E Diel, 1 Nëntor 2026

Libri dhurate 2009

Shkrimtarët këshillojnë

Shkrimtarët ndoshta edhe lexojnë më shumë se sa shkruajnë. Edhe ata kanë modelet apo idhujt e tyre. Në këtë prag festash, disa nga shkrimtarët e njohur shqiptarë propozojnë disa tituj e shkrimtarë që lexuesit duhet t‘i marrin. Romane, poezi, analiza, ese apo kujtime të shkruara nga të huaj apo shqiptarë e në kohë të ndryshme

Dritëro Agolli

"Vëllimi i 5 poetik"

Moikom Zeqo

Unë kam lexuar më shumë librat që m‘i kanë sjellë miqtë e mi. Në një farë mënyre, miqësisht kam qenë i detyruar të lexuar ato. Të tillë libra kanë qenë të larmishëm. Disa me kujtime të njerëzve që kanë bërë jetë të pasur dhe të gjatë e disa të tjerë letrarë. Unë nuk qenë njeri me qibër për të parë vetëm kolosët e letërsisë botërore, apo ata që bëjnë bujë të madhe, që marrin çmime, përfshirë edhe "Nobel"-in. Jam përqendruar tek ata njerëz që nuk kanë bërë ndonjë bujë që të çudisin botën, por kanë një letërsi të sinqertë e që ndoshta ndonjëherë janë edhe shumë më të mirë. Një libër që do të sugjeroja është vëllimi i pestë me vepra poetike të Moikom Zeqos. Është një libër voluminoz, plot figuracion dhe paradokse, ku ana e mistershme poetike punon dhe hyn thellë në shpirtin njerëzor. Ashtu si shkencëtari që hyn nën imtësitë e kozmosit, apo të vetë planetit tonë, Zeqo hyn me poezinë në këto labirinte të thella. Unë jam i një lloji tjetër poezie, por më pëlqejnë ato që nuk i kam. Ndërsa një nga librat më të freskët që kam lexuar është "Ditët e jetës sime" të Xhanfise Kekos. Është një libër me kujtime nga jeta e saj krijuese. Një tjetër titull gjithashtu është "Ëndrra dhe zhgënjime" të Agim Meros.

Diana Çuli

"E ardhmja e lirisë"

Fareed Zakaria

Për të gjithë ata lexues që do të ishin të interesuar të lexonin analiza dhe opinione që lidhen mbi zhvillimet apo konfliktet e shoqërisë, do t‘u sugjeroja të lexonin librin "E ardhmja e lirisë", e autorit amerikan Fareed Zakaria, botues i revistës "Newsweek" dhe opinionist. Përmes analizave të tij, autori prek situata të cilat sot janë në qendër të debateve dhe të interesit tonë. Zakaria ngre pyetjen se si mund të jetë njeriu, ngre pyetje për çështjet e luftës në vendet e Lindjes, por edhe për demokratizimin e shoqërisë në tranzicion, në të cilën bëjmë pjesë edhe ne. Ky libër bestseller, për të gjithë ata që e lexojnë, do t‘i bëjë të mendojnë rreth këtyre çështjeve të nxehta që rrok. Ndërsa për gratë do të sugjeroja të lexonin librat e disa autoreve femra të botuara nga shtëpia botuese "Dora d‘ Istria".

Besnik Mustafaj

"Brirët e dhisë"

Artan Fuga

Një nga librat që do t‘u sugjeroja lexuesve në këto ditë festash është libri me ese i Artan Fugës, "Brirët e dhisë". I shkruar me gjuhë moderne, të pasur, të zhdërvjelltë, ndërthurur me problematikën e realitetit shqiptar dhe me teoritë më moderne të sociologjisë e filozofisë, Fuga prek disa nga temat tabu që i trajton pa tabu. Çështja e albanologjisë, e gjuhës shqipe, e raportit të politikës me shoqërinë, janë disa nga çështjet që Artan Fuga i sjell në një këndvështrim të veçantë. "Brirët e dhisë" është një libër që meriton të lexohet nga çdo shqiptar që di shkrim e këndim. I shkruar shumë bukur, ky libër mund të lexohet edhe si roman dhe si eseistik. Nga shkrimtarët më të hershëm do të kisha disa për të propozuar, por do të thosha që nuk duhet humbur asnjë prozë nga Mitrush Kuteli. Është një lumturi ta lexosh.

Flutura Açka

"Majat e Shalës"

Rose Lane

Do t‘u sugjeroja për lexim atyre shqiptarëve që ende nuk e kanë lexuar librin "Majat e Shalës", i shkruar një shekull më parë nga gazetarja amerikane Rose Lane. Në kushtet e debatit të identitetit, të uljes a ngritjes së virtyteve e veseve tona, një libër i tillë na shpjegon kush kemi qenë, dhe duke u ballafaquar me veten tonë të atëhershme, do ta kuptojmë çka kemi humbur, sa dhe si. Ky libër nuk na sheh pozitivisht, por vërtetësish. Më ka bërë ta lexoj disa herë. Rose Lane është një autore amerikane, e cila në vitin ‘20 pati rastin të vizitonte viset shqiptare në veri të vendit dhe atje u njoh me jetën dhe traditat shqiptare, duke mbetur e befasuar me çfarë gjeti. Pas udhëtimit shkruan një libër të rrallë, "Majat e Shalës" ("The Peaks of Shala"), në të cilin portreti shqiptar është realizuar me shumë dashuri njëherësh e me objektivitet të pashoq.

Xhevahir Spahiu

"Fije bari"

Uollt Uitman

Meqenëse unë vetë jam poet, do të dëshiroja që në hapësirën e madhe të librave poetikë t‘ju propozoja lexuesve të lexonin ose rilexonin librin "Fije bari" të Uollt Uitman (Walt Witman). Është një emër i madh. Poezia e tij jo vetëm që është prijatare e modernitetit, por shquhet për porosi të fuqishme. Janë këngë që i kushtohen lirisë dhe shpirtit demokratik, janë këngë që me frymëmarrjen e tyre të gjerë të zgjerojnë kufijtë e mendimit dhe të imagjinatës. Ato të mbajnë gjallë shpresën dhe kanë një frymë të çuditshme optimiste edhe kur njeriu është në kushte dëshpëruese si të tonat. Ato janë si një fjalë e fuqishme e ndjenjë zgjimi për njeriun dhe tregojnë dritën në fund të tunelit. Këto këngë të para 160 vjetëve i paraprijnë Amerikës së sotme. Në këtë pikëpamje nuk ishte thjesht një poet i madh, por si një fanar poetik dhe një profet. Ai ka botuar vetëm këtë libër, të cilin e ribotoi duke i shtuar poezi të reja.

Edmond Tupja

"Jetë në një kuti shkrepëseje"

Fatos Kongoli

Për lexuesit do të sugjeroja librin e fundit të shkrimtarit Fatos Kongoli, "Jetë në një kuti shkrepëseje". Në këtë libër përmblidhet gjithë esenca, thelbi i haraçit që ne shqiptarët edhe sot e kësaj dite duhet t‘i paguajmë periudhës 45-50 vjeçare të diktaturës. Në këtë libër e tashmja shihet në syrin e së kaluarës dhe kuptohet më mirë artistikisht. "Jetë në një kuti shkrepëseje" do ta ndihmojë brezin e ri të njihet me të kaluarën komuniste, sepse kështu do të kuptojë më mirë disa dukuri që vihen re edhe sot e që janë pasoja të drejtpërdrejta ose të tërthorta të asaj kohe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›