E Diel, 1 Nëntor 2026

Librat që ngacmuan egon shqiptare

Libri është produkti i një raporti tepër intim i shkrimtarit me idetë apo frymëzimin e tij. Teksa i rrëshqet prej duarve, e pret një jetë e dyfishtë. Të shfletohet mbrëmjeve, teksa lexuesit e tij e shijojnë në heshtje, ose të hidhet e të pritet në debatet e bëra me zë të lartë. Këta të fundit, ndonëse të paktë në krahasim me mijëra tituj që hidhen në qarkullim, nuk i kanë munguar as tregut shqiptar. "Të jetosh në Ishull", libri i politikanit e gazetarit Ben Blushi dhe monografia "Skënderbeu" i austriakut Oliver Schmit, kanë qenë dy nga librat më të komentuar të vitit 2008. Ndoshta edhe nuk e kishte menduar një reagim të tillë, por vetëm pak kohë pas hedhjes në qarkullim, Ben Blushi e gjeti veten protagonist të një debati të gjerë. Ndonëse shpesh jemi mësuar që tonet e larta i bën politika, këtë herë Blushi ngacmon si shkrimtar. Trilli artistik shumë shpejt u shkri në kufijtë e historisë dhe u lexua si e tillë nga pjesa më e madhe e lexuesve shqiptarë. Shtresat që reaguan ishin të ndryshme. Komuniteti mysliman e quajti një fyerje dhe nxitës të një përçarjeje mes besimeve fetare, historianët kundërshtuan momente historike të përshkruara në libër, ndërsa përshkrimi i një Skënderbeu të zhveshur nga cilësitë e veshura deri më sot të heroit kombëtar, futi në një debat të hapur intelektualë e njerëz të cilëve iu prek një simbol i fortë identiteti. Shumë e quajtën edhe si një performancë që i siguroi shitje të mëdha librit të tij. Me qëllim apo jo, në të vërtetë libri i botuar nga "Toena" mund të konsiderohet si libri më i shitur i vitit 2008. Ndërsa Ben Blushi përjetoi një tur të gjatë promovimesh e takimesh me lexuesin shqiptar. Në gjithë këtë debat që shkaktoi, ai, shkrimtari, qëndroi më së shumti në periferi. "I mirëkuptoj të gjithë ata që e keqkuptojnë. Libri është një histori shqiptare dhe reagimi po ashtu një histori shqiptare. Më shijon kur shoh sesi të marrët bëhen të urtë nga leximi dhe të urtët bëhen të marrë po nga leximi. Do uroja që "Ishulli" im të lexohej artistikisht dhe jo si një trakt apo si një doktrinë, sepse nuk është ky qëllimi. Libri nuk është kundër askujt, por është shkruar në emër të lirisë personale, e cila është e vetmja fe të cilës i falem. Dua të besoj se Shqipëria për shkak të intolerancës ka jetuar për shekuj si një ishull dhe vetëm për shkak të lirisë mund t‘i bashkohet kontinentit nga i cili e ndau liria". Kështu u shpreh në një nga reagimet e pakta gjatë kohës që libri i tij endej mes argumenteve që e mbronin apo që e rrëzonin. Nuk kaloi shumë e pas tij vjen një tjetër libër. Një i mirëfilltë historik. "Skënderbeu", monografia e austriakut Oliver Schmit, edhe pse u botua në mbyllje të vitit, nuk kaloi qetësisht. Pikëpyetjet e vëna mbi Skënderbeun, prejardhjen apo motivin që e shtyu të luftonte ndaj turqve, shkaktuan reagime të forta të historianëve, por edhe njerëzve që peshojnë me mendimin e tyre. Vetë autori erdhi në Tiranë për të promovuar monografinë. Kundërshtitë ndaj tezave të tij erdhën që në ditët e para. Ndonëse gjithë këto kohë përflitet aq shumë për rishkrimin e historisë, Skënderbeu që ofroi Schmit i kaloi parashikimet e tij. Historianë të njohur e quajtën një sulm të qëllimshëm, të porositur. Ndërsa edhe pak ditë më parë shkrimtari i njohur Ismail Kadare e quante një shenjë të përpjekjes për rrënimin e Shqipërisë. Vetë Schmit u shpreh se nuk e priste një reagim të tillë. Por edhe pse në një fundvit, edhe pse flitet për kriza ekonomike, ndjeshmëria është e lartë kur flitet për ngacmime të identitetit. E në këtë rast, me një histori që ende nuk i ka larë hesapet, madje as nuk ka filluar, do të ketë gjithnjë terren për libra që do të lexohen me zë të lartë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›