Giffoni Albania, festivali “pushton” bregdetin
Petrika GROSI
Ka startuar këto ditë në Sarandë edicioni i sivjetshëm shqiptar i festivalit të filmit për fëmijë “Giffoni”. Tashmë ky festival ka dalë prej kryqytetit ku dhe nisi para disa vitesh për të “pushtuar” rrethet, bregdetin e Shqipërisë. Fëmijët shqiptarë jo vetëm që do të kenë mundësinë të shohin filmat e animuar dhe fiction me metrazh të gjatë e të shkurtër, por edhe do të votojnë për të zgjedhur më të mirët. “Giffoni Film Fest Albania” lindi natyrshëm para disa vitesh si një dëshirë për të risjellë në Shqipërinë projektimet e munguara të filmit për fëmijë. Giffoni i sivjetshëm, që nisi të hënën, (pas anunçimit zyrtar të bërë të dielën e kaluar në Sarandë nga Namik Ajazi), do të ndjekë udhën e tij në qytete të tjera bregdetare me tradita kulturore si Vlora, Pogradeci, Durrësi, për t’u mbyllur gjithçka në Lezhë. Kjo përhapje konsiderohet prej vet organizatorëve si gjetja e këtij viti, pasi fëmijët kanë të drejtën e tyre për t’u argëtuar e zbavitur, por edhe për të qenë pjesë e këtij evenimenti gjatë sezonit turistik. Në Sarandë, pesë filmat më të mirë për fëmijë, produksione të dy viteve të fundit, janë ndjekur nga një mijë adoleshentë, të cilët edhe kanë diskutuar mbi projektimet e shfaqura në ekranin e madh. Sipas organizatorëve, festivali do të përsërisë, suksesin e edicioneve të tij të mëparshme; Shqipëria, mjaft herë është kthyer me trofe nga konkurimet e prodhimeve tona të denja në këtë gjini siç janë filmat e regjisores të njohur Xhanfize Keko “Beni ecën vetë”, “Shoku ynë Tili”, etj. Përsa i përket jurisë ndërkombëtare ku marrin pjesë 120 fëmijë, këtë vit veç Durrësit e Tiranës, edhe qytetet e Sarandës, Pogradecit, e Lezhës do të ketë përfaqësuesit e tyre. Filmat e fëmijëve edhe kësaj here do të shfaqen të ndara në dy kategori ku hyjnë shkollat e 9-vjeçare dhe ato të mesme.
Sipas deklaratës për shtyp të drejtorit Namik Ajazi, Giffoni Film Festival tenton të rikthejë traditën e munguar të filmave për fëmijë në Shqipëri. “Ne kemi pasur një film autentik që për fat të keq i mungojnë prodhimet 20 vitet e fundit”, është shprehur ai. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse Giffoni Albania në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Kinematografike ka hapur një konkurs ku do të paraqesin projektet e tyre skenaristët në këtë gjini me tema nga më të prekshmet për fëmijët e adoleshentët. Fituesit e këtij projekti do të shpallen në tetor. Sa i përket festivalit “Giffoni”, ai zhvillohet prej gati katër dekadash në Itali (38 vjet) dhe prej katër vitesh në Hollivud e në Shqipëri. Disa nga filmat që do të marrin pjesë në këtë edicion janë “Miq për jetë”, produksion irlandez, “Fia, magjistarja e vogël” nga Norvegjia, “Efekte të rrezikshme” (Zvicër-Danimarkë-Finlandë), “Ndihmë u bëra djalë…!” nga Gjermania dhe “Misa e ujqërve” nga Zvicra.
4 Qershor 2008