“Trishtimi i zonjës Shnajder” shfaqet edhe nga Kinema “Imperial” në Tiranë
Pas shfaqjes në Kinema “Millenium II”, filmi me metrazh të gjatë “Trishtimi i zonjës Shnajder”, i regjisorit Pirro Milkani nis të shfaqet edhe në Kinema “Imperial” në kryeqytet. Kështu pra, pas shfaqjes së suksesshme të premierës së tij në mars, kooproduksioni i parë shqiptarë-çek rikthehet sërish në knemanë shqiptare. Sipas statistikave të bëra të ditura nga “Millenium II”, 5300 persona e kanë ndjekur premierën e marsit të filmit, ku një rol episodik e interpreton aktori i njohur italian me origjinë shqiptare Mikele Plaçido. Ndonëse në gjuhën çeke, filmi është pritur mirë nga shikuesit dhe ka arritur një shifër që deri tani, mund të konsiderohet e lartë përsa i përket shikueshmërisë të prodhimeve shqiptare gjatë viteve të fundit.
Skenari i filmit është shkruar nga Pirro Milkani e Radek Shofr, drejtorë fotografie janë Miro Gabor e Afrim Spahiu për të kaluar te rolet kryesore ku debutojnë aktorja çeke Anna Geslerova e Kreshnik Xhelilaj, student i dramës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Veç tyre, në film interpretojnë edhe aktorë të tjerë si kosovarja Arta Dobroshi, Ondrej Moravec, Kamil Kollarik, Bara Shqepanova, Tomash Topfer, etj. Subjekti i “Trishtimi i zonjës Shnajder” bën fjalë për dashuritë e djemve shqiptarë me vajzat e huaja në vendet ku ata studionin. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1961, kur një grup studentesh të FAMU-së, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) xhirojnë në Çeki “Shternberk”, një film diplome për fabrikën e prodhimit të motorave ESO. Në film jepet përballja e jetës së të rinjve, tërheqja e tyre për fshatin çek, jeta që ata bëjnë me disa personazhe pikantë dhe të gjetur si, konti, shefi i policisë lokale, përgjegjësja e hotelit, drejtori i fabrikës. Por nga ana tjetër, filmi tregon edhe dramën personale të Lekës, një student nga një vend i izoluar i Europës, i cili ndodhet në dilemë mes përkatësisë së tij dhe stilit të jetës çeke, e karakterizuar nga shkujdesja erotike dhe jeta e lire. Pasioni i dashurisë së djalit të ri me një grua të pjekur, e shoqja e shefit të policisë, është gjithashtu një ngjarje më vete që jepet në këtë film.
4 Qershor 2008