Maqedoni, Gruevski: “Nuk do ta njohim Kosovën nën presion”
“Maqedonia nuk ka caktuar asnjë afat për njohjen e Kosovës dhe një vendim të tillë nuk do të merret nën presione”. Kështu ka deklaruar gjatë ditës së djeshme kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, partia e të cilit VMRO-DPMNE doli fituese në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Gruevski u shpreh se partitë shqiptare i kanë bërë presion për njohjen e Kosovës, por ka shtuar se qeveria nuk i sjell vendimet në bazë të presioneve.
“Ka pasur presion të madh, por Maqedonia ka interesa shtetërorë, ka politikën, argumentet dhe partnerët e saj. Ekziston NATO-ja dhe BE-ja. Ne nuk jemi indiferentë ndaj presioneve, por nuk i marrim vendimet nën presione”,-ka thënë Gruevski, për të shtuar se “nuk ka afate” për njohjen e Kosovës.
4 Qershor 2008