E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetër vjedhje arti në Francë, një koleksionist humbet 5 vepra



Pas vjedhjes së famshme në Muzeun e artit modern në Paris, një koleksionist arti në Marsejë u vodh në banesën e tij dhe humbi 5 vepra arti, mes tyre edhe një litografi të Picasso-s. Personat që kryen këtë vjedhje ishin dy dhe pasi kishin kaluar dy pengesat e sigurisë kishin hapur derën dhe kishin rrahur pronarin, duke e detyruar t’i jepte pikturat. Ngjarja ka ndodhur vetëm dy ditë pas vjedhjes spektakolare të së enjtes, të pesë pikturave të famshme nga muzeu i artit modern, me një vlerë prej 100 milionë eurosh. Në vjedhjen e fundit, vepra më e rëndësishme e marrë është një litografi e Picasso-s ku shihej portreti i një gruaje. Koleksionisti, edhe pasi kishte dorëzuar pikturat ishte rrahur nga dy grabitësit dhe tani është shtruar në spital. Ndërkohë muzeu i artit modern në Paris e ka hedhur poshtë variantin se pikturat do të mbahen peng deri sa të jepet një shumë e majme nga sigurimet. Sipas autoriteteve, pikturat me vlerë 100 milionë euro nuk ishin të siguruara. Përgjegjësi i kulturës në Paris, Christophe Girard tha se veprat sigurohen vetëm kur dalin nga muzeu. Nuk ka asnjë gjurmë për të kapur hajdutin “alpinist” të muzeut, pasi imazhet e telekamerave nuk japin asnjë detaj që mund të ndihmojë. Vepra e Picasso-s, “Pëllumbi me bizele” vlen 25 milionë euro, vepra e Fernand Leger, vlen 15 milionë, ndërsa veprat e Henri Matisse, Georges Braque dhe Amedeo Modiglianit vlejnë përkatësisht nga 20 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›