E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA-të dhe BE-ja: “Të hetohet dhuna në Maqedoni”. Arrestohen 28 persona



Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian i kanë bërë thirrje Maqedonisë të hetojë për përgjegjësit e trazirave gjatë procesit zgjedhor dhe të përsërisë zgjedhjet në zonat ku pati probleme.
“Në disa zona ishte e pranishme dhuna. Është e qartë se ka pasur disa probleme serioze”,-u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Shon Mekormak. “Nëse Maqedonia ndërmerr hapa për të përmirësuar problemet lidhur me zgjedhjet, atëherë kjo çështje nuk do të dëmtojë aspiratat e vendit për anëtarësim në NATO”,-tha Mekormak. Hetimin e ngjarjeve të ndodhura në Maqedoni e ka kërkuar edhe Sllovenia e cila mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Autoritetet kanë njoftuar se pajtohen me vëzhguesit e shumtë, të cilët kanë pohuar se në disa pjesë të Maqedonisë, zgjedhjet janë përcjellë me dhunë dhe keqtrajtim.
Bashkimi Europian ka mbështetur nismën e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski dhe të liderëve të tjerë politikë për përsëritjen e zgjedhjeve në disa zona, për të siguruar legjitimitetin zgjedhor. Presidenca e BE-së ka ftuar liderët e këtij vendi që të punojnë edhe më shumë mbi zbatimin e reformave pasi të ketë përfunduar procesi zgjedhor dhe pasi të jenë sanksionuar ashtu siç duhet të gjitha parregullsitë. Ndërkohë Ministria e Brendshme maqedonase ka njoftuar se janë arrestuar 28 persona të ndërlikuar në incidentet gjatë procesit të zgjedhjeve dhe se janë ngritur aktakuza kundër tetë personave. Ndaj 14 prej tyre janë ngritur padi penale.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›