehtë në rezerviste të pushtetit apo të fondacioneve të dyshimta, ta bëjë më në fund dhe vetë drejtësia jonë aq e trembur sa, për të bërë qejfin e ballanëve dhe kserikove me shumë emra e me shumë rroga, kërkon të dënojë për "shkelje ligji" ata që duhet të mbrohen me ligj për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese që të protestojnë paqësisht sa herë ta shohin me vend e aq më tepër kur ca emërhumbur kërkojnë të bëjnë emër duke shkelur ligjet e këtij vendi, madje pa ngurruar edhe të fyejnë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, me taksat e të cilëve marrin dhe rrogën e zyrtarit.

Me bindje se këto rreshta, në mënyrën e vet, i ka shkuar nëpër mendje shumica e shqiptarëve brenda e jashtë kufijve, kur ka parë ata djem të mirë të Toçit bujar të merren si të pandehur nga gjykata shqiptare, sepse kanë ngritur Flamurin Shqiptar në rrugën kombëtare(!) - me këtë bindje dua thjesht t‘u uroj atyre djemve të mirë që me protestën e tyre të paqtë e atdhetare na kujtojnë të gjithëve detyrën e parë qytetare: GËZUAR VITIN E RI djema! Shëndet e gëzime me punën tuaj e me të gjithë njerëzit tuaj ! GËZUAR dhe FALEMINDERIT! Mos u ligështoni fare që ju marrin dhe të pandehur për "shkelje ligji", në një vend ku bëjnë përshesh shkelësit e vërtetë të ligjit! Nuk është hera e parë që shqiptarët merren të pandehur në vend të të pandehurve të mirëfilltë, por prapë ka rrojtur Shqipëria "bota që kur është zënë" dhe do të rrojë sa kohë që në trojet e veta do të rrojnë shqiptarët.

Edhe një herë GËZUAR VITIN E RI!

Ju faleminderit djema!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›