Maqedoni, pjesë e qeverisë së re edhe një parti shqiptare
Pjesë e qeverisë së re maqedonase do të jetë edhe një parti shqiptare. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm maqedonas Antonio Milloshoski, sipas të cilit partia VRMNO-DPMNE, edhe pse ka siguruar shumicën për qeverinë, përfshirja e një partie shqiptare tashmë është rregull në Maqedoni. “Praktika e përfshirjes së shqiptarëve në ekzekutiv do të vazhdojë sepse një gjë e tillë është e mirë për vendin”, - tha ministri i Jashtëm maqedonas. Kriteri kryesor për përzgjedhjen e kësaj partie sipas tij është mënyra e sjelljes së secilës parti në procesin zgjedhor. “Dua të theksoj se mënyra e pjesëmarrjes së tyre, të dy partive shqiptare, në zgjedhje do të ketë ndikim të rëndësishëm se kë do të zgjedhim ne si partner koalicioni”,-tha Milloshovski. Deklarata e kryediplomatit erdhi pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR-it i cili e vlerësoi procesin zgjedhor negativisht. VMRO-DPMNE fitoi 64 deputetë në parlamentin 120 vendesh dhe nuk ka nevojë për asnjë parti që të krijojë qeverinë e re. Sipas Kushtetutës të Maqedonisë, Kuvendi i ri duhet të formohet deri më 22 qershor ndërsa Qeveria e re deri më 6 gusht. Kuvendi duhet të mblidhet 20 ditë pas zgjedhjeve dhe presidenti është i detyruar që pas mbledhjes së Kuvendit në afat të dhjetë ditëve t`ia besojë mandatin për formimin e Qeverisë kandidatit të partisë ose koalicionit që ka shumicën në Kuvend. Nga marrja e mandatit, brenda 20 ditëve, qeveria e re duhet ti parashtrojë Kuvendit programin dhe përbërjen e Qeverisë e cila zgjidhet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë ka bërë publike rezultatet e para të përgjithshme, jopërfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën e kaluar. Sipas këtyre rezultateve, partia e Gruevskit ka fituar deri tani 64 deputetë, BDI-ja dhe PDSH-ja nga 13 deputete. Sipas vendeve të fituara, radhitja e forcave politike në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Maqedonisë, në bazë të të dhënave të deritanishme, është: 64 deputetë - VMRO-DPMNE, (Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë”), 28 deputetë Lidhja Socialdemokrate - LSDM (“Dielli - koalicioni për në Europë”), 13 deputetë - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), 13 deputetë Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe nga një vend do të ketë Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) dhe Partia për Ardhmëri Europiane (PEI). Autoritetet në Maqedoni janë shprehur se do të bëjnë gjithçka që përsëritja e zgjedhjeve në zonat ku pati probleme të zhvillohet në mënyrë të rregullt.
Ish-kryeministri Georgievski: “Maqedonia para krizës politike”
Një krizë të re politike ka paralajmëruar ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE-së në Maqedoni, Lubço Georgievski, për Televizioni bullgar “Nova TV”. Sipas tij, zgjedhjet e 1 qershorit nuk ishin të nevojshme pasi Maqedonia ka humbur kohë të çmuar para dhe pas Samitit të NATO-s për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë. Ai vlerësoi se këto zgjedhje vonojnë datën për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. “Fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së nuk do të sjellë asgjë të re në Maqedoni, për shkak se akoma po mbijeton principi për të formuar qeveri federale”,- deklaroi Georgievski. Zgjedhja e një partie nga blloku politik shqiptar sipas tij do të radikalizojë partinë tjetër shqiptare. Ai nënvizoi se Maqedonia akoma nuk ka dalë nga kriza politike e vitit 2001.
“FT”: “Zgjedhjet goditën shpresat e Maqedonisë për BE”
Britanikja “Financial Times” ka vlerësuar se shpresat e Maqedonisë për të filluar bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian kanë pësuar një goditje të rëndë pas dhunës që u shfaq në zgjedhjet parlamentare të fundjavës. Gazeta shkruan se komisionari për Zgjerim, Oli Rehn, tha se është shumë i shqetësuar për dhunën dhe bëri thirrje për përsëritje të rregullt dhe paqësor të votimit. “Financial Times” shkruan se gjashtë muaj më parë, Komisioni Europian tha se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë “elementi esencial” që kjo ish-republikë Jugosllave të fillojë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në pikëpyetje zonat në të cilat do të rivotohet
Në Maqedoni do të mbahen zgjedhje të pjesshme edhe pse nuk është përcaktuar akoma në sa zona do të votohet. Monitoruesit e zgjedhjeve të përgjithshme në Maqedoni kanë bërë të qartë se legjitimiteti i votimeve do të vihet në vend vetëm në rast se do të rivotohet në gjithë zonat ky u ushtrua dhunë. OSBE-ja, monitoruesi kryesor i zgjedhjeve tha se qeveria aplikoi rregulla selektive në zgjedhje dhe nuk shmangu dhunën, lejoi parregullsitë në kutitë e votimit. OSBE bëri të qartë se do të monitorojë me shumë kujdes rivotimet dhe do të shohë se si autoritetet maqedonase do të mbajnë nën kontroll dhunën. Një përkrahës i BDI-së mbeti i vrarë nga forcat e rendit dhe këtu qëndron dhe pakënaqësia e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë së Shkupit. Ende nuk është bërë e qartë në sa zona do të zhvillohet votimi.
4 Qershor 2008