Gëzuar dhe pranoni 1001 falënderimet e mia!
facebook.com/bledi.mane
Gati 8 muaj më parë, ne ish studentët e gazetarisë të Fakultetit Histori-Filologji UT organizonim “stinën e debateve”, një eveniment ndryshe nga propagandistika e rektorit bolshevik Dhorian Kule. Ftonim çdo javë emra të afirmuar të medias së Tiranës dhe për gati 90 minuta flisnim e debatonim rreth një tryeze të rrumbullakët mjaft lirshëm pa kompleksitetin e konsumuar të studentëve privatë a publikë ndjellës të mediokrtetit. Miqtë e ftuar viheshin “me shpatulla pas murit” nga ne duke u kërkuar llogari edhe për lapsuset më të vogla apo për politikat editoriale që i ndryshojnë sipas stinës politike. Mirëpo projekti ynë u ndërpre pas javës së katërt të tij dhe unë si organizatori e studenti plangprishës i fak-ultetit rrezikova çregjistrimin nga shkolla. Falë altruizmit dhe korrektësisë së dekanit Sh.Rrokaj u mjaftuan me një paralajmërim përjashtimi dhe historia u mbyll për ta e jo për mua.
Kolegët e mi studentë mbetën të shokuar dhe për gati një muaj ne protestuam në heshtje. Arsyeja ishte sa bajate aq edhe qesharake. Tmerrësisht poshtëruese, por edhe nxitëse.
Një nga miqtë e ftuar të debateve ishte edhe ai, armiku i pushtetit të cilit po i mbylleshin të gjitha dyert kudo ku shkonte. Pushteti dhe servilët eunukë të tij kërkonin që edhe studentët e një universiteti publik të kopjonin sjelljen e tyre, por dështuan. Mes kërcënimeve kurvërore ne e respektuam mysafirin dhe debatin e programuar e zhvilluam mbresëlënës.
Ne kishim thyer hundët e servilizmit dhe paaftësisë, kishim sfiduar pushtetin.
Publicisti dhe gazetari Mero Baze ishte mysafiri i radhës në debatet tona, por prania e tij idhnoi dhe nxiu fytyrat e shumë sharlatanëve në atë fakultet. U tentua që takimi të prishej, por dështuan. Zoti Baze vazhdoi i qetë debatin dhe bashkëbisedimin me studentët e gazetarisë dhe para se të largohej na tha:
-Jeni të ftuar të shkruani e të publikoni në faqet e gazetës Tema dhe si gazetarë të rinj që jeni nga mua keni gjithë ndihmën e duhur.
Qysh atëherë shumë nga ne studentët shkruajnë shpesh në gazetën rebele ndërsa unë plangprishësi vendosa të jem permanent dy herë në javë në web dhe print.
Ndërsa sipari i 2011-ës po mbyllet dhe teksa bëj bilancin qesh paksa me vete. Kërcënimet për përjashtim nga fakulteti duken soft para sagës së vuajtjeve që botuesi dhe stafi i Temës hasin çdo ditë. Këto muaj të tërë që kam qenë aktiv në shtyp kam përjetuar dhe unë kalvarin e sharjeve, ofezave, kërcënimeve dhe shpesh tentativën për dhunë nga njerëz që u është prishur rehatia nga opozitarizmi i një gazete “të tmerrshme”. Një gazete që ndryshe nga 95% e shtypit të shkruar shqiptar nuk i bën askujt fresk në këtë stinë të ftohtë politike që ka ngrirë vendin nga lart-poshtë.
Ndaj në opinionin tim të fundit për këtë vit lejomëni të falënderoj si fillim ATA, botuesin dhe stafin modest të gazetës më rebele, më profesioniste dhe me fantastike mbarëshqiptare.
Mirënjohje lexuesve shqiptarë nga Australia në Kanada, nga Afrika e Jugut në Irlandë pa përjashtuar miqtë dhe lexuesit e shumtë edhe këtu në Shqipëri.
Faleminderit dhe gëzuar të gjithëve, gëzuar e ju ftoj ta bëjmë Shqipërinë më të bukur e më të të pasur. Një Shqipëri fisnike dhe më e ndërgjegjësuar nuk do të ketë më vend as për Benin që vjedh votat e opozitës as për Xhikun që vjedh audin e Aldos.
Gëzuar të gjithëve nga Jugu në Veri, të gjithëve pa përjashtim… edhe 2 shoferëve të ambulancave të Spitalit Amerikan të cilët do ta gdhinë 31 dhjetorin poshtë shtëpisë së doktorit që është bërë përfundimisht për doktor.
Gëzuar!!!
