E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Giffoni Festival” mbërrin në Pogradec



Pas hapjes së turneut në Sarandë, edicioni i gjashtë i Festivalit të Filmit për fëmijë dhe të rinj, “Giffoni Shqipëria”, që këtë vit vjen nën emrin “prolog Giffoni”, vijoi në Vlorë, ndërsa dje mbërriti në stacionin e radhës, në Pogradec. Në shkallët e Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, veshur me uniformat e festivalit, fëmijët kanë ndjekur me kureshtje filmat që ishin parashikuar në projeksionet e para. Pogradeci ka qenë pak i akullt, me temperatura jo të zakonshme për këtë kohë, me liqenin paksa të trazuar, por nuk ka qenë e njëjta atmosferë në sallën e kinema “Pogradeci”. Me gjallërinë që karakterizon këtë moshë, të shpenguar, herë duke lëshuar edhe ndonjë pasthirrmë, fëmijë të shkollave 9-vjeçare kanë rendur për të zënë vend në sallë. është një ritual që përsëritet thuajse në çdo qytet ku udhëton ky format. Teksa titrat shfaqen në ekran, vëmendja e tyre humbet në fillin e ngjarjeve.
Për më të rinjtë, “Giffoni” organizoi në shëtitoren buzë detit, një koncert me talentet e reja të qytetit të Sarandës dhe pjesëmarrjen e grupit të njohur polifonik “Zëri i bilbilit”. Në qytetin e Pogradecit, pas vizitës në zyrën e kryetarit të bashkisë Artan Shkëmbi, u diskutua mbi projektet që bashkia e këtij qyteti do të ndërmarrë në stinën e vërës, teatri i kukullave, dita e liqenit, etj, ku sezonin turistik e inauguroi kinemaja e Pogradecit me filmat e “Giffoni film festival”. “Jemi të kënaqur që “Prolog Giffoni” mbërrin për të dytin vit në qytetin tonë dhe do të donim që ky format të jetë i pranishëm edhe në të ardhmen, si një organizim që pasuron aktivitet për fëmijë dhe të rinj që organizohen nga institucionet vendore”, tha Shkëmbi në konferencën e zhvilluar dje. Pas një koncerti të zhvilluar në qytetin e liqenit, ku merrte pjesë grupi “Produkt 28” dhe këngëtarë pogradecarë, stafi i “Giffonit” u nis drejt Durrësit me filma dhe surpriza të reja. Festivali do të kurorëzohet me një koncert madhështor në Tiranë në datën 30 maj me këngëtarë të njohur të skenës shqiptare si Orinda Huta, Samanta Karavello, “Produkt 28”, Big Basta dhe shumë të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›