Gianni De Biasi zyrtarisht trajneri i ri i Shqipërisë

Gianni De Biasi është zyrtarisht trajneri i ri i kombëtares shqiptare. Ish-trajneri i Modenas, Breshias, Torinos dhe Udinezes ka nënshkruar një kontratë 2-vjeçare me Federatën Shqiptare të Futbollit ndërsa prezantimi i tij do të bëhet ditën e hënë.
Kështu Gianni De Biasi do të jetë për herë të parë trajner i një ekipi kombëtar dhe si trajner i Kombëtares Shqiptare do ta drejtojë atë gjatë kualifikimit për në botërorin 2014 që do të zhvillohet në Brazil.
55-vjeçari ka fituar garën me bashkëkombasit e tij, Mario Beretta dhe Benito Carbone, të cilët vlerësoheshin si kandidatë potencialë për të marrë drejtimin e Shqipërisë. De Biasi do të jetë trajneri i dytë italian që merr drejtimin e kombëtares shqiptare pasi i pari ishte Dosena.
Shqipëria është pjesë e grupit E bashkë me Norvegjinë, Slloveninë, Zvicrën, Qipron dhe Islandën. Ekipi kuqezi deri së fundmi ishte drejtuar nga trajneri kroat Josip Kuzhe i cili dha dorëheqjen nga ky post në tetor.